NDUE DRAGUSHA, FRAN  GJOKA:PROFESOR AS. DOKTOR MARK VUJI, NJË EMBLEMË PËR T’U FRYMËZUAR, PËRPUNUES I SAKTË I PRAKTIKËS SHKENCORE

PROFESOR AS. DOKTOR MARK VUJI, NJË EMBLEMË PËR T’U FRYMËZUAR, PËRPUNUES I SAKTË I PRAKTIKËS SHKENCORE

NDUE DRAGUSHA

FRAN  GJOKA

LEZHE

-Në kujtim dhe respekt të emrit dhe figurës së Tij-

(Ne 5-vjetorin e ndarjes nga jeta)

 

Çdo kohë ka heronjtë e saj, ka vlerat, të cilat rrjedhin prej njerëzve që i mbartin dhe i transmetojnë në vijimësi ndër breza. Dhe heronjtë nuk kanë lindur të tillë, por koha dhe rrethanat i kanë nxitur që të japin maksimumin e aftësive të tyre për të mbetur të pavdekshëm.

Një ndër këta “heronj”, që punoi me një përkushtim të madh dhe vëmendje profesionale në fushën e arsimit dhe të edukimit, duke krijuar praktika shkencore dhe duke i zbatuar ato, është dhe “Mësuesi i Popullit”, Prof. Dr. Mark Vuji, shembulli më i mirë i një studiuesi dhe i një pune shumëvjeçare të një didakti dhe psikologu, i cili për vite e vite me radhë punoi me objektiva të caktuara për të futur në filtrat shkencorë, pedagogjikë dhe psikologjikë të gjithë përvojën e punës së tij dhe të kolegëve, me të cilët punoi për shumë vite, të studiuesve, mendimtarëve dhe shkencëtarëve të vjetër e të rinj, duke krijuar kështu një tërësi praktikash shkencore të zbatuara dhe të provuara ndër vite, duke prodhuar modele pozitive dhe të përparuara, prej të cilave vazhdojnë të rrjedhin dhe traditat kërkimore në fushën e studimeve pedagogjike dhe socialpsikologjike, në të cilat shpaloset forca e argumentit, qartësia e objektivave dhe e rrugës nga duhet të kalojë një proces i tillë.

Prof. Dr. Mark Vuji ishte një vëzhgues i kujdesshëm për vite e vite me radhë në fushën e arsimit, ku mblodhi, ballafaqoi dhe zbatoi në praktikën e gjallë gjithë materialin shkencor psikopedagogjik, duke përpunuar me kujdes gjithë praktikën e shumë viteve dhe shtroi si detyrë para mësuesve, prindërve dhe nxënësve përfshirjen e tyre, për të arritur tek suksesi në punën me fëmijët përmes njohjes së sistemit të tyre  biologjik individual, sistemit psikologjik dhe sistemit social, me qëllim që të kuptohet pozicionimi i qenieve njerëzore në ambientin social ku bën pjesë, mundësitë që krijon ky rreth për plotësimin e nevojave të ndryshme dhe zhvillimin e individëve pjesëmarrës.

Kjo shkallë zhvillimi kërkonte universalizim kulturash, bashkëpunime disiplinash shkencore, harmonizim ideshë dhe objektivash drejt një vizioni të përbashkët global, për një botë më paqësore, me njerëz të vetëdijshëm për rolin që kanë në një botë të tillë dhe për këtë Prof. Dr. Mark Vuji punoi gjithë jetën me një dashuri prindi, seriozitet e përkushtim shkencëtari, bindje të thella e të vetëdijshme shkencore dhe vullnet të papërkulur titani, duke bërë të dallueshëm qytetarin e devotshëm, njeriun që di të krijojë sistem vlerash të studimit dhe të bashkëjetesës sociale në shoqëri, ndryshe nga njeriu me interesa të ngushta me përfitime personale.

Profesor Doktor Mark Vuji nuk vuajti asnjëherë nga ndjenja e pasigurisë, sepse gjithçka e planifikonte me kujdesin më të madh, por edhe kur i dilte rrugës diçka e re e paparashikuar, ai i kushtonte vëmendje të madhe dhe e studionte me kujdes. Atij  nuk i mjaftonin vetëm faktet që kishte mbledhur për punën shkencore, por ai kërkonte që t’i vërtetonte gjithmonë këto fakte, t’i shihte, t’i prekte dhe t’i ndjente gjatë praktikës së gjallë, t’i konsultonte me kolegët, me studentët, me prindërit dhe me qytetarët, me të cilët kishte përherë një komunikim shumë cilësor.

Për të nuk mjaftonte të jeshë i mirë, të bësh mirë dhe të jeshë i vlerësuar për sjelljen tënde etike, por të punosh në mënyrë të përhershme dhe me punën tënde të bësh mirë dhe të vlerësohesh nga ajo që bën realisht dhe që i vlen shoqërisë, duke i dhënë asaj vetveten.

Kështu e njohëm Profesor Doktor Mark Vujin, me të cilin ndamë një pjesë të mirë të kohës në studimet shkencore të viteve të fundit të jetës së tij dhe nga ku mora “limfën” e jetës dhe disa praktika shkencore të mrekullueshme, që vetëm ai që ka punuar me Profesor Markun i kupton dhe përjeton, sepse ai ishte njeriu që nuk kursehej, nuk pushonte asnjëherë dhe kishte një sistem të strukturuar pune me objektiva dhe parametra të qarta.

Profesor Marku, vitet e fundit, u ndalua më shumë tek dy dukuri të fuqishme psikopedagogjike, të cilat lidhen organikisht njëra me tjetrën: Vizioni Mësimor dhe Vetëvlerësimi Mësimor. Ai u investua maksimalisht në këto dy strategji të fuqishme të mendimit dhe të veprimit aktiv, kritik e krijues, që mbështeten në katër dhuntitë njerëzore: Vetëdija, Ndërgjegja, Imagjinata dhe Vullneti.

Nuk është rastësi që Profesor Doktor Mark Vuji i solli shkollës sonë një sërë studimesh me vlera praktike shkencore, si: “Një kolektiv që lufton për përsosjen e metodave mësimore.” (Me bashkautorë). “Mbi kontrollin e punës mësimore dhe edukative në shkollë.” (Me bashkautorë). “Probleme të organizimit të punës bujqësore.” (1983). “Përvoja jonë për revolucionarizimin e metodave mësimore.” (1972). “Pedagogjia për shkollat e larta.” (Kapitulli i 15 – të për metodat aktive, kritike e krijuese). Tiranë, 1985. Didaktika (Tekst universitar). Kapitulli i 11-të “Mbi metodat e reja mësimore”. Tiranë, 1986. “Diskutimi si metodë mësimore.”, “Mihal Duri”, Tiranë, 1986. “Si mund të mësohet në mënyrë aktive, kritike e krijuese.”, Tiranë, GEER, 1999. “Drejt vetëmësimit dhe vetëformimit intelektual përmanent.” GEER, Tiranë, 2003. “Zhvillimet kulturore e arsimore para e pas Kuvendit të Arbërit në Dioçezën e Lezhës.” (2005). “Filozofia Arsimore e Akademikut Gjergj Fishta.” Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2007. “Vetëvlerësimi Mësimor.” GEER, 2012 dhe “Vizioni Mësimor”, Mirgeeralb, Tiranë 2015. Përveç këtyre, Profesori ka botuar shkrime dhe tema studimore me shumë vlera në të gjitha organet e shtypit të shkruar shqiptar dhe jashtë Shqipërisë, të cilat janë vlerësuar shumë jo vetëm nga lexues të zakonshëm, por dhe nga studiues të ndryshëm në fushën e arsimit dhe të edukimit.

Në studimet e tija, Profesor Doktor Mark Vuji sillte referenca nga sudiues, pedagogë, psikologë dhe filozofë të ndryshëm, që kishin kontribute shkencore lidhur me shkollën e jetën, veçanërisht në rolin dhe forcën e edukimit, në mundësitë për të integruar vetëvlerësimin në proçesin mësimor dhe edukativ dhe për të orientuar dhe shfrytëzuar vizionin personal dhe kolektiv. “Laboratori” i punës së tij ishte jeta e gjallë, shkolla ku punonte, mësuesit me të cilët ndante gjithë arritjet, nxënësit, të cilët i kishte shumë për zemër dhe që në punimet shkencore ngulmonte që të sillte vlerat reale, psikologjinë dhe frymën e moshës së tyre. 

Nuk mund të harrojmë kohën kur punuam së bashku në shkollën e Mesme Private “Matia” të qytetit të Lezhës, ku Profesori ishte Drejtor. Çdo ditë diskutonim për çdo detaj që dilte në punën mësimore dhe edukative në këtë shkollë. Kontaktet me studentët ishin kaq prindërore nga mënyra se si i trajtonte problemet, se sa konkrete i sillte faktet dhe se me sa vëmendje i dëgjonte ata, duke i bërë pjesë e vetëdijshme e procesit.

Përherë mendonte se si ta bënte nxënësin një vetëveprues të ndërgjegjshëm, një pjesëmarrës aktiv në mësim dhe në jetën e veprimtarinë e shkollës. E gjithë veprimtaria e tij në lidhje me nxënësit kishte brenda filozofinë e dashurisë reciproke mes mësuesit dhe nxënësit me motivin që mësuesi duhet që të preket nga dashuria e pakufi e këtyre nxënësve, me qëllim që të bëhen njerëz të lirë, për të arritur dijet dhe për të ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të shpalosen vlerat e secilit, me një vetëvlerësim maksimal, duke i ndihmuar që të qartësojnë vizionet e tyre personale dhe sociale, të përgaditur për përballimin e sfidave të shekullit të ri. 

“Mos e lejo veten kurrë që të plakesh!” Leximi i vazhdueshëm dhe studimi shkencor të mbajnë përherë të ri.”, - thoshte ai. Ai ishte shkencëtari i vendosur për të realizuar objektivat shkencore të studimit, por dhe njeriu, të cilit i mbusheshin sytë me lotë kur fliste për prindërit e tij, për historitë e dhimbjes njerëzore në familjen e tij, për motrën e tij, Marien dhe merakun e përjetshëm të saj për të si vëlla. Lotët e Profesorit kishin brenda mallin, pamundësitë që krijon jeta për t’i parandaluar, dhimbjen e thellë, dashurinë e pakufi, brengën e mbetur brenda qenies së tij për vuajtjet e familjes së tij, për sakrificat që kishte bërë në jetë për të arritur deri tek Profesor Doktor Mark Vuji. Kishin brenda këta lotë rininë e tij të dhimbshme, shqetësimin për nipërit dhe mbesat, merakun për kujdesin e pakufijshëm që i kushtonte motra e tij e mirë, Maria. Eh, sa shumë gjëra “notonin” në lëngun e pastër të lotëve të tij. Nuk mund t’i harroj ata lotë, të cilët dhe sot më rikujtojnë figurën madhështore të Profesor Doktor Mark Vujit.

Profesor Marku ishte gjithmonë mes njerëzve: mes mësuesve, studentëve, mes jetës reale, duke ofruar në çdo moment prezencë, vëmendje, dëgjim, kuptim, empati, nxitje, besim, respekt, siguri, qetësi dhe secili kishte dëshirë të qëndronte pranë tij, të mësonte, të diskutonte dhe të frymëzohej dhe kjo ia rriste përherë vlerat dhe përmasat intelektuale të kësaj embleme frymëzuese. Ai kishte një informacion të shumtë, fituar nga jeta dhe nga studimet, përpunuar në “laboratorin” e mendjes së tij brilante, duke i ruajtur në kujtesën e tij të shkëlqyer, të cilën e kishte të freskët deri në çastin kur u nda nga kjo jetë.

Profesor Marku ishte një sistem i plotë dijesh, me një potencial të jashtëzakonshëm intelektual dhe profesional, me një eksperiencë dhe intuitë shumë të madhe dhe që bënte në mënyrë të vazhdueshme përpjekje që këto dije të shkonin tek njerëzit e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Por nganjëherë pavëmendja institucionale dhe vetëdija shoqërore, ku ndodhen potenciale të tilla, si profesor Marku, nuk u krijojnë kushte dhe mundësi që këto potenciale të shfrytëzohen maksimalisht në dobi të zhvillimit dhe progresit social.

Ai ishte pjesë e realitetit tonë, ishte mes nesh, por më së shumti ai u mbështet dhe përkrah nga kolegët e tij, nga qytetarët e interesuar për përparimin e fëmijëve të tyre, nga disa institucione vendore, sepse madhështia e tij dukej se i eklipsonte mediokrit dhe mediokritetin e atyre që kishin mundësi të bënin diçka më shumë, por gjithsesi ai mbeti përherë Profesori i nderuar, “Qytetari i Nderit”, “Mësuesi i Popullit” dhe kapaciteti i tij intelektual dhe shkencor u bë pjesë e zhvillimeve profesionale në fushën e arsimit dhe të edukimit, studimet e tija shkencore ishin dhe mbeten të një niveli të lartë shkencor. Institucionet shqiptare kishin mundësi të bënin më shumë për profesorin e nderuar, kishin  mundësi të lehtësonin kushtet e punës së tij, të vlerësonin dhe përjetësonin imazhin pozitiv të një shkencëtari, që nuk kërkonte kurrë rehatinë e tij personale, që punoi në heshtje, i privuar nga shumë nevoja të domosdoshme, për të lehtësuar punën e tij kërkimore, i privuar nga mjetet financiare për botimet e tija dhe i lënë pothuajse plotësisht në harresë në promovimin shkencor të punës së tij titanike.

Kjo gjë nuk e demotivoi Profesor Mark Vujin që të vazhdonte pa u ndalur në rrugën e tij të studimeve, analizave progresive dhe deduksioneve shkencore drejt qëllimit dhe objektivave që ai i kishte vënë vetes. Shtëpia e tij ishte kthyer në një studio shkencore, ku përpunoheshin ide dhe projektoheshin libra të rinj, përherë e më cilësorë, ku kujdesi dhe meraku i profesorit ishte gjithmonë prezent në vlerat që duhet të mbartnin. Kjo gjë e bëri që gjithsesi vlerat e tij të ndrijnë, të mësojnë, të udhëheqin dhe të frymëzojnë vazhdimisht, për të mos mbetur thjeshtë një kujtim i një kohe të shkuar, por një emblemë e domosdoshme për t’u frymëzuar jo vetëm për ne që e njohëm dhe bashkëjetuam në kohën e tij të madhe, por dhe për të gjithë ata breza që do ta lexojnë dhe ta studiojnë Sfinksin e Mendjes Shkencore, Mjeshtrin e Dijeve, Njeriun e Papërkulur, Mikun e Madh të mësuesve dhe studentëve, Profesorin e dashur, Doktor Mark Vujin.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!

Image
m