Nga Gladiola Jorbus: Pllakat e smeraldta

Nga Gladiola Jorbus

                                                 Pllakat e smeraldta

Pllakat e smeraldta të Thot-it, misteri që fshehin, enigmat që lëvrijnë, deshifrimi dhe mosdeshifrimi i informacionit antik

Historia e Pllakave të smeraldta  është e habitshme, sepse shkon përtej empirizmit të shkencëtarëve modernë. Lashtësia e këtyre pllakave është e jashtëzakonshme. Ato datojnë  rreth 36.000 vjet para Krishtit. Autori i tyre është Thot, Mbret-Prift Atlantidas. Ato përmbajnë dijen e mençurisë antike të Atlantidës së lashtë, e mbushur me toka pjellore, me pallate madhështore e me tempuj mahnitës kushtuar Posedonit.

Në këtë qytetërim, arkitektura, ekonomia dhe fushat e tjera ishin shumë të zhvilluara. Sipas histories, Poseidoni, zoti i deteve, i tërmeteve, i kuajve e ndërtoi Atlantidën të rrumbullakët. Dy rrathë toke dhe tre uji, njëri brenda tjetrit (koncetrike) i dhanë asaj një formë të veçantë dhe unike për të gjitha kohërat.

Kjo formë është bërë simboli i atij qytetërimi të hershëm. Por le t’u rikthehemi, Pllakave të Smeraldta, të cilat iu lanë priftërinjve të Piramidës së Madhe, dhe përmbajnë sekrete që shërbejnë si dëshmi vlerash të paçmuara.

Ato duhet të lexohen jo një herë, por qindra herë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zbulohet kuptimi i vërtetë. Një lexim i rastësishëm ofron rreze bukurie drejt së panjohurës, por një studim më intensive, ndoshta do të ndikonte në perceptime, ende të paimagjinueshme nga mendja humane.

Rreth 1300 vjet para Krishtit, Egjipti, Khem i lashtë, ishte në trazira dhe mërgata priftërinjsh u dërguan në pjesë të tjera të botës. Midis tyre ndodheshin disa priftërinj të piramidës, të cilët morën me vete Pllakat e Smeraldta si një hajmali nëpërmjet së cilës, ata do të ushtronin autoritetin e tyre mbi klerikët më pak të zhvilluar, pasardhës gjithashtu të kolonive të tjera të Atlantidës.

Sipas legjendës, Pllakat i jepnin mbartësit autoritetin e Thot-it. Grupi i veçantë i priftërinjve, që mbarti pllakat, emigroi në Amerikën Jugore ku ata gjetën një racë të zhvilluar, Maya-t, të cilët kishin ruajtur shumë nga mençuria e lashtë.

Priftërinjtë u vendosën dhe qëndruan midis tyre. Në shekullin e dhjetë, Mayat ishin vendosur në krejt gadishullin Yukatan dhe pllakat ndodheshin poshtë altarit të njërit prej tempujve më të mëdhenj të Zotit Diell. Pas pushtimit të Maya-ve nga spanjollët, qytetet u braktisën dhe thesaret e tempullit u harruan.

Përbërja e Pllakave të Smeraldta

Ato janë dymbëdhjetë pllaka smeraldi të gjelbër, të formuara nga një substancë e dalë prej shndërrimeve alkimike. Konsiderohen të pashkatërrueshme, iu rezistojnë të gjithë elementëve dhe substancave që njohim deri më sot. Në fakt, struktura atomike dhe molekulare është e qëndrueshme, nuk pësojnë asnjë ndryshim, proceset e kohës nuk ndikojnë mbi to, dhe as proceset kimike gjithashtu. Një fenomen i tillë hedh poshtë ligjin e jonizimit.

Mbi to janë gdhendur shenja në gjuhën e lashtë të Atlantidës: shenja të cilat iu korrespondojnë valëve të caktuara të mendimit, që çlirojnë vibrimin korrespondues mendor në mendjen e lexuesit. Pllakat janë kapur së bashku më rrathë të një aliazhi (lloj lidhje) ngjyrë të artë, e varur në një purtekë prej të njëjtit material. Mençuria që ndodhet në to është themeli i mistereve antike. Kujtdo që do t’i lexojë me zemër dhe mendje të hapur, do t’i zhvillohet mençuria në mënyrë të ndjeshme.

Lexo! Beson apo jo, lexo!

Dhe vibrimi i gjetur do të rizgjojë një përgjigje në shpirtin tënd. Është i pafund kërkimi njerëzor mbi kuptimin e ligjeve që rregullojnë jetën, e megjithatë e vërteta ekziston gjithmonë, pas pëlhurës që mbron planet më të larta të ekzistencës nga vizioni material i njeriut, e gatshme të asimilohet nga kushdo që zgjeron vizionin e vet së brendshmi.

Në heshtjen e shqisave fizike ndodhet çelësi për zbulimin e mençurisë. Ai që flet, nuk di; ai që di, nuk flet. Shkenca e ka të pamundur t’i pranojë Pllakat e Thot-it, sepse po t’i pranojë, do t’i duhet të rishikojë nga e para të gjitha teoritë e saj; studimet dhe përfundimet e tyre, aq fort të propaganduara deri në këtë moment.

Pllakat u shfaqën për herë të parë në Mesjetë, por është e panjohur mënyra si u rigjetën. Asnjë nuk e di me saktësi. Disa kërkues hipotezojnë se janë gjetur në një nga dhomat e Piramidës së Keopsit, por janë thjesht supozime; mbetet vetëm fakti që Thot figuron si një Zot në zbukurimet pikturore të Egjiptit të lashtë.

 Ja një fragment i shkëputur nga Pllakat e smeraldta:

Kërkova zemrën e Përjetësisë përmes të gjitha kohërave. Thellë e më thellë, unë gjeta gjithmonë e më shumë mistere. Tani duke parë mbrapa, përmes kohërave, unë di se mençuria është e pakufizuar, rritet gjithmonë e më shumë në të gjitha kohët, bëhet Një me Përjetësinë dhe shfaqet më e madhe se gjithçka. 

Image
v