Viron Kona: Vargje për Ditën e Verës

Viron Kona

Vargje  për Ditën e Verës

E kremtojmë  Ditën e Verës,

me dhurata dhe rroba të reja,

thurim  verore dy ngjyrëshe,

shijojmë ushqime t`zgjedhura...

 

Fëmijët çapkën ndjellin zogjtë,

mbushin ajrin me fishkëllima,

luajnë me qengja, mbledhin lule,

manushaqe dhe zymbyla...

 

Një vajzë lë në pemë veroren

lutet: zogu të vijë ta marrë,

eh, psherëtin bukuroshja,

sikur ta marr dallëndyshja e parë!

 

Zakoni i lashtë e kërkon: 

që zonja t`stolis shtëpinë,

kreun e derës dhe dritaret,

me lastarë t`gjelbër e jasemin.

 

Pastaj nis përgatit drekën,

gatuan gjellët m`të mira,

gjel deti e ballokume,

ftonj, shegë e ëmbëlsira.

 

Gëzim i madh për çdo familje:

fëmijët vizitorët e parë,

me dhurata i darovitin,

vogëlushët këmbëmbarë!

 

-Ç`po bëhet n`shesh t`qytetit?

-Karnavalet do të fillojnë,

lodra, maska, eh, çdo vejë,

do gëzohemi, do vallëzojmë!

 

Ja tek shfaqen dhe turistët,

që mik-priten me nderim,

ndjekin festën me kureshtje,

-Sa e lashtë është? -duan ta dinë.

 

Mes t`rinjve të moshuarit,

rrëfejnë shtruar histori,

u luten zotave pagane,

për bollëk, paqe, mirësi.

 

Një zonjë bën humor me shoqet,

diç tregon dhe  qesh me lot:

Gra! dëgjuat për gjumashët?

I mbyllën brenda, s`dalin dot!

 

Tek një vajzë qëndistare,

sytë i hedh një djalë azgan,

diç kërkon, e ka një hall,

vete-vjen e sytë s`ia ndanë.

 

Kjo Ditë Vere e bekuar,

u jep t`rinjve m`shumë trimëri,

duan të luajnë kukafshehtas,

janë  ndezur për dashuri.

 

Ajri i freskët, dielli ndrit,

14 Marsi - magji e rrallë,

vajzat s`ndahen nga pasqyrat,

ëndërrojnë fustan` të bardhë...