Bujar Poçari:Fantazia zhylveriane e Bubulinos, një realitet i kapshëm për lexuesit e vegjël

   Bujar Poçari

       Fizikan

              Fantazia zhylveriane e Bubulinos,  një realitet i kapshëm për lexuesit e vegjël

 “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” – një libri i ri i shkrimtarit të njohur Viron Kona 

Libri “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino”!, që i paraqitet lexuesit, është vazhdim i ciklit të librave serialë artistikë, që kanë krye personazh vogëlushin Bubulino, tashmë mjaft të njohur nga lexuesit e vegjël. Libri renditet i 14-ti në ciklin e Bubulinos. Subjekti i tij pasqyron përgatitjet që po bënë Bubulinoja dhe ekspedita e tij për t`u nisur në planetin Mars.

Dëshiroj t`i kujtoj lexuesit se, libri i parë dhe i dytë me personazh Bubulinon, i përmbledhur në titullin “Eh, more Bubulino!” është shpallur libri më i mirë i vitit 2006, fitues i çmimit UNICEF-AMC, kurse në vitin 2011, është  përkthyer në Suedi,me titullin ”MEN KÄRA BUBULINO!”Në ceremoninë e përurimit në qytetin Boras, Suedi, ka qenë i ftuar edhe autori i librit Viron Kona. Gazeta e njohur suedeze “Boras Tidning”, më 19 maj 2011, në shkrimin “Modeli shqiptar”, të gazetarit Erik Jullander, pasi analizon librin, në përfundim shtron pyetjen:

“-Bubulino och Pippi hade kommit bra överens?

 -Absolut”.

-“Bubulino dhe Pipi (Çorapegjata), pajtohen shumë mirë me njëri - tjetrin?

-Absolut!”përgjigjet në mbyllje të shkrimit gazetari suedez.

Tashmë lexuesi i vogël, që ka lexuar ciklin për Bubulinon, është njohur dhe argëtuar me aventurat dhe ndodhitë e njëpasnjëshme të Bubulinos dhe miqve të tij, ndërkohë që përmes zhvillimit të subjektit ka marrë edhe njohuri të shumta me karakter enciklopedik. Mund të themi se, Viron Kona, e ka stil të këtij cikli dhënien e njohurive dhe dijeve të shumta me karakter historik, gjeografik, shkencor, të  pasqyruara këto  në  mënyrë tërheqëse, përmes ngjarjesh, episodesh, dhe aventurave. Kjo mënyrë të shkruari e bënë kureshtar lexuesin e vogël, i cili ndjek hap pas hapi me interesim dhe pa e ndalur frymën aventurat  e Bubulinos dhe të shokëve të tij.

Në mbështetje të idesë së mësipërme sjell në vëmendje të lexuesit  konsiderata të disa prej personaliteteve të gjuhësisë e letërsisë shqiptare. Në librin “Pesha e fjalës shqipe”(“Ufo Press,Tiranë 2009, fq. 278, akademik Gjovalin Shkurtaj shprehet:“Befasia më e këndshme e lexuesit në librat e Viron Konës është dialogu midis personazheve. Aty ai është mjeshtër i vërtetë. Librat “Dardi” dhe “Eh, more Bubulino” më kanë shërbyer si minierë e pasur për të gjetur dialogë të përshtatshëm për shembullzimin e shumë prej kategorive gramatikore që është e nevojshme të shpjegohen për mësimin e shqipes së folur nga të huajt dhe nga të gjithë ata që mëtojnë përdorimin e saktë dhe të drejtë të formave dialoguese në shqipen e sotme. Mund të përmendim, ndër të tjerë, dialogun e thekur të tregimit “Gomari i Baxhulit” dhe vargun e pyetjeve e nënpyetjeve që nisin me “Pse?” ose “Çfarë?”, dialogun e tregimit “Bubulinoja është kureshtar apo llafazan” etj.

Pasuria, larmia dhe kujdesi që tregon Viron Kona për sintaksën dhe përzgjedhjen stilistike e leksikore frazeologjike të veprave të tij është e tillë që meriton një studim të hollësishëm, punë të cilën shpresojmë ta kryejmë në të ardhshmen vetë, nëpërmjet studimeve të ideuara prej nesh që do t’ua japim si mikroteza studimi pasuniversitarëve dhe studentëve të degës sonë të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës”.

Prof.dr. Pajtim Bejtja, në artikullin vlerësues “Viron Kona,“Babai i Bubulinos”, i botuar në  librin: “Blerim i një fushe me krijime të bukura”, të përgatitur nga publicisti Ibrahim Hjadarmataj, në fq. 34., shkruan: “Viron Kona ka hyrë në letërsinë shqipe si një shkrimtar i pasionuar dhe i suksesshëm për të rritur e sidomos për fëmijë. Ai ndër të tjera, është edhe ‘babai’ i Bubulinos së famshëm, të guximshëm, kureshtar e të gjithëditur, që është bërë një nga figurat fëmijërore më të dashura për fëmijët shqiptarë. Bëmat dhe aventurat e tij me shokë, dëshira dhe synimi i tij për të udhëtuar jashtë planetit tonë, përshkruhen në një seri librash në rritje, këndshëm e me humor, duke dhënë, njëkohësisht, një informacion të bollshëm e të larmishëm nga fusha të ndryshme të shkencës (astronomia, gjeografia, historia, fizika etj.), të vlefshëm e interesant për fëmijët. Sa do të më pëlqente të shihja të realizuar një film, me skenar të bazuar në serinë e librave me protagonist Bubulinon!”

Poeti dhe studiuesi Ndue Dragusha, në shkrimin e tij: “Të çuditshmit”, tregime për fëmijë nga Viron Kona”, botuar në “Lisalba”, nr. 131,2005, ndër të tjera shkruan: “Mendoj se duke marrë shembull nga ky libër, duhet parë dhe duhen ndërtuar edhe tekstet shkollore...

Fabula e Bubulinos, nis me dëshirën e tij fëmijërore që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars dhe vijon më tej me subjekte, episode dhe aventura interesante dhe mbresëlënëse. Në një intervistë Viron Kona thotë se një lexues i vogël e pyeti një ditë:-Vetëm do të shkojë në planetin Mars, Bubulinoja? Kjo pyetje, u bë nxitje për shkrimtarin që, pas librit të parë të Bubulinos, të vinin radhë libra të tjerë, një galeri e pafund me subjekte dhe personazhe, të cilët ngadalë, libër pas libri mblidhen në ekspeditën e Bubulinos për të realizuar ëndrrën e tij dhe të njerëzimit për të shkuar në planetin Mars.

Parakalojnë përpara lexuesve të vegjël: Dardi, kapiten Liku, gjyshi Ambasador, Diellori, Këmbëgjati, Mjekërverdhi, dy miq të huaj: hungarezi Vladislav dhe italiani Alfonso, vogëlushët: Kokëgjembi, Fluturushja, Shqipja, Lisiana, Kristi, Erlindi, Ana, Kolipoçi; shpendë dhe kafshë: “Papagalli Çate”, “kolonel “Lordi(qeni), Kontesha (macja), Akili (gjeli), etj. etj., të cilët, pasqyrohen artistikisht si tipa dhe personazhe  interesant, me karakteristika e  veçori të spikatura e origjinale.

Libri nis me konferencën shkencore, ku Bubulinoja do të shpalos përpara fëmijëve përgatitjet për në planetin Mars. Aty, kanë ardhur të dëgjojnë për këto përgatitje, edhe dy astronaut të Agjencisë Amerikane të Hapësirës (NASA).

Ngjarjet zhvillohen me ritëm dhe gjallëri, debate, dialogë të zgjedhur,batuta që shkaktojnë humor dhe gaz, e, mes tyre, si një fill i hollë, përvijon  rruga e ndritshme e dijes dhe  e kulturës që merr si pa kuptuar lexuesi i vogël për botën, jetën që na rrethon, për dukuritë dhe fenomenet, për hapësirat kozmike dhe veçanërisht për planetin Mars.

Spikat origjinaliteti dhe dijet e shumta të  Bubulinos, Dardit, Erlindit. Zbukurojnë faqet e librit ndërhyrjet e kapiten Likut, gjyshit Ambasador, kuzhinier Baxhulit, dy astronautëve të NASA-s. Lexuesi shkrihet në gaz dhe qesh me zemër me ndërhyrjet, mburrjet e tepruara tej mase  dhe batutat e dy personazheve të pandarë të librave të Bubulinos: Shkencëtarit të Madh Këmbëgjatë dhe Mjekërverdhit, të cilët janë “kundërshtarë” të zjarrtë dhe të përhershëm të Bubulinos.

Si edhe në librat e  tjerë, “planet” e tyre të fshehta, hilet, ironia, dëshira për ta mposhtur qoftë edhe një herë të vetme Bubulinon e gjithëditur, bëhen për ata qëllim në vetvete, që shpreh egoizmin e sëmurë dhe keqdashjen e tyre. Ata bëhen qesharakë përpara fëmijëve, të cilët e duan shumë mikun e tyre të çmuar Bubulino. Gjithsesi, Këmbëgjati dhe Mjekërverdhi  nuk mund të vetë - përjashtohen nga ekspedita. Prandaj dhe miqtë e tyre të vegjël, vërtetë që i  kritikojnë dhe i thumbojnë, por ata i duan, i mbajnë pranë dhe dëshirojnë që të jenë vazhdimisht miq. Mendimet  ndryshe, edhe pse i vënë përballë njerëzit, s`ka përse t`i armiqësojnë, por ato i shërbejnë ndriçimit të së drejtës dhe të vërtetave. Ky është një tjetër mesazh mbresëlënës i librit që kemi në duar.

Në mënyrë të figurshme do të shprehesha se tërësia e ciklit të Bubulinos, është si një “lumë” i madh që formohet nga dhjetëra e qindra përrenj të vegjël. Ata vijnë nga drejtime dhe hapësira gjeografike të ndryshme, dhe, duke u bashkuar, formojnë “lumin” me ujë të bollshëm e jetëdhënës, të pasur me kripëra minerale, por edhe me jetë e gjallesa të llojllojshme. I ftoj lexuesit e vegjël “të lundrojnë” në këtë lumë, i bindur se do të kënaqen e argëtohen, por edhe do të marrin dije dhe njohuri shkencore, që mbase nuk i kanë ditur më parë.

 

Së fundi, dua të shtoj edhe faktin se fantazia zhylveriane e Bubulinos po bëhet një realitet i kapshëm për të gjithë brezin e lexuesve të vegjël të këtij libri. Këtë po e dëshmojnë arritjet në fushën e fluturimeve për në planetin Mars nga shumë shtete si SHBA, Rusia, Europa, Japonia...

Kohët e fundit, NASA po teston strukturën e anijes kozmike që do të dërgojë njerëzit në Mars, duke planifikuar vitin 2025, si vitin kur njerëzit e parë do të ulen në atë planet.

Image
v