Poezi nga Petrit Malushi

Nga Petrit Malushi

Magjia e Kryekolltukut

Mund të jesh :

I gjatë, tra për çati,

I shkurtër, sa një kocomi.

I trashë, sa një mullar bari,

I hollë, si hosten pëndari...

 

Mundet:

Fjalët i kafshon si gagaç,

Gojën e lëshon si rrugaç.

Në shkollë të jesh katraman,

Shpirtin ta kesh korb, laraman...

 

Mund të jesh :

Gur, i pagdhendur,          

Emër i humbur, i pa mendur.

Cipëplasur e imoral ,

Gjuhë lavjerës, papagall…

 

Mund ta  kesh :

Fytyrën me blana,

Trupin shtrembanuk, si thana.

Ecjen si të jesh topall,

Sjelljen, afër si budall…

 

Por :      

Kryekolltuku, ka aftësi,

Të tjetërson si me magji.

Të bën të egër, të bën të but,

Të gjithëve ua fut, asnjeri s´ta fut.

 

Flak, përzë tutje tundimin,

Të trimëron, ta mpreh vështrimin.

Të zbukuron, të bën mis, model,

Të bën akrobat që ecën mbi tel.

 

Vartës, ndërvartës të duken eunukë,

Veç, kë do Ti ushqen me bukë.

Me dhelpërinë lidh fort kurorë,

Ortak bën ujkun të ndash sinorë.

 

Të shton në peshë, të zgjat në hije

Të mbush me mend, të fryn me shije.

Me garniturë  gatuan premtime,

I servir bukur për ushqime.

 

Të bën të rëndë shkëmb e mal,

Triumfator, askush s´të ndal.

Ndihesh depozitë e mençurisë,

Oksigjen për problemet e njerëzisë…