Kadri Tarelli: NJË JETË KUSHTUAR SHKOLLËS, EDUKIMIT DHE KRIJIMTARISË LETRARE

Kadri Tarelli

NJË JETË KUSHTUAR SHKOLLËS, EDUKIMIT DHE KRIJIMTARISË LETRARE

                             Mësuesi, gazetari dhe shkrimtari Bashkim Saliasi

Këto dit vjeshte, mes tetori 2019, kolektivi mësimor i shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”, në Babru-Fushë, Bashkia Kamëz, organizoi një veprimtari festive në një lokal në rrëzë të malit të Dajtit, për nder të kolegut nëndrejtor CL, z. Bashkim Saliasi, dhe mësuese e CF znj. Floresha Bilo, të cilët dolën në pension.

_Veprimtarinë e vlerësuan dhe e nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Drejtori i Zyrës Arsimore Vendore Kamëz, z. Gentjan Murataj; Shefi i Burimeve njerëzore, Sulejman Keta; Specialisti i kurrikulës, shkrimtar dhe publicist, Andon Andoni; Shkrimtari i mirënjohur për të rritur dhe fëmijë, vlerësuar me çmime të ndryshme në fushën e letërsisë, miku i shkollës Viron Kona; psikologja e ZAK-së Fatjona Radhima dhe Kadri Tarelli, si mik i ardhur nga Durrësi.

Drejtoresha e shkollës, znj. Merita Prenga, drejtuese energjike me oratori të përkryer, përshëndeti në emër të kolektivit mësimor, miq e të ftuar dhe kolegë të dy mësuesve që dolën në pension: “Respekte e mirënjohje për të ftuarit, që na nderuan jo vetëm me prezencën e tyre, por dhe me përshëndetjet e tyre tepër miqësore për misionarët e dijes, Mësuesit”.

Ajo vlerësoi lart punën me përkushtim dhe profesionalizëm të dy kolegëve, duke uruar shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, njëkohësisht kërkoi, që kolegët e nderuar të mos shkëputen nga veprimtaritë e shkollës, ku do të jenë përherë të mirëpritur. Një urim të veçantë dha për Bashkimin, që ta vazhdojë punën krijuese në dobi të shkollës dhe arsimit shqip.

Shkrimtari dhe studiuesi z. Viron Kona, si mik i vjetër i kësaj shkolle, përshëndeti të pranishmit, duke i kushtuar një fjalë plot nderim e mirësi krijuesit dhe gazetarit të njohur Bashkim Saliasi:

I nderuar miku ynë i veçantë!

Është një nder ky takim kaq i bukur. Kur të duan dhe të respektojnë kolegët e punës me të cilët ke punuar, ke bashkëpunuar dhe ke ndarë shqetësime e suksese të përbashkëta, atëherë ndihesh më shumë se i lumtur, ndihesh i vlerësuar.

Kur del njeriu në pension, për pak çaste secili përfytyron jetën dhe punën e tij, sigurisht edhe moshën, të cilën nuk e ndalim dot, sepse ajo vërshon si lumi dhe nuk na pyet, por ne kemi mundësi që ta jetojmë ashtu siç duhet, t`i vendosim asaj «diga» që të prodhojmë sado pak dritë dhe mirësi për vete, për familjen dhe për shoqërinë. Cilido që lëshon dritë, është i respektuar dhe i dallueshëm. Edhe një bukureze (xixëllonjë) vlerësohet, sepse ndriçon qoftë edhe një çast errësirën e natës dhe, jo më njeriu që sakrifikon dhe shkrihet gjatë gjithë jetës, përkushtohet e mundohet për pakëz dritë, për të ecur i ndriçuar dhe i orientuar, për të ndihmuar veten, familjen e dashur, kolegët dhe miqtë, të gjithë shoqërinë.

E ka kryer këtë detyrë Bashkimi në vitet e punë dhe të jetës, në shkollat ku ka punuar: si në Skrapar, edhe në Tiranë, e veçanërisht unë kujtoj shkollën »Niko Hoxha» të Valiasit dhe tani në mbyllje, shkollën «Vllëzërimi», emërndritur dhe emërbukur. 

Pata fatin ta njohë Bashkimin në vrullin e punës kur botonim gazetën «Mësuesi», atëherë kur Bashkimi sillte atje mendime dhe artikuj plotë jetë, freski dhe gjallëri nga shkolla ku punonte. Ai na e sillte shkollën në gazetë dhe ne i ishim mirënjohës, sepse një gazetë nuk e bënë një staf, sado i përkryer, por e bënë një staf i mirë me bashkëpunëtorë të mirë.

Juve e njohët Bashkimin në shkollë: edhe gjatë procesit mësimor, edhe jashtë tij, veçanërisht njohët ritmin dhe dashurinë e tij për pedagogjinë dhe nxënësit, për shkrimtarinë e tij dhe pasionin për librat.

Vlerat e Bashkimit për të botuar vepra publicistike dhe letrare kanë qenë dhe janë një arritje origjinale e tij. Po aq, edhe planet, projektet dhe ëndrrat për të shkruar edhe në të ardhmen. Nuk mund t`i bëjmë dot të gjitha në jetë, por nëse bëjmë më të mirën tonë, atëherë kemi bërë gjithçka.

Duke realizuar më të mirën e tij, Bashkimi është sot ndër të përzgjedhurit tanë, na nderon dhe na bënë krenar me miqësinë e tij.

Tani miku ynë është përpara një starti të ri, ku me siguri do të vijojë të ecë me energji dhe projekte të reja, për të kryer vepra të tjera humane dhe shkrimore.

Të urojmë miku ynë Bashkim, pension sa më të gëzuar, ty së bashku me familjen! Të urojmë jetë të gjatë, edhe 100 vjet të tjera, por edhe 100 vepra të tjera publicistike dhe letrare: Urime dhe falënderime të gjithëve ju, kolegë të dijes dhe të kulturës!

Në këtë kuvend festiv, ku vazhduan gjatë, urimet e fjalimet, vallja, kënga, recitimet, shkëmbime e dhurime librash, edhe unë Kadri Tarelli thashë fjalën time; Më takonte si mik i vjetër i ardhur posaçërisht nga Durrësi:

- Përshëndetje miku ynë z. Bashkim! Jemi miq të hershëm, që na njohu dhe na miqësoi gazeta “Mësuesi”, ku shpesh takoheshim në mjediset e redaksisë, kur çonim shkrimet tona modeste. Çuditërisht dhe mirësisht ndoqëm të njëjtën udhë, udhën e bukur të publicistikës, krijimtarisë letrare dhe botimit të librave. Jam i nderuar që ndodhem në këtë takim mbresëlënës, të cilin e quaj “Kuvend festiv” mes mësuesve, të cilëve u thërras me gojën plot: “Misionarë të dijes”. Edhe ju jeni një misionar i dijes.

Urime miku ynë! Urimet nuk do të pushojnë edhe për shumë kohë, pasi të gjithë miqtë e shokët, veçanërisht nxënësit e tu, do të kenë përsëri mundësi të të urojnë për librat dhe shkrimet e tua. Shëndet dhe penë të begatë! Kurdoherë qofsh mes miqsh e shokësh, që vlerësojnë punën, përkushtimin, ndershmërinë dhe krijimtarinë tënde!

Mbase nuk them gjë të re, por krijuesit nuk e përfillin moshën e pensionit, madje Heminguej dikur thoshte: “Pensioni është fjala më e shëmtuar në gjuhë”. Vërtet ke kohë me bollëk, por do ta ndjesh se nuk të mjafton, aq sa edhe kafen kur do ta pish, do ta quash kafe pune.

Atmosferën festive e ndezi edhe një herë Çaush Kullafi, mësues i kësaj shkolle, kur recitoi vargje kushtuar heroit të festës, Bashkimit:

Kurorë me urime, profesor Bashkimi!

Merr sot nga kolektivi i shkollës Vëllazërimi. 

Orët kaluan shpejt, pa u ndjerë dhe pa e zbehur gëzimin e festës.

Ishte kënaqësi për mua, kur Bashkimi më dhuroi librin e tij të fundit: “Shkolla Vëllazërimi”, një libër historik, kushtuar mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle.

Shëndet të plotë, jetë të gjatë e të gëzuar, i nderuar koleg!

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 19, vjeshta e dytë, 2019

Image
b