Ullmar Qvick:O Sokol, jam Ujk Mali!

Ullmar Qvick

 O Sokol, jam Ujk Mali! 

FASLLI HALITI - POEMA 'DIELLI DHE RRËKERAT', NJË POEMË PROTESTË                    

                                                 (Dossier)

Më shumë se 41 vjet më parë, më 16 dhjetor 1972, u botua në gazetën “Zëri i rinisë” poema “Dielli dhe rrëkerat”. Mënjëherë pas kësaj autori u dënua nga diktatura me 10 vjet punë të detyruar: 4 vjet në kooperativë bujqësore dhe 6 vjet në Komunale. Sigurisht iu hoq edhe e drejta e botimit. Çfarë kishte ndodhur? Një grup gjimnazistësh kishin shkruar një kritikë të ashpër. Për ta ajo poemë ishte fryt i “një çoroditje politike e ideologjike dhe na jep një pasqyrë në themel të shtrembër të realitetit tonë,të natyrës së pushtetit popullor dhe të marrëdhënieve të partisë me popullin...”. Sulme të tjera nga kritikë e shkrimtarë i lanë vendin njëri tjetrit. Jehona e kësaj ngjarjeje i kaloi kufijtë e Shqipërisë. Në Paris më 1974 në revistën “Koha e jonë” dënohen këto sulme që i bëheshin poetit dhe botohet e plotë poema që zemëroi pushtetin. Ndërsa një viti më vonë Ernest Koliqi në Itali, në revistën e tij “Shejzat” shkruan se zëri i këtij poeti është mbytur nga partia. Në këtë atmosferë absurdi ku politika shqiptare luan si macja me miun lojën e dosjeve,zbardhja e këtij rasti është veç një copëz nga mozaiku i atmosferës së nderë, i falsitetit, hipokrizisë dhe luftës së çuditshme që zhvillohej në rangjet letrare të diktaturës.

Shkrimin e Ujk Malit, botuar në vitin 1974, në revistën tremujore “Koha e jonë” që dilte në Paris, Ullmar Qvick - është një tjetër intelektual i botës së lirë ( Suedi ) i cili ka vlerësuar poemën «Dielli dhe rrëkerat», e ka përkthyer e recituar atë në një mbledhje dhe është shqetësuar për fatin e poetit në ato vite të ashpra duke e cilësuar atë si disident. Do të rëndisim këtu edhe vlerësime pro dhe kundër të disa shkrimtarëve dhe kritikëve, për poemën “Dielli dhe rrëkerat” si dhe për poemat e botuara vitet e fundit nga poetit Faslli Haliti, për të treguar vazhdimësinë e inkonformizmit të krijimtarisë së poeti që s’ka “zënë ende mend.

***
Fatbardh Rustemi:  Poema “Dielli dhe rrëkerat” një poemë protestë  që shprehte një pakënaqësi të kudondodhur, por e artikuluar poetikisht në këtë poemë, ajo mori deri përmasat e një proteste. Kjo bëri që nomenklatura të tregohej shumë e ndjeshme ndaj saj duke i bërë një akuzë tepër të rëndë për kohën duke u shprehur hapur se në poemë bëhej thirrje që të goditej Pushteti Popullor me gurë, po të mungonin armët. Pra, kemi të bëjmë me një dëshmi të rrallë, ku publikisht, denoncohet rreziku serioz që i vinte shtetit prej letërsisë.

Dhe si hakmarrje ndaj saj Pushteti me levat e veta, bëri gjithçka për të zbutur poetin deri në atë farë feje sa të priste ndonjë elozh të radhës prej tij, por misioni i poemës u krye përderisa ajo u bë shprehëse e një pakënaqësie që në jetën e përditshme mërmëritej prej kohësh. E parë nga e tanishmja, pavarësisht për zgjyrën e terminologjisë, në thelb, poema dëshmon një guxim të lartë qytetar që kërkon një vlerësim të merituar.

Ia vlen të kujtohet që kjo frymë proteste nuk ishte vetëm te poema Dielli dhe rrëkerat, por ajo u parapri dhe u shoqërua me një sërë poezish si “Njeriu me kobure”, “Djali i sekretarit”, “Çifligu”, “Unë dhe burokracia”, “Trembje”, “Zhurma”, “Dobësi”, “Thyerje”, “Edipi”, etj..., të cilat dëshmonin, për një predispozitë, bindje të autorit dhe jo një shkarjen të rastit të tij.

Fatbardh Rustemi ishte një¸ nga poetët e rinj që mbrojti me guxim, me argumente e profesionalizëm në ato vite poemën “Dielli dhe rrëkerat”. Madje ai i shkroi letër Enver Hoxhës se dënimi i poetit Faslli Haliti nga Komiteti i Partisë, Lushnj¸, posaçërisht nga Sekretari i Parë, Rrapi Gjermeni, jo vetëm ishte krejtësisht i padrejtë, por dhe kriminal.

Dalip Greca - Editor i gazetes Dielli

Poezia jote, i dasur Faslli Haliti, gjate te gjithë kohëve ka qenë një ushqim shpirtëror sot dhe dje në kohë të vështirë. Shpirti yt nuk u thye as kur të çuan nëpër kanalet e Myzeqesë "që të pastroje ndërgjegjen nga ndikimet borgjezo-revizioniste".Tek shfletoja koleksionet e Diellit këto ditë ndjeva një rrahje të hovshme te zemrës, kur pashë se Shqiptarët e Amerikës të kishin marrë në mbrojtje në kohëdënimin tënd. dhe gazeta e Nolit dhe Konicës mbronte poezinë tënde. Po keshtu edhe Shenjëzat e Koliqit ishte bërë avokatja jote në botën e lirë.

Rruga e një poeti dhe rruga e kritikës letrare në Shqipërinë e sotme

Nga Ujk MALI

Shëmbulli i shkrimtarit të madh sovjetik Solzhenitsyn, që nderohet dhe çmohet nga lexuesit të të gjithë botës perëndimore, na jep mësimin: sistemi i shëmtuar politik që sundon në Shqipëri mund të sulmohet më me rreptësi, më me bindje, duke u nisur nga pozita më të vërteta komuniste! Ky fakt kuptohet nga çdo njeri anti-doktrinar në qoftë se ai merr parasysh komunizmin thjesht si idè. Shqiptarët që jetojnë në një mërgim politik, me vuajtje të shumta dhe me një urrejtje të zjarrte kundër sunduesve në Tiranë, me zor mund të përfytyrojnë pozitivisht idenë e komunizmit. Por kush mund të mohonte me argumenta bindëse humanizmin e thellë nga i cili buron kjo ide: lirinë, vllazërinë, barazinë ekonomike, kulturale e shoqërore! Fajin e kanë ata, që këtë ide të bukur e kanë shfrytëzuar edhe abuzuar për qëllimet e veta…
Mendime të tilla vërtetohen nga gjendja e mjerë në të cilën po shtypet dhe shpërdorohet letërsia në R.P. të Shqipërisë. Si mjet agjitacioni letërsia gjendet në duart e partisë. Çdo hap në drejtim tjetër dënohet me rreptësinë më të madhe. Partia ka nevojë për një fare kritike po gjithnjë në kuadrin e “tendenciozitetit klasor” apo “partishmërisë”; pra, një kritikë objektive, sado modeste që të jetë, s’mund të zhvillohet në kushte të tilla. Lypset të tregosh përgjysmë dhe jo deri në fund të vargut…

U. Mali  shprehej i shqetësuar:

Do të flasim për poetin e ri Faslli Haliti. Për rrethanat e tij personale nuk dimë gjë. Por fati i tij shqetëson. Gjatë vitit 1973 zëri i tij është mbytur. Ai fliste kundër padrejtësive të shoqërisë shqiptare, ndoshta fliste tepër qartë. Sipas mendimit tonë ai ka krijuar me mjeshtëri një efekt satirik shumë të rreptë, por sa shtrenjtë e pagoi? Nuk e dimë, siç thamë, pas botimit të kësaj poeme ( Dielli dhe rrekerat) ne gazetën" Zëri i rinisë" me 16 dhjetor 1972, poeti nuk duket më si autor ne shtypin shqiptar. Pas një viti ka shkak për shqetësim.  … Për Faslli Halitin – vetëm heshtje. Ra martir, apo? Të kërkojmë përgjigje! Në qoftë se nuk jepet llogari do t'i themi botës: Për një vepër letrare si kjo ( Dielli dh rrëkerat) dënohet me heshtje apo më keq një autor i talentuar në një vend t'Europës në shekullin xx ! Dielli i partisë ndriçon – dhe rrëkerat e tiranisë vazhdojnë.
( revista ''Koha e Jonë'', Paris, janar, shkurt, mars, 1974 )

Do të botojmë këtu, vazhdon U. Mali, disa nga vjershat e Faslli Haliti për të treguar si u zhvillua ai si poet. Në fund të studimit do të ndjekim rrugën e trishtuar të kritikës letrare, që shkon hap pas hapi sipas porosive të partisë fuqiplote.
Në revistën “Nëntori” nr.4, 1972, u botuan 9 vjersha të F. Halitit. Një temë kryesore në to është burokratizmi, marrëdhëniet e sëmura që ushqehen nga njerëzit “me autoritet” dhe ambienti i tyre. Po japim si shëmbuj dy nga vjershat në fjalë, “Djali i sekretarit” dhe “Çifliku”.

Djali i sekretarit

Ju jeni burra.
Mos e fusni djalin e sekretarit
Klubeve, pastiçerive, kafeneve.
Mos i jepni cigare me filtër,
Mos ia zverdhi dhëmbët dhe gishtat
Mos e mësoni me birrë,
Me verë,
Konjak
E raki,
Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë
Ai është ende i mitur,ende i ri,
Vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.
Ju jeni pleq.
Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,
Djali i sekretarit nuk është vaksinë,
Nuk është tel përçues i tensionit të lartë.

ÇIFLIKU

Reforma agrare i zhduku çifliqet,
i ngushtuan oborret kooperativistët.
Por mbeti në ndërgjegjet individuale, në shpirt,
çifliku i miqësisë,
çifliku i shoqërisë.

Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve,
shëndoshen deshët rudakë të favoreve.
Kali i zi i hatereve bredh
dhe ik e ndale ti po deshe dot,
të turfullon në fytyrë,
të shkel me këmbë,
të merr përpara me gjoks.


A don të thotë poeti se “gutta cavat lapidem” (pika e ujit çpon gurin) apo – me satirè – se po shpiken reforma, por “çifliku”, padrejtësie e sistemit, vazhdon? Me paqartësinë në vjershë mund të thuhen shumë gjëra! Të lexohen me shumë kujdes në poemën e fundit të poetit fjalët e vargjeve si edhe fjalët midis vargjeve! Sipas mendimit tonë ai ka krijuar me mjeshtëri një efekt satirik shumë të rreptë, por sa shtrenjtë e pagoi? Nuk e dimë, siç thamë, pas botimit të kësaj poeme në gazetën “Zëri i Rinisë” më 16 dhjetor 1972, poeti nuk duket më si autor në shtypin shqiptar. Pas një viti ka shkak për shqetësim.
Çdo vëzhgues me një njohuri sado të pakët në çështjet e brëndshme shqiptare mund të kuptojë çfarë shqetësim ka shkaktuar një poemë e tillë. Ajo trajton një problem të pranueshëm (burokratizmin) por me iluzione të palejueshme (rolin e partisë). Do të japim disa pjesë nga kritikat letrare të botuara rreth kësaj poeme, pa koment, vetëm me disa nënvizime, sepse gjykimet mund të bëhen me lehtësi nga lexuesit vetë. Grupimi i kritikave është bërë nga ne.

Image
e