Teuta Dhima: Të jetosh, me frikën si lajtmotiv

 

Të jetosh, me frikën si lajtmotiv

Romani Frika nga Fatmir Minguli, sjell fatin e intelektualit që jeton nën presionin e frikës, përgjimit dhe problemeve që mund të vijnë si rezultat i tyre. Në ditët e sotme, është shumë e lehtë të flasësh dhe të parashtrosh problemin, por në kohën në të cilën kanë jetuar personazhet ishte e pamundur të diskutoje pa provuar sensacionin rrënqethës të frikës.

Frika në vetvete është një reagim emocional i fuqishëm i njeriut, përballë perceptimit të një rreziku dhe rreziqet në atë kohë, ishin të shumtë. Gjatë leximit të romanit, provon emocionin e kalimit nga histori të shkruara në ditare personale dhe të fshehta, në një rrëfim romanor që i serviret lexuesit.

Romani ka tri ndarje të cilat titullohen: Kufiri, Gjethja e dushkut dhe Lea. Personazhet bosht në roman janë: Zafo – inxhinieri agronom , Kurti - mësuesi i gjuhës gjemane dhe Lea - vajza me origjinë hebreje, ose dashuria e pamundur e Zafos. Nëpërmjet tyre krijohet një trekëndësh Shqipëri- Gjermani- Izrael. Një trekëndësh domethënës për sa u përket simboleve dhe traditave të tre vendeve.

Të mbash ditar, është një lloj lumturie më vete dhe Zafo në ditaret e tij të mbajtura me kujdes, ishte plotësisht vetvetja. Në ato rradhë, ai ishte i lirë të fliste për përvojat e tij të përparuara të cilat i kishte si rezultat i studimeve  të parreshtura dhe me guximin që duhet të kishte me të vërtetë një intelektual. Kufiri, kjo vijë që aq shumë e frikësonte, trulloste dhe e çorientonte sa herë duhet ta kalonte…

Në faqen e parë autori Fatmir Minguli ka vendosur një dialog mes dy personave të cilët jo pa qëllim emërtohen X dhe Y. Në matematikë për zgjidhjen e ekuacioneve, vlera e këtyre ndyshoreve mund të jetë e pafundme, ndërsa në rastin tonë në dialog përdoret në mënyrë simbolike prej autorit për të shprehur idenë se intelektualët me biografi të mirë si Zafo, por që kishin frikë, ishin të shumtë. Ishin pikërisht biografimirët  që duhet të kishin frikë. Ata, kalonin në tehun e hollë e delikat të kufirit shtetëror, pasi  intelektualët me njollë siç quheshin, ishin të përjashtuar plotësisht nga mundësia e këtyre udhëtimeve.

Frika ishte trullosëse. Ajo e pushtoi Zafon që udhëtimin e tij të parë në qershorin e vitit 1972, kur u nis për specializimin enigmatik  në Kinë dhe vazhdoi përgjatë gjithë udhëtimeve dhe kalimeve të kufrit që ai bënte. Zafo, një intelektual flegmatik, stërhollonte gjithçka në mendjen e tij dhe ishte një vëzhgues shumë i mirë dhe njohës i simboleve. Me gjithë flegmatizmin e tij, ai herë- herë, në emër të së drejtës dhe i armatosur me guximin që ia siguronte përgatitja e tij e lartë profesionale, kishte edhe shpërthime të tilla si: rasti kur detyroi agronomin, punonjësin injorant të ambasadës, të ndërronte raportin që kishte përgatitur gabimisht për Ministrinë; Vizita në orën tre të mëngjesit të dy spiunëve fytyrzinj, të cilëve Zafo iu mbylli derën dhe nuk i la të hyjnë brenda në dhomën e hotelit.

Për mbajtjen e ditarit, Minguli shprehet se ditari i shërbente Zafos si një valvol sigurimi. Kurrë nuk do ta besonte se emocionet ngjeshin njëri-tjetrin, se mbivendosnin njëri- tjetrin, se ndjekin njëri- tjetrin hap pas hapi. Por ditari i Zafos nuk na sjell vetëm ngjarje që përcjellin frikë, hutim dhe dyshim për gjithçka, Ditari i Zafos për nga informacioni që sjell, është një mini- enciklopedi dhe kjo dëshmon që pavarësisht frikës dhe të qenurit nën diktaturë dhe kufizim mendimi, intelektualët nuk hiqnin dorë kollaj nga pasionet e tyre dhe dëshira për të lexuar, dëshira për të bukurën. Takimi me shkencëtarin  gjenetist, arbëreshin Marian, bëri që Zafo dhe miqtë e tij të përjetonin një sërë eksperiancash pozitive që do të linin mbresa për shumë kohë në mendjen e tij. Ai viziton  Rekanatin, vendlindjen e poetit Leopardi me poezinë e të cilit ishte njohur që në vitin 1972. Vargjet e poezisë  Gjineshtra ose lulja e shkretëtirës shpesh do ta shoqëronin Zafon  në shëtitjet  e tij në kodrat e Currilave ku toka e thatë dhe argjilore, shpesh herë i sillte ndër mend tokën e plasaritur buzë Vezuvit.

Udhëtimet dhe vizitat e Zafos do të ndjekin njëra –tjetrën. Vitet kalonin edhe për Zafon dhe frika e tij që e shoqëronte përherë, sinjali i alarmit që rrinte gjithmonë i ndezur, pas viteve ’90-të, u transformua në frikë nga njerëzit e mitingjeve dhe që ndërronin parti e pikëpamje me shpeshtinë e ndërrimit të veshjeve. Ndërsa Zafo mbeti po ai, tokë neutrale do ta quaja, intelektuali me biografi të mirë, por që sa herë kalonte kufirin ajror apo tokësor të vendit të tij, pushtohej nga ankthi dhe frika.

Përveç pasionit për letësinë, Zafo kishte edhe një tjetër pasion që e kishte shumë për zemër. E kishte robëruar simboli i  gjethes së dushkut. Zafo si njeri shumë i lexuar, këtë simbol e kishte ndeshur shumë vite më parë tek Skënderbeu i Barletit. Gjethja e dushkut në mantelin e Skënderbeut i ngasonte shumë edhe me formën e shqiponjës. Për këtë simbol ai diskutonte gjatë edhe me  mikun e tij të ngushtë Kurtin. Kurti ishte ndryshe nga Zafo. Ai ishte më i hedhur dhe diskutonte plot pasion për simbolet dhe gjetjet e tij. Edhe në bisedat me Kurtin, përsëri ajo, frika e bënte të zmbrapsej dhe ta linte mënjanë studimin për gjethen e dushkut. Herë merrte krahë dhe donte ta fillonte këtë studim që nga mbiemri i mikut të tij Kurt Dushku dhe herë, stepej dhe mendonte se si do të interpretohej ai. Një gjethe që ai e kishte ndeshur shumë si simbol, por që askush, madje edhe kokat e mëdha të Akademisë së Shkencave nuk kishin dëgjuar për të.

Një tjetër mik i Zafos, për të cilin flitet  në kujtime është edhe plaku Toto. Figura e tij është simbol i njeriut antifrikë. Ai jetonte prej kohësh me sekretin e tij që ishte miqësia me gjermanin Oto dhe të birin. Historia e unazës që mban në gisht Toto dhe fotografia me gjermanin të cilën e kishte fshehur prej shumë kohësh, bëhen një burim fantazish për Zafon. Fantazi të cilat mbeten në kokën e tij, pasi ai nuk guxon t’i ndajë as me Kurtin, pasi ka frikë se miku i tij thjesht do të shpërthejë në të qeshura.

Edhe në sistemin demokratik ku lejohej gjithçka, studimi i Zafos për gjethen e dushkut u step. Zafo kuptoi se në mentalitetin e pushtetarëve, shkencëtarëve të Akademisë  dhe universiteteve, asgjë nuk kishte ndryshuar. Në ditar, sillet një nga fragmentet e para të këtij studimi: Miti i simbolit të gjethes së dushkut e ka një ditëlindje. Në mjegullnajat mesjetare të historisë së shqiptarëve, filloi të shfaqej vendi i Dodonës, vendi malit të Tomorrit. Lisi në Dodonë. Rrënja profetike e gjetheve të lisit nga druri orakull i mitikës së lashtë, është vetë fiksimi i ditëlindjes.

Figura femërore ose Lea, kalohet përciptas në rrëfim. Ndoshta është zgjedhje dhe preferencë e autorit. Ai vendos që ajo të shfaqet pak, por edhe me kaq ai arrin t’i japë lexuesit idenë e dashurisë së tyre. Zafos i mungon një femër përkrah dhe jo pak herë për këtë ndihet i pështjelluar dhe gjithçka i dukej  si një lëmsh që nuk i kapej fillimi.  Femra ashtu siç thonë, luan një rol të madh në zgjidhjen e lëmshit. E ku ta gjente Zafo femrën që mund t’i ç’mbështillte lëmshin e t’i sistemonte fijet e mendimeve. Iu kujtua Ariana e mitologjisë. Fija e Arjanës dhe halli i madh i Tezeut. Por përsëri mendonte se femra egzistonte dhe ajo ishte Lea, Ariana e fijes së artë, - shprehet autori.

 Zafo, pas asaj nate ku shëtitën  me biçikleta, asaj nate ku gjithçka dukej mes të vërtetës dhe ëndërrës, gjithçka e kishte të mjegulluar dhe ai nuk preku më femër me dorë. Në pranverën e vitit 2002, Zafo dhe Lea u bashkuan dhe takimi i tyre ishte shumë i çuditshëm. Kishin kaluar vite të tëra larg njëri- tjetrit, një largim i pakuptimtë, që herë justifikohej, po shpesh mbetej i pajustifikuar. Në takimin e tyre ata bënë një premtim, e bënë atë në heshtje dhe ribashkuan zemrat që shumë vite kishin rrahur larg njëra- tjetrës. Vizita e tyre në Parga, tregimet e Kapiten Zaimit dhe rreshtat e fshirë në adresën e dërgimit të shishes së hedhur në det, mbyllin rrëfimin në roman. Pjesët e ditarit të Zafos, nuk kanë një renditje të drejtë kronologjike. Ato kanë një retrospektivë të çuditshme, gati- gati të rrëmujshme. Tek e lexon, arrin të imagjinosh siluetën e një njeriu të çorientuar, të trullosur, të friksuar që bën dy hapa para dhe kthehet përsëri, që hedh shikimin rreth e qark në pritje të ndonjë goditjeje të papritur. Një njeriu që e ka jetuar jetën e tij duke pasur si lajtmotiv frikën. Kthehem përsëri në dialogun e faqes së parë të romanit:

X- Çfarë trajton ky libër?

Y- Është historia e frikës së një intelektuali me biografi të mirë.

Unë do ta vazhdoja dialogun: është historia e Zafos që jetoi  në kohën e diktaturës, kohën e ndrydhjes së mendimit dhe në atë kohë, Zafo-t kanë qenë të shumtë. Romani Frika, është një kujtesë e mirë, e sjellë me fakte për të gjithë brezin e intelektualëve që jetuan e punuan nën diktaturë dhe një historik i shkruar për brezat që do të vijnë.

Image
t