Flora Gjondedaj Dervishi:Vështrim mbi novelën ‘Njëzet e tetë vegimet e hënës’ të autores Gladiola (Busulla) Jorbus

Flora Gjondedaj Dervishi

Vështrim mbi novelën ‘Njëzet e tetë vegimet e hënës’ të autores Gladiola (Busulla) Jorbus

 Të lexosh apo të redaktosh letërsi të gjeneratës që erdhi në jetë në pragun e demokracisë shqiptare, nuk mendoj se duhet të rrekesh për analiza analitike me parashtrime teorike.

 Ajo çka të thotë teksti Njëzet e tetë vegimet e hënës është një thurje poetike e autores, poete e talentuar e pasmileniumit të ri, që po gjendet në kapërcyell, drejt hapësirave të prozës socio-meditative. 

 Thurja e oganizuar fort mirë letrarisht, tenton një shmangie nga e zakonshmja dhe gjen strehëzën  te guri  blu i hënës.  Kjo mendoj se është një gjetje e veçantë, pasi ajo del nga skema e një narracioni tradicional, me digresione të herëpashershme dhe gjen mjete për ta endur mendimin e saj me ndjeshmëri, sa mistike aq edhe reale .

 Boshti kryesor universal, por tepër i veçantë në këtë tekst si; lidhja dashurore Helios-Luna bëhet një motiv sa biblik, aq edhe modern. Aureola e femrës merr dritësi hënore larg banaliteteve.  Dhe  autorja enkas, por natyrshëm vendos në antipodë çiftin  e numrit dy.

 Luna, ndonëse nuk është gjysmëperëndi, është liberatore e përkorë në qenien e saj të dashuruar. Ajo ka ardhur në jetë, me misionin për të paqtuar, për të parë në brendësi thelbin e fenomeneve, ashtu siç i ka krijuar natyra, ndaj hera-herës, filozofon me të shkuarën dhe gurin e hënës.

Autorja zgjedh mënyra sinonimike për të shprehur mendimin dhe për t’i dhënë kuptim përmbajtjes dhe personazheve, të cilët lëvrijnë herë me tiparet e misionarit human, herë ergërshan, si një qenie e deformuar në kompleksin e banaliteteve egocentriste.

 Koncepti themelor i novelës organizohet realisht në 28 vegimet e hënës apo ciklet e saj  astronomike të njohuara. Luna, e ndërgjegjshme është aty prezente dhe merr nga magjia e saj. Veçoj njohjen me shkencën e gurëve te shenjtë, argumentet vijnë bindës.

Vështrimi i hënës pëson degëzimin e autores në thurjen e brendisë. Ato janë pjesë të një mozaiku që lidhen organikisht, pasurohen dhe japin realitetin e sotëm, duke tentuar në një fushë me rol parësor si; informacioni apo gazetaria, veçmas ajo investigative, më e vështira.

Kujdesi në përdorimin e fjalëve, veçantia e këndvështrimit dhe e ndërtimit letrar i japin  lidhje organike novelës.  Imazhi, temporitmi, rrjedha brendore nuk flasin për një skemë pedante, por as formaliste e minimaliste.

 Çdo lexues zbulon vlera të reja estetike duke e rrokur dhe  prekur përmbajtjen. Këta tregues pa enumeracion janë shpresë e arritjeve të mëtejshme, për të lëvruar prozën me dimensionin që përzgjedh autorja G.B.J., por jo e nisur nga zbrazëtia.

 Diplomimi në shkenca filologjike dhe kultivimi në tri dhjetëvjeçarët e saj, me letërsi shqiptare e të huaj i japin një aparat konceptual dhe krijues, talentit të  saj të pranishëm në letërsinë shqiptare.

Image
c