Tregim Nga Petrit Malushi

  Tregim

Nga  Petrit  Malushi

Drejtues në vite       

.        Porta kryesore me dy pjesëza brenda kornizës metalike,lyer me bojë gri, ndodhej nga faqja ballore e ndërtesës trekatëshe. Njera, më e madhja, hapej dhe mbyllej kur hynin automjete, tjetra, më e vogla kërciste për njerëzit. Pas saj shtrihej oborri. Një palë shkallë të mermetra mbanin në krye platformën e qëndrimit. Për të shkelur në koridorin e katit të parë duhej të kaloje derën dykatëshe prej duralumini, ngjyrë kafe.                                                                                  .       Ai, atje kishte qenë mësues historie njëzet vjet. Që prej shtatë vjetësh ishte transferuar në një tjetër shkollë. Po plotësonte dosjen e atestimit. I duhej një dokument edhe për ato vite pune. U kthye në anën e djathtë të koridorit, për nga sekretaria. Mbishkrimi te dera “kryejmë veprimet pas orës 12.00” e frenoi për të trokitur. Duhej të priste edhe tridhjetë minuta.                                                                                                                                                     .            Moria e stendave në faqet e mureve të koridorit e tërhoqi për të mbushur kohën. Orari i mësimeve, rregullorja e brendshme, dispozita normative, pjesë nga rregullorja, aspekte nga orët e mësimit, talentet tona, aktivitete, pjesmarrës në olimpiada, më të mirët…                                                                                                                         Si në ato vite kur kishte qenë edhe ai, por gjthçka e freskuar dhe me tjetër plan-vendosje. Por jo tamam ashtu.                                                                                                                                                                                .         Treçereku i faqes së murit në të majtë mbulohej nga një kornizë e madhe. U afrua. Në krye të saj shkruhej “Drejtues në vite”. Fytyra serioze me kostume e kollare.  Poshtë tyre emra e mbiemra dhe nën ta dy vite të ndara me vizë në mes, i marrjes dhe i lënies së detyrës.                                                                                                    “Kjo qenka e re”,- tha me vete.                                                                                                                                   .          Fotot e drejtuesve, për vitet kur kishte qenë mësues në atë shkollë, fillonin nga i teti dhe mbaronin tek i shtatëmbëdhjeti. Deri tek i fundit, që kishte të shënuar vetëm vitin e fillimit, pra për shtatë vitet që ishte larguar, këtu ishin ndërruar edhe gjashtë drejtues të tjerë. Portretet e kthyen në ato vite. Shkundi kujtesën. “Drejtor Kujtimi njeri i matur,komunikues me të gjithë,… Aleksi paqësor,kishte durim të dëgjonte edhe kur dilje jashtë temës së bisedës,… Silvana kompetente,shembull për zbatimin e rregulloreve,… Selmani fjalëpeshuar, drejtzgjidhte çdo situatë,..Irma rigoroze,e sinqertë… Pirua i qetë,nuk nxitohej në gjykime,… Gëzimi energjik,përherë gazmor,…”.                                                                                                                                      Në çast u zbraps një hap. Vështrimi iu mjegullua. Ndjeu edhe përzierje në stomak.                            “Ç´pata ?!,- tha me vete. “Ah !.. Ja,… Ndoshta nga këta të tjerët …“                                                       “Drejtor Pici u pezullua për korrupsion. Kaloi deri në ndjekje penale. Ishte edhe pa nivelin arsimor përkatës,…Selimi u shkarkua si arrogant, rryshfetmarrës e i paaftë. Emërimin e kishte arritur me ndërhyrje e miqësi,…Raqi, njeri i pamoraltë, intrigant e mashtrues,…”. Largoi vështrimin se filluan t´i dhimbnin sytë. Nuk pati durim t`i shkonte deri në fund tabelës, për të pare fotot e drejtuesve të mëpasëm.                                                                                                                                                        „E si mund të qëndroni ju në këtë tabelë,-ndjeu revoltë nga brenda,- në krah të më të nderuarve ?... Për ne mësuesit ishte fatkeqësi që u kishim drejtues. Emrin e kësaj shkolle e nëpërkëmbët. Tundoheshim midis kolegësh...”                                                                                                      “Palo drejtues !”-shfryu dufin, si atëhere kur debatonte me ta, për probleme që i stisnin herë pas here.  Shtyu këmbët për më tej. Mendimet nuk po i ndaheshin. “Nëpër shkolla ka shtatëdhjetë a tetëdhjetë mësues dhe vetëm një drejtor. E ky “Një” që mund të jetë një “Hiç” eklipson punën e të gjithëve. Pa le, po u bëjnë vend në tabela nderi edhe kur lënë pas hije të sterrosura ! Këta lloj duhen varur në “tabela të zeza”. Atje po !…”                                                                                                      “Edhe këtu me “Mësues në vite” nuk ka asnjë tabelë !!…”                                                                                                                                                              „Zotëri u hap sekretaria !“,- dëgjoi zërin e portierit.