Nga Bashkim Saliasi: Reportazh

Nga Bashkim Saliasi

   Reportazh

                            Fëmijët, yjet më të bukur dhe më të ndritshëm

1.

Takimi u  zhvillua më 13 Maji, me kërkesën e mësueses së gjuhës shqipe znj. Shefkije Allkja.

-Nxënësit kanë lexuar në vite libra për fëmijë të shkrimtarit Viron Kona dhe, nëse mundeni, ta ftojmë për një bisedë letrare. Ata e dëshirojnë shumë takimin me atë shkrimtar, - më tha mësuesja në fillim të muajit.

E bëra me dije mikun tim Viron Kona dhe, ai, si nga hera i gatshëm për të qëndruar disa çaste mes fëmijëve, për të dëgjuar mendimin e tyre rreth krijimtarisë së tij dhe librit dhe për të bashkëbiseduar ngrohtësisht.

Në ora 11.00 dola dhe e prita shkrimtarin e njohur te stacioni i autobusit “Kafe e  Rremës”. Pasi pimë kafen e mirëseardhjes, e shoqërova në ambientet e shkollës sonë Babrru-Fushë, që mban emrin  “Vëllazërimi”. Që në hyrje ai u mrekullua dhe nuk gjente fjalë për të na falënderuar, si për pamjen dhe bukurinë e shkollës, por veçanërisht për mini-bibliotekat e ndërtuara në këndet e korridoreve, që nga kati parë deri në të tretin. Ndjeja kënaqësi nga fjalët e Vironit sepse, përpos të tjerave, ai ka qenë edhe vet drejtor në disa shkolla të kryeqytetit dhe, natyrisht edhe me përvojë, veçanërisht si drejtor në shkollat:               

“4 Dëshmorët”, “Asim Vokshi” e gjuhëve të huaja,  në gjimnazin “Ismail Qemali”, Tiranë, por edhe si ish punonjës i Ministrisë së Arsimit deri sa doli në pension...

-Prit, prit se ka edhe më, sepse ne çdo ditë po pasurojmë bibliotekën e shkollës me libra të dhuruara nga miq dhe shokë, - i thashë.

Në katin e tretë na priti drejtore e shkollës Merita Prenga, e cila pasi i uroj shkrimtarit mirëseardhjen, së bashku shfletuan dhe realizuan një foto me librat dhuratë të vendosura në këndin përballë drejtorisë.

Drejtoreshë  Merita i tregoi shkrimtarit, njëherazi mik i shkollës sonë,  se edhe nëpër klasa kemi ngritur këndet e librit ku nxënësit sjellin libra dhe i shkëmbejnë midis tyre...

2.

-Sa herë vijë këtu, ndihem i emocionuar, - e nisi bisedën shkrimtari, - por edhe i përgjegjshëm sepse  di që ju jeni lexues shumë të mirë dhe cilido që vjen e bisedon me ju duhet të jetë më shumë se i përgatitur. Ndërkaq më vjen mirë që ju shohë  me pamje kaq të bukur dhe në këtë klasë të pastër, të kompletuar me shije dhe me pamje magjike. Por, bukuria më e madhe jeni ju fëmijë dhe, kjo, më bën të ndihem i lumtur që do të bashkëbisedojmë. Me këtë rast dëshiroj t`ju falënderoj për ftesën. I jam mirënjohës edhe drejtoreshës së shkollës znj. Merita Prenga, edhe n/drejtorit, mikut tim Bashkim Saliasi për fjalët e ngrohta që shprehën për krijimtarinë time.

Drejtoreshën e përgëzoj edhe për përkushtimin e  saj të rrallë ndaj shkollës që drejton, kurse n/drejtor Bashkimin e përgëzoj edhe si publicist e shkrimtar për pasqyrimin mbresëlënës që i bënë shkollës dhe aktiviteteve me artikujt e tij mbresëlënës. Ju, të gjithë, keni preferuar gjithnjë që në shkollë të vijnë sa më shumë miq të librave, vendas dhe të huaj, siç ka qenë rasti i ardhjes këtu te ju të një grupi shkrimtarësh të njohur nga Suedia. Dhe, mendoj se keni të drejtë sepse shkolla është vend i dijes dhe i librave.

Dëshiroj t`ju them se ndër porositë e mia të para është që t`i doni shumë mësuesit, sepse ata janë për ju të shtrenjtë ashtu si dhe prindërit tuaj. Do  kalojnë vite dhe mësuesit do t`i sillni ndërmend në biseda, do t`i kujtoni me mall, ashtu si edhe shoqet e shokët tuaj me të cilët ju ka bashkuar kjo klasë dhe kjo shkollë emër-ndritur “Vëllazërimi”.

3.

Mësuese Shefkia shtypi tastin e mikrofonit dhe nën tingujt e muzikës të gjithë pjesëmarrësit kënduam Himnin Kombëtar. Më pas, dy prezantuesit dhe drejtuesit e bisedës letrare Sara Therçaj dhe Serxhio Gjypi prezantuan krijimtarinë letrare të shkrimtarit Viron Kona, duke veçuar disa nga tituj e librave të tij më të parapëlqyer nga lexuesit  e vegjël. E midis tyre ata përmendën ciklin e librave  mbresëlënës “Bubulino”,  “Drithërimat e  yjeve”, librat “Dardi”,  “Mësues pse  e ke hequr kollaren?”, “Rruga Mis Durham”, “Kolipoci, ngrënësi i qershive”, pastaj dhe librin me epigrame “I zemëruari”, tek i cili përqendruan më shumë bashkëbisedimin.

E para recitoi nxënësja e klasës së VI-A, - Elma Hoxha, epigramën me titull “Shqipëri”, ku autori shkruan:

“Shqipëria - ëndrra dhe shpresa,/vendlindja e bukurive të Dheut,/këtu ndihem i lirë si shqiponja,/këtu ndihem i fortë si Anteu!”

Pas recitimit, ajo i drejtoi shkrimtarit pyetjen:

-Cili është motivi me të cilin jetoni?

Viron Kona: Mendoj se njeriu nuk duhet të kalojë në jetë pa u ndjerë, ai duhet të lërë një gjurmë të vetën. Edhe unë mundohem që me krijimtarinë time të lë diçka, jo me fjalë boshe, por me vepra. I shikoni yjet në qiell, ata janë shumë, miliona dhe miliarda dhe bashkërish e ndritin të gjithë qellin. Dëshira e çdo shkrimtari është që, edhe ai të bashkojë veprën e tij me të tjerët, të mundohet të bëj edhe ai dritën e tij dhe, ashtu si yjet i japin dritë qiellit, figurativisht, edhe shkrimtarët, me veprate  tyre të çmuara t`i japin më shumë dritë jetës...

Ne të gjithë jemi varg të një zinxhiri vezullues, me një fillim të hershëm dhe të pafundmë. Para nesh janë prindërit tanë, janë gjyshërit, janë stërgjyshërit dhe kështu nëpër kohë kanë kaluar breza pa fund. Ne, njëherazi jemi një stacion, pas nesh do të vijë vazhdimi ynë, ndaj le të jemi hallkë lidhëse e ndritshme, le të lëmë një gjurmë vezulluese me qëndrimin, punën dhe përpjekjet tona. Kështu i shërbejmë vetes, familjeve, shoqërisë, atdheut...

Ju sot jemi fëmijë, jeni në fillimet e  jetës suaj, jeni e ardhmja. Ju jeni në startin e nisjes dhe e keni vet veten në dorë: të zvarriteni si breshka apo të fluturoni si shqiponja. Unë them të fluturoni si shqiponja sepse, ju, shqiponja jeni...

 Nxënësja Sara Therçaj, reciton epigramin “Edhe një herë, si ju të jem!”

“E pyetën gjimnazistët drejtorin,/Ç`do të doje të ishe ti në jetë:/shkrimtar i madh dhe me famë,/apo drejtor siç je e me autoritet?/Ndihem mirë që jam drejtor,/t`jem shkrimtar më pëlqen,/do t`i falja me qejf të dyja,/edhe një herë si ju të jem!”

Pas recitimit ajo i drejton shkrimtarit  pyetjen:

-Çfarë keni dashur të shprehni me këtë epigram?

-Kam pasur edhe unë kohë të humbura, si dhe shumë të tjerë, ndaj them se e kemi vete veten në dorë: ta shpenzojmë kohën kot  e pa qëllim, apo të gjejmë ato punë dhe ato motive ku të ndihemi më mirë, por edhe t`i shërbejmë më shumë shoqërisë, vendit, jetës. Kur i mendon këto me seriozitetin e duhur, atëherë shikon se  shumë kohë ka rrjedhur si lumi dhe s`ke mundur të bësh dot atë që duhet, i ndihesh borxh vetes dhe jetës...E po, sa jemi, të bëjmë gjënë e duhur. Duke i shërbyer njëri-tjetrit dhe jetës, i kemi shërbyer edhe vetes tonë...

Miradela Dokushi, ju këtë e thoni edhe në epigramin “Të mos na shkoj jeta kot”:

“Zotëri! Bëhu më i njerëzishëm,/mysafirë jemi në këtë botë,/t`mundohemi të bëjmë më të mirën,/të mos na shkoj jeta kot!”

-Po, të falënderoj për recitimin bukur. Shumë kohë e shpenzojmë kot dhe, siç thotë Gëtja, “prashitim në ujë”...Ndaj them se, sikur të isha edhe një herë si ju, gjëja që do të bëja më shumë do të ishte leximi dhe studimi, të mbushesha me sa më shumë dije dhe kulturë dhe të përpiqesha pastaj, siç edhe po bëj, t`u japë të tjerëve diçka nga vetja. Mos e lini kohën t`ju ikë, shfrytëzojeni atë, mësoni sa më shumë, mos u ankoni se s`keni kohë dhe e shpenzoni atë sikur ta kishit të tepërt dhe me bollëk, bëhuni sa më të mirë e sa më të ditur ...Jeta është e juaja, ndaj e jetoni atë me të gjithë forcën e  shpirtit dhe të energjive tuaja...

-Cila është motoja juaj për botën?

Viron Kona: -E dëshiroj dhe  e përfytyroj botën një shtëpi të përbashkët të njerëzimit, ku njerëzit të jetojnë të qetë, të lirë dhe të lumtur. Të arrijnë të plotësojnë me punë të ndershme dëshirat dhe kërkesat që kanë, të gëzojnë, të shëtisin dhe të shohin e vizitojnë gjërat më të bukura të këtij rruzulli, i cili është yni, është i të gjithëve njerëzve të këtij planeti, ndaj dhe më pëlqen shprehja që bota jonë është “Shtëpia e njerëzimit”. Kudo të mbizotërojë paqja, dashuria dhe harmonia, marrëveshja mes njerëzve, ata të kenë mundësinë të japin më të mirën, të bëjnë më të mundshmen...

Edhe secili nga ne le të bëj më të mirën, ju në shkollë, ne në punët dhe veprimtaritë tona, kështu e motivojë edhe unë botën dhe jetën, kështu dua të jetë, madje, akoma më e mirë dhe më e bukur veçanërisht për ju fëmijët, të rinjtë dhe brezat e ardhshëm...Edhe ju do të ndihmoni që bota të bëhet  ajo që dëshironi dhe ëndërroni, apo jo?

Nxënës Bujar Elmazi, recitoi epigramin:“E keqja”:

“S`ndreqet faji me faj,/gabimi me gabim,/ajo rrugë t`çon  kollaj,/drejt e në greminë.”

Pastaj ai drejtoi pyetjen:

-Cila është gjëja më e keqe që ju ka ndodhur juve në jetën tuaj?

Viron Kona: -Kur isha nxënës si ju, më kujtohet se një mëngjes erdha në shkollë pa detyra. Kisha luajtur gjithë ditën dhe i kisha neglizhuar. Në mëngjes, pa filluar ende mësimi, te kangjellat e shkollës, i mora fletoren një shoku të dalluar dhe nisa të kopjoja detyrat në fletoren time. Koha ishte e vrenjtur dhe nuk pashë që po fillonte shiu. Disa pika shiu lagën fletoren, boja u përhap dhe fletorja u mbushë e tëra me njolla. Kur mësuesja kontrolloi fletoret dhe pa fletën të njollosur, më goditi me një shpullë në faqe. Unë u skuqa dhe u ndjeva keq. Ishte një mësim për mua ajo e keqe që më ndodhi...

Jo se  miratoj mësuesen që më dha shpullën, por mendoja se, më shumë sesa faqen time, mësuesja me atë shpullë kishte goditur vesin e kopjimit...

Ja, kjo e keqe m`u kujtua dhe jua tregova....,s`duhet të kopjojë asnjëherë njeriu, nxënësi, studenti, askush. Bëje vet atë që di, edhe në se nuk e arrin dot sot, duke u përpjekur, nesër do të arrish të bësh më të  mirën...

Nxënëse Elma Hoxha recitoi epigramën: “E sigurt do presësh nëgjatë”:

“Mos prit më, por nise punën,/shtëpinë tënde bëje vetë,/gurë më gurë e tullë mbi tullë,/mund të bësh pallat për mbret./Po prite ta bëjnë të tjerët,/të flesh gjumë ditë e natë,/e sigurt që keq do mbetesh,/për shtëpi do presësh gjatë.”

Pastaj ajo drejtoi pyetjen:

-Nëse paraja nuk do ishte objektiv, ç’farë do bëje në jetë?

Viron Kona; Shkrimtari do bëj libra, muratori ngre shtëpi, mësuesi jep mësim dhe dije, inxhinieri drejton punimet, shkencëtari zbulon...Të gjithë kanë nga një pasion, profesion, kryejnë një detyrë...Sigurisht që leku është i domosdoshëm sepse me atë vlerësohet puna dhe, njeriu, me anë të lekut ndërton dhe organizon jetën e vetë, të familjes, plotëson kërkesat, dëshirat...

Por, leku për mua nuk është as motiv, as qëllim, për mua ai është vetëm një mjet i nevojshëm, nuk duhet të jetë qëllim final i njeriut sepse, ndryshe, njeriu bëhet i thatë, metalik, si gur, pa shpirt, pa jetë, i ngurtë...Fjala e urtë thotë:  “I pasur nga xhepi, i varfër nga shpirti.”

Ka miliarda njerëz që kanë jetuar jetën si miliarderë sepse të vetmin qëllim kanë pasur sigurimin dhe shtimin e pasurisë, në shumicën e rasteve duke shfrytëzuar të tjerët. Ata kanë kaluar heshturazi, pa u ndjerë. Por ne kemi rastin e Nënës Terezë. Ajo luftoi, punoi, sakrifikoi, ua përkushtoi jetën të varfërve. Edhe kur mori çmimin Nobel, ajo ia fali fondacionit të saj në shërbim të të varfërve... Kështu bëri ajo gjithë jetën e saj dhe, jeta, shoqëria e ka ngritur në piedestalin më të lartë të nderit, teksa ne shqiptarët ndihemi mirë dhe krenohemi sepse ishte dhe mbetet një nga ne, ajo është shqiptare e madhe...

-Shkrimtari, pasurohet?

-Viron Kona: Jo, shkrimtari nuk pasurohet me lekë. Shkrimtari, kur është i pasur nga shpirti, me atë pasuri shpirtërore arrin të pasuroj shpirtërisht edhe të tjerët, dhe, atëherë, ai ndihet i shpërblyer. Ai që do t`i futet rrugës së shkrimeve ta mbledh mendjen: shkrimtar të pasur nuk ka, por, shkrimtari përcjellë një vlerë edhe më të madhe se paraja: ai u dhuron të tjerëve diçka nga vetja e tij, u dhuron dije dhe kulturë.

Nxënësi Serxhio Gjypi drejtoi pyetjen:

-Në cilën gjini letrare ndiheni më mirë?

-Krijimtaria vjen natyrshëm, si bima që hedh në arrë dhe një ditë ajo nis e mbinë, lëshon rrënjë, rrit trupin, gjethet, lulet, prodhimin....Në fillim vërtit një këngë në buzë, provon të shkruash një vjershë, një skicë, një tregim, dhe, ashtu si përrenjtë që derdhen në lumë, dhe lumi rritet e zmadhohet, ashtu, edhe shkrimtari nis e shkruan nga artikuj e shkrimet e thjeshta, ai arrin te librat me tregime, novela, romane...; Piktori nis me trazim bojërash e ngjyrash, me një vizatim të thjeshtë, me një portret e peizazh, kompozitori nis me disa tinguj, skulptori duke trazuar baltën, duke kërkuar gurin apo mermerin më të mirë për ta gdhendur...kështu të gjithë. Secili ndihet më mirë në atë që di të bëj më mirë, në atë që i buron nga shpirti, që ndjen rrahje zemre kur nis   dhe e krijon, për atë që emocionohet, që mendon natë e ditë, që i rri mendja gjersa  e realizon...

Dëshirë, vullnet, dije, pasion dhe punë e durim. Pastaj, vjen koha për gjërat, ja, epigramet që të shkruhen kërkojnë edhe përvojë, nuk mund të planifikosh në arte, frymëzimi nuk vjen me urdhër, ai vjen natyrshëm, ashtu si rrezja  diellit, ashtu siç shkrin dëbora nga dielli i pranverës, si shtegtimi i zogjve...

Sara Bitri pyet:

-Ju keni fituar çmimin e UNICEF për librin më të mirë për fëmijë. Si u ndiet kur u dhanë çmimin?

-Nuk e dija që do ta merrja atë çmim. Kështu që shkova në atë aktivitet se më thanë dhe aq. Ishte krejt e papritur. Kur dëgjova emrin tim më mbytën emocionet dhe s`dija se çfarë të thosha. Thashë: “Emocionet më ndihmojnë të krijoj, emocionet sot po më lënë në baltë. Po them atë fjalë që më vjen më natyrshëm: Faleminderit!” Ata më kuptuan dhe..duartrokitën.

4.

Nën drejtimin e mësueseve të gjuhës Shefkije Allkja dhe Fatbardha Cfarku u luajt drama “Kolipoçi, ngrënësi i qershive” nga nxënësit e klasës së gjashtë B. Sara Therçaj, Dionisi Ballgjini, Serxhio Gjypi dhe Megi Muça. E luajtën bukur. Teksa, të gjithë të tjerët qeshnin me Kolpiocin, i cili i ngaqë i pëlqente shumë qershitë, rrinte ulur me orë të  tëra në një karrige, duke  mbajtur shikimin te pema e qershisë.

-Çfarë po bënë o Kolipoç?

-Ja, po pres të piqen qershitë...

Njënxënës i klasës së gjashtë Ledion Daçi e pyet shkrimtarin:

-Çfarë dëshiroje të bëheshe kur ishe i ri?

Viron Kona: Atëherë kisha dëshirë të isha kapiten vapori. Na pëlqente shumë ne fëmijëve të ishim kapitenë. Jetonim në anë të detit, atje rriteshim dhe, përpara syve tanë lundronin çdo ditë anijet, që nga më të thjeshtat, varka, anije peshkimi, transporti, e deri te vaporët transoqeanik, anijet luftarake, nëndetëset...

Na brente kureshtja se ku shkonin gjithë ato lloje anijesh. Dëgjonim se shkonin në dete, oqeane, kapërcenin dallgë, furtuna, stuhi...                  

Shkonin në kontinente...Detarët na  dukeshin trima, kurse kapitenët që i drejtonin, eh, ata ishin heronj...                         

Edhe ne donim, ëndërronim të ishim të tillë...Lexoni Zhyl Vernin dhe do të kuptoni edhe më mirë këto që po ju them...

Alesja Ametllari pyet:

-Kur keni qenë mësues a keni pasur vështirësi?

-Po, kam pasur vështirësi, edhe zemërim, edhe mërzi. Jo, me nxënësit jo, por me të tjerë. Kur punoja mësues (vitet 1992-1998) në fshatin Ibë e Sipërme, Tiranë,  vinte një tip dhe hapte dyert dhe dritaret pa shkak, fuste kokën, shante me fjalë të pista, bërtiste, na prishte mësimin, i trembte nxënësit, na nervozonte dhe na fyente neve mësuesit...        

S`kishim çfarë t`i bënim, ishim të pafuqishëm... Ishin kohëtë vështira.... Ja, me ata lloj tipash kam ndjerë vështirësi. Me nxënësit, nuk jam mërzitur asnjëherë. Ju lutem, mos i mërzisni mësuesit tuaj, t`i doni sa më shumë dhe, të mësoni ....

        Antiola Pino, nxënëse e klasës së gjashtë b pyet:

- Cila është arritja juaj më e madhe në jetë?

-Arritjet më të mëdha në jetë për mua janë fëmijët, nipi dhe mbesa që më japin kënaqësi dhe më çlodhin. Sigurisht, edhe librat, por, edhe takimet me ju, si ky i sotmi, ndaj, ju falënderoj shumë, shumë!

        Flobest Braimllari pyet:

-Cilat janë pasionet dhe dëshirat tuaja?

-Kuptohet, pasioni më i madh për mua është letërsia. Por kam qejf edhe të shoh filma, të shëtisë, edhe brenda edhe jashtë vendit, të njohë botën...Do të doja të kisha mundësi t`i kënaqja më shumë bashkëshorten dhe fëmijët, t`i çoja  me pushime gjatë verës, të shkonim ndonjëherë jashtë për të vizituar vendet e bukura...Këto nuk i kam arritur dhe kjo, më mundon...

Por ndihem mirë kur mendoj se e kam vizituar Shqipërinë. Kemi një vend të rrallë dhe të magjishëm. E shikoni sesa dëshirë kanë turistët që të vijnë, i dëgjoni se me çfarë fjalësh mirësie shprehen për bukuritë e vendit tonë, për miqësinë dhe mikpritjen, për ushqimet e zgjedhura, për peizazhet që u mbeten në mendje, për kulturën dhe traditat tonë, për gjuhën e rrallë dhe të lashtë...

Mbyllje

Në përfundim, nxënësja Sara Thercaj, recitoj një poezi kushtuar shkrimtarit Viron Kona, nga unë, B. Saliasi. E recitoi bukur, shumë bukur Sara, aq sa na emocionoi, edhe mua, edhe Vironin...Ishte befasi për të. Po ashtu dhe poezia   “Mësuesi im”, që e recitoi nxënësja Mesara Kurti, apo poezia “Mirënjohje mësues” që recitoi nxënësja Arta Hoxha...

Së bashku u përfshimë të gjithë në vallen e përgatitur nga nxënësit e klasës së gjashtë b. Bëmë fotografi, nxënësit morën autografe dhe falënderuam shkrimtarin Viron Kona për bisedën, ishte ... e paharrueshme.

Faleminderit miku ynë Viron Kona!

       Në faqen e facebokut drejtore e shkollës Merita Prenga shpërndau postimin:

"Shpeshherë i kërkojmë gjërat e bukura larg nesh, kurse ato i kemi fare pranë." V.Kona.

Gëzim, emocion, kuriozitet shikoje sot në sytë e nxënësve në bashkëbisedimin e ngrohtë me njeriun e letrave: Shkrimtarin e njohur për fëmijë dhe të rritur, fituesin e çmimeve të ndryshme në gjininë e tregimit dhe novelës, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit, mësuesin, drejtuesin, redaktorin dhe kryeredaktorin, njeriu që pasuroi pa hezitim bibliotekën e shkollës " Vëllazërimi", njeriun e thjeshtësisë që 'mbjell' te çdo njeri vetëm urtësi dhe mirësi, z. Viron Kona...- Faleminderit zv/drejtorit Bashkim Saliasi, mësuese Shefkia Allkja, mësuese Fatbardha Cfarku, që mundësuan këtë takim të paharrueshëm për të gjithë! -Faleminderit nxënës, që dini të respektoni me njohuritë tuaja!  Kjo është shkolla " Vëllazërimi", që fal miqve të saj, është shndërruar në një 'ujëvarë' që çdo ditë burojnë libra mendimtar...

Caush Kullafi: Viron Kona sot, vërtet në një ambient super.        

E meriton ky shkrimtar që fal dashuri tek të tjerët.

Drejtoreshë Merita PrengaBashkim Saliasi, merrni dhe nga unë respekt dhe mirënjohje ç’ka po bëni për librin. Them që grupi i shkrimtarëve që ishim në kafe të dielën që shkoj bashkë me kritikun Çelik Petriti ta vizitojnë shkollën tonë...

Një shportë me lule shumëngjyrëshe dhe bukuri vlerash

Në mbrëmjen e asaj dite, në e-mailin tim erdhi një falënderim nga miku im dhe i shkollës “Vëllazërimi” shkrimtari Viron Kona me tekst:

Mirëmbrëma Bashkim!

Të falënderoj ty personalisht, drejtorinë  e shkollës, drejtoreshën e talentuar Merita Prenga, stafin e mësuesve të "Vëllazërimit" dhe, veçanërisht nxënësit e mrekullueshëm, yje të shkollës, që ndriçojnë me shpirtin e tyre të pastër kristal dhe me bukuri fizike e shpirtërore mjedisin shkollor, komunitetin dhe jetën rreth e përqark jush.

Do të entuziazmohej gjithkush në Shqipëri dhe kudo, nëse do të shihte që, diku, në skaj të kryeqytetit, vezullon mjedisi juaj shkollor, aq i bukur dhe i shenjtë, ku drejtues, mësues, fëmijë, prindër i japin përherë e më shumë jetë dhe dritë dijeve nëpërmjet  simbolikës së rrallë dhe mbresëlënëse të "Vëllazërimit". 

Duket se, të gjithë ju bashkërisht, përpiqeni t`i jepni sa më shumë rreze drite shkollës suaj, dhe, duke i bashkuar ato tufë, përpiqeni t`i shndërroni në një yll të madh plot shkëlqim, që përhap ngrohtësi, shpresë dhe besim, duke projektuar një të ardhme më të sigurt, më të bukur dhe më të ndritur të fëmijëve, nxënës të shkollës dhe brezave që vijnë.

S`ka yje më të bukur sesa fëmijët, me çiltërsinë  dhe pafajësinë e tyre, me bukurinë fizike dhe shpirtërore, me etjen dhe dëshirën për të thithur çdo gjë të përparuar. 

Takimi i sotëm ishte një shporte lulesh dhe bukuri vlerash, që më dha më shumë forcë, kurajë dhe energji për të shkruar dhe motivuar edhe më shumë veten, për të përcjellë te lexuesi me anë të librave të mi sa më shumë jetë të  gjallë artistike, origjinalitet, ngrohtësi dhe dashuri vëllazërore, vlera humane, miqësi dhe mirëkuptim. 

Ju falënderoj nga zemra të gjithë: nxënësit, stafin drejtues dhe mësuesit e shkollës "Vëllazërimi", duke ju uruar shëndet e suksese gjithnjë e më të mëdha në jetë!

Takimi i sotëm ishte një organizim i përsosur, i  ideuar qarte dhe bukur, gjithçka kishte  pamjen dhe përmbajtjen e një shkolle moderne, që sa është kopsht me lule së jashtmi, po aq e bukur dhe rrezatuese, e shkëlqyer është së brendshmi, në përmbajtje dhe në çdo mjedis, klasë, kabinet, zyrë, korridor, e, sidomos, ndihej ky rrezatim te çdo rrahje zemre, te çdo fjalë e mendim shprehës  i nxënësve tuaj me bukuri  të pasosur shpirtërore. 

Shkolla juaj dhe organizimi i takimit të sotëm, është padyshim kontribut i mësuesve, drejtorisë, prindërve të nxënësve,  të gjithëve juve bashkërisht, që përfaqësoni aq bukur simbolikën "Vëllazërimi".

Image
v