Gladiola Busulla:Poezi

Gladiola Busulla

Ishulli i marrëzisë

Nën gërmadhat e shpirtit të djegur

Çeli trëndafili I dashurisë

Çeli për ty, qenia ime

E privuar nga ndjeshmëria dhe emocioni.

 

Ti ktheve në pranverë

Dimrin – acar brenda meje.

Të dashuroj duke të urryer

Dhe mazokizmi im arrin gjer aty

Sa mos të të shoh dot

Ndonëse emrin tënd e përsëris

Mijëra herë, në lutjet e mia.

Dashuria dhe urrejtja për ty

Më rrjedhin në damarë

Si jeta, si gjaku.

Ti je kulmi i marrëzisë

Një oqean ku përmbyten

Ishuj të tërë ëndrrash.

Të pres – dhe zjarri i zemrës sime

Shndërrohet në akull

Nga frika se ti s’do të vish.

Bota ime e zbehtë, e pikëlluar

Ndriçohet nga flakë që po vdesin.

Ato do të jenë lulet

Me të cilat do të zbukuroj

Varrezën e kujtimeve tona.

Të mendoj ty,

Me shpirt të ndrydhur

Dhe  kuptoj se dashuria

Zbret tek unë,

Kur krenaria hesht

e ti je larg.

 

Ligësi e ëmbël

 

Ligësi e ëmbël…

Të shfletoj të kaluarën.

Të rilexoj dhembjet, mëritë,

gënjeshtrat, zhgënjimet.

Të rigjej tipare,

Skica dashurish,

E gjurmë të harruara.

Të ndiej gjarpërinjtë

Mbi flokë.

Unë një tjetër

Meduzë kokëprerë.

Vështrimin ktheva

Nga dielli.

Një mijë ëndrra

U përulën para meje.

Ligësi e ëmbël…

Edhe sikur prej teje

Të vdes…

Unë Zotin tim…

Nuk e shes…

 

 

 

Në heshtje

 

Të desha në heshtje.

Të verbër, të shurdhër, memec.

Gjymtyrëshpërbërë.

Pa rrahje, pa puls…

Të desha gjithsesi.

Në dekada, shekuj e mijëvjeçarë.

do të përsëritet

Kjo dashuri…

Sërish do të të dua

Në heshtje, në çmenduri.

Dhe buzët e mia

Do të vulosen përsëri.

Dhe ti nuk do ta dish kurrsesi

Sa shumë,

Kjo heshtje

Të deshi në përjetësi.

 

Pa ty

 

Vështrimi im është i shkretë

Nëse nuk ndesh në sytë e tu.

Dhe duart e mia

Ngjajnë me dy kaktuse mjerane

Nëse s’të prekin.

As buzët e mia nuk buzëqeshin

Nëse nuk murmurijnë emrin tënd.

Unë nuk jam më unë.

Pa ty.

 

Image
s