Nga Gladiola Busulla: Arsimi në demokracinë e brishtë

Nga Gladiola Busulla

                            Arsimi në demokracinë e brishtë

               Mbi librin më të fundit të Prof. Dr. Bardhyl Musai

Pikësëpari, ky libër na ofron një vështrim vertikal të sistemit arsimor në vendin tonë. Të dhëna, statistika, analiza, prishmëri, arritje, dështime, të vërteta të këndshme e të hidhura që të bëjnë të mendosh; nëse ky vështrim vertikal do kryer nga lart-poshtë apo poshtë – lart.

Duke u mbështetur në gjykimet e filozofit gjerman Emanuel Kant, sipas së cilit, një parim i artit të arsimit për t’mbajtur mend është që fëmijët nuk duhet të arsimohen për të tashmen, por për të ardhmen, në përputhje me idenë e njerëzimit dhe fatin e plotë të tij. Ky parim ka një rëndësi të madhe. Prindërit, në përgjithësi i edukojnë fëmijët e tyre, vetëm duke parë botën e tanishme, edhe nëse ajo është shumë e korruptuar. Gabim! Përkundrazi, ata duhet t'i edukojnë fëmijët, në mënyrë që më vonë të krijohet një situatë më e kënaqshme dhe më avantazhuese se aktualja.

Më mirë se kushdo, këtë mund ta kryejnë e ta realizojnë ata që kanë dorë politikat arsimore, që merren me përgatitjen e drejtuesve, e arsimtarëve të ardhshëm, me trajnimet dhe përsosjen e tyre të vazhdueshme. Në këtë kuptim, objektivi i kësaj politike është që të implementojë dhe të forcojë kapacitetet e duhura, që lidershipi në sistemin shkollor të funksionojë dhe kështu të rritet kontributi që drejtorët mund të japin, për të përmirësuar shkollën dhe qëndrueshmërinë e saj me kalimin e kohës.

Teksa profesionistë të nderuar e kompetentë kishin ndërmarrë një rrugëtim, kishin investuar dhe ngritur institucione e organizma të specializuara, në kuadër të forcimit e përmirësimit të lidershipit shkollor, gjithçka shkokëlohet e këputet në mes. Më keq akoma; në këtë libër secili syresh mund të shfletojë një kalvar golgote në fushën e edukimit, thembra e Akilit e secilës shoqëri, mund të shohë se si mohohet çdo rezultat i frytshëm a sukses.

Në vend që përvoja pozitive shumëvjeçare të përbënte referencën konceptuale, përmes së cilës të projektohej vazhdimësia, sinergjia dhe konsolidimi i arritjeve, çdo gjë u hodh poshtë me nihilizëm, mospërfillje e shkelje ligjore. Paradoksale!

Gjithkush nga ne, që prek nga afër dhe rravgon në fushën e arsimit, nuk mund të tregohet assesi indiferent ndaj skenarëve të tillë që kanë mishëruar hallkat e një zinxhiri degradues, në sistemin arsimor shqiptar. Të gjithëve duhet t’u interesojnë rrjedhojat dhe feedback-u i këtyre politikave, që luhen pas kurrizit dhe janë në kurriz të sistemit arsimor shqiptar.

Image
a