Kadri Tarelli shkruan:SHPEND TOPOLLAJ DHE MITOLOGJIA

Kadri Tarelli shkruan:

                               SHPEND TOPOLLAJ DHE MITOLOGJIA

Në kolanënë e librave të botuara nga shkrimtari, kritiku dhe studiuesi i njohur Shpendi Hulësi Topollaj, shtohet e dhe studimi: “Esse. Rreth shprehjeve mitologjike”.  Libër, që pak kohë më parë doli nga shtypi dhe që hapet me poezinë, “Në Akropol”. Vetë titulli dhe figura e bukuroshes Athina luftëtare, na çon shumë larg në kohë, në mitologjinë e popujve të Mesdheut. Pikërisht aty ku janë burimet e shprehjeve letrare, artistike, filozofike, politike, shkencore dhe shoqërore. Citime të përdorura aq shpesh nëpër kumtesa e studime të ndryshme, më së shumti si figura letrare krahasuese të poetëve, shkrimtarëve, oratorëve dhe dramaturgëve, pse jo edhe nëpër fjalime politikanësh e demagogësh. Ligjërata, që në mënyrë lakonike, edhe kjo fjalë e ardhur nga lashtësia, shprehin thelbin e problemit, shpesh edhe të gjithë librit, shkrimit apo fjalimit.

E pranoj, besoj se edhe të tjerët janë në një mendje, se disa i përdorin këto copëza fjalish, si pjesë të kulturës së tyre, duke i vendosur në shkrim, disa më të zellshëm në oratori, për t’i dhënë më shumë bukuri e forcë artistike fjalës dhe më shumë hapësirë e frymëmarrje mendimit. E gjitha në shërbim të autorit dhe mesazhit që përcjell, për të menduar, se asgjë në botë nuk ka mbetur pa u thënë që në lashtësi, për të na kujtuar, se ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse i përsërisim ato në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm.

Të gjithë lexuesit dhe dashamirët e rreth pesëdhjetë librave të autorit Topollaj, përfshi edhe dëgjuesit e shumtë nëpër takime, tubime e kuvende letrare, artistike dhe shkencore, pa shumë vështirësi kanë dalluar, se çdo shkrim, apo fjalim, dhe këto nuk janë pak, që ai të përdorë aq shumë shprehje, thënie, apo mesazhe nga të mençurit e botës, përfshi këtu edhe nga mitologjia.

Duke pretenduar se deri-diku e njoh krijimtarinë e Shpendit, kam përshtypjen se ky stili i tij i rrëfimit të shtruar, me gjuhë të pastër shqipe dhe frazeologji të zgjedhur, por të ndërfutur aq bukur, është një shkollë e veçantë krijimtarie, për t’u studiuar, pse jo edhe për t’u marrë si model i përkryer, i lidhjes së të tashmes me të shkuarën. Jam i bindur, se Shpendi me modestinë e tij të tepruar, nuk e pranon këtë gjykim dhe përfundimin tim. Unë ia le lexuesit të gjykojë e të vendosë, nëse kam të drejtë.

Lexuesit e shumtë, të nxitur nga bukuria e fjalës, aq sa edhe nga kënaqësia e gërshetit letrar, ngjyer e ushqyer me frymën filozofie, shpesh pyesin, madje ka nga ata, që ia thonë në sy këto mendime: Shpendi, ku e gjen kaq shumë material, aq sa edhe kompjuteri do futej në vështirësi?

- I kam lexuar herët, që në rini, por i kam rrënjosur në kujtesë dhe më pëlqen t’i ve nëpër krijimet e mia. Mendoj se bëj mirë, sepse edhe shkrimi bëhet më i plotë dhe më interesant, - shprehet qetësisht Shpendi.

Kam përshtypjen se janë këto të shumta pyetje, përfshi edhe një shkrim (Esse), kushtuar thënies së shkrimtarit të njohur Stefan Cvajg: “O pushtet me vështrim prej meduze”, që e shtyjnë autorin e këtij libri, t’i hyjë një pune kaq të dëshiruar dhe, të na sjellë në dorë, pikërisht burimin e shprehjeve, që aq shpesh i dëgjojmë apo lexojmë. E gjithë kjo, e sjellë jo thjesht në formë fjalori, apo sqarimi me dy fjalë, por me histori të gjalla, të plota, të ndërthurura imtësisht, me vende, ngjarje dhe personazhe të mitologjisë, shpesh edhe të historisë, të cilën për hir të së vërtetës, Shpendi e njeh aq mirë, sa e përdor, siç i thonë fjalës,  në majë të gishtave. E thënë thjesht: Shpendi me kujtesën e tij të admirueshme, na sjell një pjesë të mirë të mitologjisë e lashtësisë, e cila ka ndikuar në të gjithë zhvillimin e kulturës së popujve dhe të mbarë botës. Qetësisht edhe vetë autori, shkruan në hyrje të librit: “E megjithatë na duket sikur ata kanë qenë mes nesh. Kanë qenë të tillë jo fizikisht, por me virtytet dhe veset e tyre, me anët e mira dhe të këqija, me vlerat e larta morale dhe me pabesitë që kishin, me mirënjohjen dhe intrigat nga më të çuditshmet, me dashuritë dhe tradhtitë, me bukuritë dhe shëmtitë e tyre. Pra edhe ata ishin si ne”.

Pa qenë nevoja të tregoj të gjithë përmbajtjen e librit dhe, pa dashur të kujtoj shprehjen: “Mjafton një gotë, për të provuar të gjithë butin me verë”, po përpiqem të kujtoj disa tituj të shkrimeve: “Shpata e Damokleut”, “Nyja gordiane”, “I dashuruar me veten, si Narcisi”, “Pyetja e Sfinksit”, “Molla e sherrit”, “Shtrati i Prokrustit”, “Kutia e Pandorës”, etj, etj, që bëhen rreth 51 thënie e shprehje në 150 faqe libër. Të gjitha rrëfimet, tërheqin jo vetëm kërshërinë e bëmave të hershme, të kryera nga perëndi e krye perëndi, që nuk ngopen me prapësi, ose nga mbretër e pushtetarë ziliqarë e hileqarë, më tej edhe nga gra të fisme, krenare për mençuri e bukuri, por edhe nga të tjera të ngarkuara me ligësi e tradhti, që fusin në sherr familje, fise, shtete dhe popuj, aq sa vetëm lufta i ndan. Të gjitha së bashku, me tepri ushqejnë kënaqësinë e leximit të tregimeve të rrëfyera aq bukur, letrarisht dhe artistikisht.

Ky libër, i pari i këtij lloji në letrat shqipe, veç vlerave letrare dhe njohëse, ka dobi të shumanshme në përdorimin vetjak, si mjet për plotësim kulture të shkollarëve, sidomos për të rinjtë dhe studentët. Libri është një prurje e dobishme, pse jo edhe një pasuri në thesarin e veprave shqipe, sepse plotëson një boshllëk, jo formalisht të bibliotekave tona, por një mangësi në formimin tonë kulturor. Çdo faqe është një mundësi më shumë, për të lëçitur sa herë kemi nevojë, t’i drejtohemi lashtësisë.

Urime autorit Shpendi Hulësi Topollaj, për këtë vepër me vlera universale, por edhe për të tjerat që do të krijojë në të ardhmen!

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 26, vjeshta e parë, 2019

Image
k