Nga Llesh Ndoj, intelektual e krijues: Shqetësim atdhetar i sjellë me pasion artisti

Nga Llesh Ndoj, intelektual e krijues.

Shqetësim atdhetar i sjellë me pasion artisti

  • Rreth librit “Gjergj Gjon Kastrioti Kryezoti im”, të autorit Tomë Sokoli     –

Nuk besoj se është e mundur që fjalët tona të përcjellin sa duhet kumtin atdhetar e shqetësimin e autorit  Tomë Sokoli,  sjellë aq bukur  në librin e titulluar “Gjergj Gjon Kastrioti Kryezoti im”, duke dhënë kontribut të çmuar për vënjen e konsolidimin e ndjenjës tonë kombëtare në themelet e integrimit euroatlantik, ku shoqëria mbarëshqiptare synon, megjithatë është e mundur që lexuesve të nderuar t’ua vemë në dukje disa nga momentet e veçantitë e këtij libri.

Që në krye të herës duhet theksuar se autori Tomë Sokoli na ka sjellë në këtë libër një qasje të veçantë e shumë origjinale lidhur me temën, gjë që lidhet edhe me atë që përbën formimin e tij, shpirtin e tij artistik.

Përpara se të mund të qëmtoj disa veçanti të kësaj paraqitjeje dhe në lidhje me to, dua të paraqes disa episode të shkurtëra:

  • Episodi i parë: Viti 2018 u shpallë nga Qeveria shqiptare si viti i Skënderbeut (Gjergj Gjon Kastriotit), në kuadër të jubileut të 550 vjetorit të kalimit  në amshim të Heroit tonë Kombëtar. Krahas evidentimit të vlerave e kontributit të rrallë të Heroit tonë, atë vit, por edhe në vijim, u hapën edhe disa diskutime jo të zakonta për këtë figurë madhore e përbashkuese kombëtare, fatkeqësisht edhe nga shqipfolës (s’ma nxë goja t’u them shqiptarë!), por edhe nga ndonjë i huaj, që në thelb synonim të zhbënin mitin e Tij. E quajtën të shkurtër, luftëtar për fѐ e jo për komb e atdhe, e quajtën joshqiptar, bile edhe terrorist!!! Për fat të keq, shumë nga këto etiketime vinin e vijnë nga brenda nesh, bile edhe nga ata që e quajnë veten historian me emër (U humbt’ fara e emri!), apo analist që goja u flet para mendjes! Pikërisht kjo situatë më pati ngacmuar dhe bëra një shkrim, titulluar “Mos ma prekni Skënderbeun”, të cilin edhe e botova në revistën “Ilyricum”, me redaktor But Nue Jaku, ku në thelb vërtetoja se Gjergj Gjon Kastrioti (Skënderbeu), nga një luftëtar konkret, u shëndrrua në legjendë e, dalëngadalë, në mit, dhe se figura e tij nuk duhet prekur (!), pasi është ndër të paktat figura përbashkuese mbarëshqiptare dhe që i shërben identitetit e unitetit tonë kombëtar më shumë se gjithshka tjetër.
  • Episodi i dytë: Para disa kohësh, me mjetet modeste artistike që zotëroj, hodha në letër edhe një poezi të titulluar “N’ball i prinë kombit tre Gjergja” ku përpiqesha të evidentoja legjendën, sipas të cilës shqiptari edhe nga varri ngrihet për të mbrojtur nderin e motrës e të familjes, personifikuar me figurën e Gjergj Elez Alisë; shpatën, si simbol të luftrave të vazhdueshme që populli ynë ka bërë për liri, personifikuar me figurën e Gjergj Kastriotit; dhe penën, si simbol të ruajtjes së gjuhës amtare e identitetit tonë, personifikuar në figurën e të madhit Atë Gjergj Fishta. Krahas fjalëve e komenteve pozitive, një lexues më kritikoi miqësisht lidhur me Gjergjin e parë, Gjergj Elez Alinë, duke më thënë se edhe “Gjergj Ndoj” mund t’i kisha thënë, por jo Gjergj Alija! U përpoqa t’i shpjegoj se qëllimi është legjenda e morali i saj si dhe lidhja mes tri Gjergjave jorastësorë shqiptar por ai, me të drejtë mbase, këmbënguli se legjenda është e transformuar djallëzisht (jo nga unë, kuptohet!) dhe se pikërisht këtu, tek modifikimi i legjendave, nis edhe modifkimi i historisë tonë kombëtare! Nuk jam larg këtij konstatimi, sidomos kur shoh të bëhen këto përpjekje për figurën legjendare të Gjergj Kastriotit!
  • Episodi i tretë: Mirditori pasionant e krijues, Prengë Cub Lleshi, në një aktivitet promovues të përkthimit frëngjisht të Lahutës së Malsisë, zhvilluar në Lezhë, më dhuroi edhe një librin e vet mbi origjinën e kastriotëve. I njohur prej meje si njeri pasionant, prisja që edhe libri të ishte i tillë, por u “zhgënjeva” shpejt dhe ëmbëlsisht! Në më pak se pesëdhjetë faqe libër, autori kishte rrjeshtuar dokumente nga rreth 160 referenca, nga të cilat konkludohej se origjina e kastriotëve është territori i Mirditës, duke nënkuptuar me këtë një teritor të gjerë, shumë më të gjerë se Mirdita e sotme zyrtare apo etnike, dhe duke vënë kështu një gur të rëndë në themelet e historiografisë për origjinën e kësaj figure të lavdishme.

Gjithë këtë parashtrim e bëj për të ardhur tek libri i autorit Tomë Sokoli, i cili më ra në dorë pikërisht në këtë gjendje shpirtëre e mentale! Kjo më nxiti që të futem menjëherë në leximin e tij, me shumë dëshirë e me kureshtjen se çfarë të reja do të zbuloja nga libri, ç’të dhëna e fakte shtesë do të kishte sjellë autori rreth figurës më përbashkuese shqiptare. Faqe pas faqeje në leximin e librit, gati sa s’po zhgënjehesha, pasi nuk gjeja “atë çfarë kërkoja”!

Autori, sipas mendimit tim modest (unë as që e kam njohur më parë!) i ka ngritur lexuesit një “rreng” të këndshëm: duke shkruar me pasion, gati- gati si në një lirikë të bukur, libri të mban mbërthyer pas leximit, edhe pse heroi që kërkon nuk të shfaqet shpejt! Ai ka zgjedhur që, nëpërmjet fakteve të përditshme jetësore, referuar Prizrenit, qytetit ku autori jeton, por që nuk i përkasin vetëm atij e janë fenomene mbarëshqiptare, të ngrejë shqetësimin serioz se kombi ynë, pas shumë e shumë shekuj  luftërash me armiqtë e jashtëm, sot kërcënohet seriozisht nga një tjetër armik, ai i brendshmi, vetja jonë e transformuar në një qënie që “gëlltit” çfarë i servirin në rendjen e tij drejt pasurimit, duke haruar “shqiptarinë” si themeli e ashti i ekzistëncës tonë. Ka zgjedhur autori të polemizojë me fenë (besimet fetare), jo pa qëllim, pasi ai na zbulon bukur nëpërmjet tyre edhe “diagnozën” e sëmundjes edhe “ilaçin” për shërimin e saj:

Diagnoza: Besimet fetare dhe rendja pas pasurimit po sjellin përçarje ndër shqiptarë;

Ilaçi: Le të besojmë në Krisht e Muhamet, por të gjithë të kemi Kryezotin tonë shqiptar, Gjergj Gjon Kastriotin.

Me shumë të drejtë e me guxim intelektual e atdhetar, autori konstaton se feja është transformuar dhe e ka ndryshuar bazën e vet, ashtu siç kanë ndryshuar edhe kushtet e jetesës materiale e shpirtërore të njerzve ndaj, në se duam të zhvillohemi e të ecim përpara, duhet të qëndrojmë larg dogmave, larg pasurimit me çdo kusht e mjet, dhe t’i kushtohemi shkollimit e qytetërimit, duke ruajtur të paprekura ato që përbëjnë ashtin e kombit: Gjuhën, Flamurin e Herojt tanë,mes të cilësve Gjergj Gjon Kastrioti është Kryezot!

Autori ngrenë, me të drejtë, problemin se edhe shteti i është nënshtruar pseudofesë dhe nuk bën atë që i takon atij në këtë situate e raport. Në vend që të jetë laik e përtej besimeve fetare, jo pak herë ai, me heshtjen e tij të paktën, është vënë në shërbim të një besimi të caktuar fetar! Është me vend të theksohet se edhe në këtë drejtim ka një devijim të madh nga roli e funksioni i fesë dhe raporti institucione fetare-instirucione të shtetit, duke perifrazuar për këtë fjalët fjalët e Jezusit: Jepi Cezarit çfarë i takon Cezarit!

Argumente të shumta e kuptimplota sjellë aturi në këtë libër, që lexohet me një frymë. Çeshtja e emrave, e ceremonive mortore dhe e varreve vjen, me të drejtë, si një shqetësim për fenomene që devijojnë nga ato që përbëjnë origjinën e identitetin tonë shqiptar. Ndoshta autori ka të drejtë kur thekson “…më duket sikur jemi më të rrezikuar se në kohën e pushtimit ottoman, që zgjati mbi pesë shekuj, e mbi një shekull nga sllavët”, pasi tashmë “fronti i luftës” është zhvendosur nga lufta ballëpërballë, në luftë mevetveten, dhe se “…po harrojmë kush ishim, kush jemi e pse jemi këtu ku jemi, e pse Evropa na është bërë si hija që kurrë nuk mund ta zesh’.”

Më ka pëlqyer shumë një argument logjik i autorit kur, në përpjekje për t’i lenë (ashtu siç edhe janë!) besimet fetare në rend të dytë e më tej, pas shqiptarisë e krenarisë kombëtare, thotë se sipas fesë myslimane martesa lejohet edhe në brezni të afërta gjaku (!), kurse sipas fesë katolike, ajo lejohet pas shtatë breznive (!), ndërsa sipas traditës shqiptare, mishëruar në Kanunin e Lek Dukagjinit e jo vetëm, edhe 100 breza në kalofshin në Lisin e Gjakut, martesa nuk lejohet!

I gjithë libri përcjellë shqetësime reale, mesazhe edukative e optimiste, në sintezë të të cilave do të citoja: “Në tokën e arbrit nënat tona kanë lindur e do të lindin Gjergja e Gjergja, që me shpatë e dije, me zemër e gjak shqiptari do ta mbajnë këtë tokë sa të ketë diell e hanë që na bëjnë dritë”.

Autori, pas shumë e shumë fragmentesh, konkludon herë pas here me “Lavdi Gjergjit”, ndaj edhe unë po e mbyllë këtë analizë të shkurtër me faleminderit Tomë Sokoli e Lvdi Gjergjit!

 

Lezhë, 03/06/2020