Nga Llesh Ndoj: Histori e traditë- ky është thelbi i krijimtarisë së Tij

Nga Llesh Ndoj, Intelektual, poet

Lezhë

                                       Histori e traditë- ky është thelbi i krijimtarisë së Tij

                         -Rreth romanit “Ulërima”, me autor shkrimtarin Hasan Hasani-Përkola-

Më së shumti, shkrimtari kosovar me origjinë të hershme mirditore, Hasan Hasani-Përkola, njihet për krijimtarinë e tij në fushën e poezisë, asaj për të rritur e për fëmijë, ku ka lëvruar me sukses e shkruar numrin më të madh të veprave të veta, shtrirë në një periudhë kohore pesëdhjetvjeçare. Edhe në këtë drejtim, poezisë pra, kritika letrare nuk e ka thënë sa e si duhet fjalën e vet, as në Kosovë e as në Shqipëri, duke lenë disi “në heshtje” një thesar të vërtetë e një areal të pashoq krijimtarie, kurse për prozën e tij është folur pak ose aspak e kjo është disi e çuditshme, kur u janë thurur lavde pa fund edhe veprave me nivel më se të zakonshëm!

Hasani është një njeri shumë punëtorë dhe, megjithëse mbart krenarinë tipike mirditore në të gjithë qënien e vet, nuk flet për veprat e tij e nuk i “shet” ato! Nuk i shet në kuptimin e mburrjes e të vetlëvdatave as nën çmim e as mbiçmim! Ai, në këtë kontekst është një njeri kokëulur, të cilit i shkon më së shumti për shtat shprehja popullore “Kalliri që është plot nuk e ngrenë kryet përpjetë!”. Dhe nuk është se s’ka me çfarë të mburret: 74 vepra letrare në disa fusha të krijimtarisë në 74 vjet jetë, janë një rendiment i nivelit të lakmueshëm për këdo!

Duhet ta njohësh Hasanin, ta lexosh e dashurosh veprën e tij, të kuptosh thellë qënien e tij si njeri e si krijues dhe të bëhesh si ai, adhurues i të vërtetës dhe i vendit tënd, origjinës tënde, pa komplekse e cmira, që të mund të flasësh e nxjerrësh në dritë veprën e veprimtarinë e tij.

Kuptohet. Duhet edhe të zotërosh mirë teorinë e letërsisë për të folur në terma shkencorë e bashkëkohorë, gjë që mua më mungon se nuk jam specialist i fushës, por zotëroj disa nga “armët” e tjera që të mund të flas: kam lexuar shumë nga veprat e tij; kam njohur e njoh mirë autorin; kam prekur dashurinë e dashamirësinë e tij dhe e kam kuptuar mirëfilli se Hasani është shkrimtar që njeh traditën e historinë e shkruan për to; është shkrimtar që e don vendin e tij dhe shkruan me vërtetësi e dashuri.

Romani “Ulërima” i këtij autori është botuar në vitin 1989, pra prej më shumë se tridhjetë vitesh ai është në duart e lexuesve. Në pamje është një libër i thjeshtë, pa shumë zbukurime, edhe për shkak të kohës kur është botuar por, për nga përmbajtja, ky libër është një kryevepër në plot kuptimin e fjalës. Në këtë roman gjejnë pasqyrim të plotë e në një gjuhë mjaft të bukur e të kuptueshme për lexuesin vitet kur trojet tona kanë kaluar nën Perandorinë otomane, përpjekjet e vazhdueshme e sakrificat për liri e pavarësi kombëtare, intrigat për ta përçarë popullin duke kundërvenë myslimanët kundër katolikëve e presioni për konvertimin e këtyre të fundit në fenë myslimane, si dhe rezistenca e pashoqe që i bëri këtij presioni vllazërimi, mirëkuptimi e toleranca fetare e shqiptarëve, e shprehur kjo më së miri në moton e rilindasve tanë: Feja e shqiptarit është shqiptaria! Gjejnë pasqyrim shumëplanësh në këtë roman trimëria, besa, heroizmi, nderi, pamposhtmëria, heroizmi i pashoq i grave, motrave e nënave tona, solideariteti vllaznor e shumë e shumë të tjera virtyte që e kanë shoqëruar jetën e shqiptarit ndër shekuj, duke e bërë atë që të mos e nënshtroj as pushtuesi e as vuajtja e skamja, që të pranojë vdekjen, por kurrë jo turpërimin! Romani nuk lenë jashtë vemendjes së autorit edhe dukuri negative, të pashmangshme këto për një shoqëri njerëzore, si lakmia, cmira, bashkëpunimi me armikun, karrierizmi e të tjera dukuri që, ashtu siç janë në jetë, edhe në vepër vijnë si veprime e vese të individëve të caktuar e kurrsesi të masës së njerëzve.

Në këtë roman, trojet shqipfolëse janë përfaqësuar me Malsinë e Gjakovës, Kruja me Ulërimën, një fshat i thellë malor ku jetohej, e s’kishte se si ndryshe, përveçse në vllazni e unitet. Nuk mungon as Gjergj Kastriot Skënderbeu, i pasqyruar në heroizmin e burrave e grave ulërimase; nuk mungojnë sakrificat e pashembullta, pasqyruar në njëqind e tetëmbëdhjetë varret e hapura, në një ditë, në një fshat të vogël me shtatëdhjetë shtëpi; gjenë aty nënat burrnesha, përfaqësuar nga Dile Përkola e vajzat që japin jetën, por jo nderin, përfaqësuar nga Mirushe Mulaj. Figura qendrore e të gjithë shtjellimit të ngjarjeve në këtë roman mbeten hoxha Mulla Idrizi e prifti, don Antoni, cilësuar si Paria e këtij fshati e që çdo vendim e merrnin në unison me njëri-tjetrin e pas u shkonte i gjithë fshati. Për të paraqitur vllaznimin mes shqiptarëve, krahas faktit se në fshat ndodhej edhe kisha edhe xhamia, autori ka krijuar një familje-personazh shumë të veçantë, atë të Shpend e Zef Sokolit. Ata ishin dy binjakë, njëri katolik e tjetri mysliman, dhe që familja e tyre e kishte kaluar një shekull pa u ndarë! Vëreni me kujdes: njëri katolik e tjetri myslimanë, vëllezër binjakë, kurrë të ndamë! E ku ka më bukur se kaq?! Dhe shpalosja e kësaj mrekullie shqiptare vazhdon: Familja e tyre kishte dyzet anëtarë, gjysma mysliman e gjysma katolik. I zoti i shtëpisë ishte Shpendi, mysliman, kurse zonja e shtëpisë, e shoqja e Zefit, katolike; ata agjëronin veçmas për Krezhëm e për Ramazan, por festonin në një sofër Pashkë e Bajram! A s’e ka thënë pikërisht kështu edhe At Gjergj Fishta? Lusim na Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë!

Shkrova diku më sipër se prifti e hoxha ishin plotësisht në unison mes tyre, bile edhe pinin raki e hanin mish derri bashkë (!), një figurë e zgjedhur bukur prej autorit që ka të bëj me rrënjët, gjenezën tonë, dhe udhëhiqnin fshatin në të gjithë veprimtarinë e vet, pa i ndërhyrë kurrë njëri-tjetrit në çeshtjet e tyre të brendshme. Atje, në fshatin Ulërimë, gjenin strehë edhe muhaxhirët, njerëz që strehoheshin aty për shkak të përndjekjes nga turqit e që ishin luftëtarë të zot. Kjo, bashkë me unitetin e dy feve atje, nuk mund të pëlqeheshin nga autoritet perandorake. Valiut të Shkupit i shkojnë njëra pas tjetrës disa letra që synonin nënshtrimin e fshatit. Letra shkojnë nga vezirët e Pejës e të Gjakovës, por nuk mungojnë edhe letrat nga qarqet kishtare apo të klerit mysliman, që nuk mund ta pranonin autoritetin e padiskutueshëm të priftit e hoxhës së Ulërimës. Atje, në saje të tyre, njerëzit jo vetëm që nuk shëndrroheshin në mysliman, siç e kërkonte Porta e Lartë, por e kundërta ndodh: përkrahen në lirinë e fesë së tyre secilin individ dhe gjejnë strehë edhe luftëtarët “kaçakë” që i kishin sjellë probleme ushtrisë turke. Fshati nuk kishte paguar kurrë taksa e as kishte lejuar që të hynin forcat turke atje, duke shfrytëzuar edhe terrenin malorë e ku shtigjet hyrëse ishin të pakta e lehtësisht të kontrollueshme! Fiton ai që i zenë i pari ato shtigje! E, pikërisht kjo që kishte bërë të mundur rezistencën e gjatë të ulërimasve, fatkeqësisht u bë edhe faktori kryesor i asaj masakre të tmerrshme që përshkruan libri.

Valiut ia mbushin mendjen se Ulërima duhej nënshtrue dhe se nënshtrimi arrihet duke nënshtruar së pari krenët e saj, don Antoni e mulla Idrizi! Padishahu, thuhet në roman, lëshon fermat të veçantë, të mbajtur sekret, dhe në krye të një ushtrie të madhe të armatosur rëndë edhe me topa (vini re: Një ushtri e armatosur rëndë kundër një fshati-një Perandori kundër një Shqipërie dy pëllëmbë!), pasi zënë natën të gjitha shtigjet hyjnë në fshat dhe bëjnë fushimin përkatës. I dërgojnë don Antonit një pusullë, firmosur nga Ahmet Pasha, mëkëmbësi i Padishahut, ku i kërkohet rrafshimi i kishës dhe përzënia nga fshati e familjeve të muhaxhirëve (dorëzimi i tyre!) duke u lënë njëzet e katër orë afat. Hoxha e prifti mbledhin fshatin tek Lisi i Kuvendit dhe ua bëjnë me dije ultimatumin e pashës, ultimatum që hidhet poshtë njëzëri nga burrat e fshatit. – S’po dashka gja qerratai, thanë fshatarët njëherit! Jo për besë, jo, kjo s’ka me ndodh. Ma mirë të dekun të tanë! Kur kaluan afatet e Ahmet Pashës s’po i shihnin sytë nga fakti se fshati po e shpërfillte forcën e tij duke mos I kthyer përgjigje, shkoi vetë e mori kontakt, si rastësisht, me priftin përsëri. Këtu është momenti të theksojmë se sa bukur prifti e ka fut pashën turk në “kurth” duke e ftuar të vizitojë kishën megjithëse e dinte synimin e tij, ku ai ka shpreh habi me figurat që ka parë në kishë e për të cilat prifti i ka shpjeguar se janë shkrimtar e teolog shqiptarë etj., dhe ai nuk e ka fsheh padijeninë e tij, një kohësisht edhe habinë se si mundet ky vend të ketë njerëz të ditur!Arnautët (sipas turqve) njiheshin si njerëz kaçakë malesh e asgjë më tepër se kaq! Atëherë don Antoni i thotë se nga ky vend kanë dalë mbretër, por edhe anëtar të lartë të adminsitratës turke etj. Pasi bëri sikur e vizitoi kishën nga ku mori edhe përgjigjen se fshati nuk I kishte pranuar kushtet e tij, Ahmet Pasha kërkon mbledhjen e Kuvendit për t’u lexuar fermanin e Padishahut! Vjen ky moment në roman pas një përplasje mendimesh të pashait turk në çadrën e tij, kur pa se nuk iu përgjigjen ultimatumit të parë! Njëri nga këshilltarët e tij i thotë pashës se “çfarë s’e bën arma e bën dredhia”, duke i propozuar planin e mbledhjes së të gjithë burrave nga shtatëmbëdhjetë në shtatëdhjetë në Kuvend, e ku do t’u jepej ultimatumi e do të ndëshkoheshin në se nuk e pranojnë atë!

Meqënëse nuk e pranuat kërkesën e parë e në mënyrë që Naltmadhëria e Tij, Padishahu, t’u falë, duhet me zbatue këtë urdhër të tij: shtatë veta nga ky fshat (muhaxhirët) duhet t’i varni me dorën tuaj në degët e Lisit të Kuvendit!

Njerëzit brofën në këmbë njëherit: - Punë që s’bëhet,  thanë me një za! Atëherë forcat turke i rrethuan e i lidhën shpinë për shpinë të gjithë burrat, duke filluar nga prifti e hoxha, Shpend e Zef Sokoli e me radhë! Tri ditë e net në diell, pa bukë e pa ujë, qëndruan ulërimasit, por nuk pranuan të dorëzojnë asnjë nga fshatarët e vet! Ramë Ukshini (nuk kishte marrë pjesë në mbledhje!), duke dashtë me dalë nga rrethimi e me njoftue forcat e fshatrave fqinj, rrethohet nga asqerët, vret dy me një gur e hidhet edhe vetë nga shkëmbi për të mos u rënë I gjallë në dorë! Mirushe Mulaj vret me sopatë tri asqerë që deshën me e përdhunue në oborrin e shtëpisë e pastaj vdes nga plagët. Bajrush Guri e Pal Gjini (vini re: një mysliman e një katolik!) këndojnë këngë për trimëritë e Ramë Ukshinit e Mirushe Mulajt në Lëndinën e Vuajtjeve (kështu shëndrrohet emri i asaj lëndine ku mbaheshin kuvendet!) edhe pse të lidhur e tri ditë e netë pa bukë e pa ujë; gratë e fshatit organizojnë ceremoninë e varrimit të Mirushes. Pashkja e Palok Camit ka ndezë gjashtë qira: tri në kishë e tri tek vorri i mirë në oborr të xhamisë (!) edhe kjo një figurë e bukur e autorit për të dëshmue unitetin e ulërimasve, pavarësisht fesë së tyre.

Duke parë se as uria e vuajtja në diell pa ujë, pa bukë e pa gjumë në sy nuk i dorëzon ulërimasit, Ahmet Pasha urdhëron asqerët që të vendosin dy litarë në degën e Lisit të Kuvendit. Prifti e hoxha e kuptojnë se ata litarë janë për kokat e tyre, por vazhdojnë të bëjnë hoka e t’ja bëjnë me sy njëri-tjetrit, duke iu rritur moralin burrave të fshatit që të mos ligshtoheshin. Të dy vdesin në litar, buzagaz e me fytyrë nga njëri-tjetri, kurse në Lëndinën e Vuajtjeve rapsodët këndojnë këngë! Askund nuk mund të gjej vend një skenë e tillë veçse në trojet shqiptare! Kur edhe pas kësaj nuk dorëzohen ulërimasit, ushtria i vret të gjithë, plot njëqind e trembëdhjetë burra dhe i len ashtu, as gjallë as vdekur, nën pushtetin e mizave e të krimbave, derisa tërhiqen pastaj prej ulërime duke shpallë triumfin në të gjithë vilajetin, a thua kishin pushtuar ndonjë shtet shumë herë më të madh se perandoria, e jo se kishin masakruar me dredhi një fshat të pa armatosur! Nuk u mjaftuan as me kaq: palçkitën edhe koren e fundit të bukës, bulmetin, rroba e stoli të grave, nxorën nga stallat e vunë përpara me ushtar gjënë e gjallë dhe u vunë zjarrin plot shtëpive e stallave!

Një skenë sa e llahtarshme po aq edhe frymëzuese ajo kur gratë e fshatit, me në krye Dilë Përkolen, ulin priftin e hoxhën e vdekur nga litari, rreshtojnë viktimat, pas tyre, radhë e radhë duke nisur nga Shpend e Zef Sokoli, vra nga asqerët tek i dëgjuan të bisedojnë në kullë për këtë masakër të pashoqe, dhe vendimi për t’i varros të gjithë aty, në Lëndinën e Vdekjes, bashkë, ashtu siç kishin jetuar, ku në krye të ishin don Antoni e mulla Idrizi! Skena të pa para e dëgjuara ndonjëherë askund! Hapen plot njëqind e tetëmbëdhjetë varre njëheri nga fshatarët e fshatrave fqinjë që mbërritën, e kur Dilë Përkola u thotë atyre se as bukë, as bulmet nuk kishin me u shtrue bukën e mortit, gjysma shkojnë e mbledhin ndihma e gjysma kryejnë varrimet! Një skenë tmerri, qëndrueshmërie e solideariteti që vetëm një shkrimtarë si Hasani mundet ta sjellë aq bukur e që vetëm e rrëfyer si ndodhi ndër shqiptarë mundet të bëhet e besueshme!

Romani nuk mundet të përfundonte vetëm me varre shqiptarësh. Dy u vranë nga Ramë Ukshini, tre nga Mirushja, disa u gjenden vdekur në breg të prroit që ndanë fshatin përgjysëm, për të vazhduar, qershia mbi tortë, me vrasjen e Ahmet Pashës në Gjakovë. Ndërsa ai po shpallte me bujë trimëritë e tij e nënshtrimin e Ulërimës dhe pamposhtmërinë e Padishahut, një djalë i ri, bukurosh, vesh në kostum kombëtar, pa iu dridh syri as dora, mespërmes mijëra ushtarëve turq, nxjerrë armën e vret Ahmet Pashën!Vjen ky moment si një epilog i këndshëm i triumfit të trimërisë ndaj çdo force nënshtruese e pabesie!

Në tërësinë e vet, romani lexohet me një frymë, të tërheq e përcjell fjalë pas fjale e faqe pas faqeje, duke mos e pranuar pushimin e shtyrjen “për më vonë”, por as tundimit të herëpashershëm të lotëve që, pa e kuptuar, mundet t’i njomin faqet e librit.

Është një libër i rrëfyer këndshëm dhe që vjen si një ftesë e bukur për t’i njohur e trashëguar ndër breza virtytet më të mira të kombit tonë!

 

Lezhë, më 27/04/2020

Image
b