Nga Gladiola Jorbus:    Gjuetia e shtrigave

                                                         Gjuetia e shtrigave

Nga Gladiola Jorbus

Shtrigat  i imagjinojmë si plaka të shëmtuara, të kërrusura që ngjallin frikë. Gjithmonë atyre u është asociuar elementi djallëzor.

Në Evropë, para se kisha e krishterë të kishte një formë organizimi, shtriga kishte një tjetër kuptim. Ajo konsiderohej një krijesë e bukur, e zgjuar dhe me aftësi shëruese. Besimi i saj mbështetej në respektin për natyrën, për Hënën, për Diellin, për gjallesat e për pyllin. Shtrigat kishin dijeni mbi ndryshimet e motit, të stinëve etj., pra ato s’kishin asnjë lidhje me Qoftëlargun, siç u lejua më vonë të besohej nga krishtërimi.

Konflikti me to lindi rreth Mesjetës, kur hierarkia e krishterë hodhi poshtë çdo lloj besimi pagan si dhe rëndësinë që kishin gratë në këtë sistem. Shtrigat e asaj kohe, as që e njihnin ekzistencen e Satanait. Persekutimi që lindi ndaj tyre në shek. XIV, u shndërrua në një kasaphanë të vërtetë dhe zgjati deri në fund të viteve 1700.

Vrasjet, herë kryheshin nga fanatizmi i thellë, herë nga frika, e herë nga qëllime përfitimi. Gjuetia e shtrigave të jepte vërtet para. Në shoqërinë moderne bashkëkohore, shumë çështje janë deformuar e keqkuptuar, ndër to dhe shtrigat, të cilat kanë qenë një pjesë e rëndësishme e njerëzimit.

Origjina e tyre e ka zanafillën para disa mijëvjeçarësh, kur gruaja nderohej si dhuruese e jetës, krijuese e saj dhe i visheshin fuqi mistike. Vizatime të lashta, afro 30 mijë vjet më parë, të gjetura në disa shpella evropiane, paraqesin një krijesë, njeri ose zot, me brirë që besohej se ishte një krijesë magjike.

Deri në fillim të shekullit XIV, shtrigat nuk shqetësoheshin nga kishat. Ato ishin shëruese, përgatisnin barna popullore, përmes vajrave e bimëve; parashikonin të ardhmen përmes gurëve të vegjël apo objekteve që u visheshin fuqi magjike; pra ishin një koleksion besimesh e besëtytnish.

 Shtriga krahasohej me perëndeshat pagane dhe hyjneshat. Lidhja e shtrigës me perëndeshën sqarohet nga Shahrukh Husain (shkrimtare pakistaneze), në librin e saj “Perëndesha”. Paralelisht me hënën, perëndesha shfaqet në tri forma të ndryshme; e virgjër - si hëna e re, nënë- si hëna e plotë dhe plakë apo shtrigë e kërrusur – si hëna në fund të ciklit të saj. Pothuaj në të gjitha kulturat shfaqet një relatë midis shtrigave dhe hënës.

Përsa i përket termit ”gjueti shtrigash”, me kalimin e viteve mori një kuptim të gjerë. Ai filloi të përdorej në politikë apo në rastet kur dikush kërkonte një kundërshtar medoemos për ta ndëshkuar, sepse po luftonte për të drejtën apo të vërtetën. Kjo gjueti filloi të aplikohej dhe në Amerikë rreth viteve 1600, ndryshe njihet me emrin “Gjyqi i Salemit”.

Gjithçka filloi në fshatin me të njëjtin emër, ku dy vajza të reja u sëmurën të ndikuara nga historitë e frikshme të magjive dhe shtrigërive, të cilat ua rrëfente një skllav i ardhur nga Afrika. Të dyja vajzat Sarah Gud dhe Sarah Osborn, së bashku me skllavin Tituba u akuzuan për shtrigëri, ndërkohë që dhe 150 njerëz të tjerë u ndëshkuan me burg bashkë me ta.

Histeria shpërtheu në fshat. Filluan të tregoheshin histori qesharake, sikur shiheshin magji e shpirtra kudo. Gjyqi i madh u zhvillua në Salem më 1692, ku vajzat dëshmuan kundër të ashtuquajturave shtriga. Gjithsej 13 gra dhe 6 burra u dënuan me vdekje për shtrigëri. Ato që dolën të gjalla nga burgu u varën, ndërsa njëra që s’pranoi asnjë akuzë u dënua të vdiste nën peshën e një guri të stërmadh. U deshën shumë dhjetëvjeçarë që të dënohej publikisht Gjyqi i Salemit. Në ditët e sotme, shtrigat paralelizohen njëfarësoj me imazhin e hershëm e të nderuar që kishin në lashtësi, si qenie të devotshme ndaj Natyrës dhe Nënës Tokë.

Image
v