Gladiola Jorbus: Poezi

Gladiola Jorbus

Të flasësh përmes zemrës

Nuk është e lehtë,

të flasësh përmes zemrës.

Nëse zemra fshihet,

nën rrënojat e një murane.

Jeton për të jetuar.

Rreh se duhet të rrahë.

Por s’ ndihet e lumtur.

E kush është

në fund të fundit?!

Pa frymën e dashurisë,

nën flakë që të përpijnë dëshirat,

si mund të jesh i lumtur?!

Zemra kërkon oazin e saj,

mes cirkave shkumëzuese të gjakut.

Dhe unë...

Dua të prehem e qetë.

Të dëgjoj,

arien e sferës qiellore.

Të mbulohem,

me mantelin e jargavantë të mbrëmjes.

Të zgjohem,

mes baticave të zjarrta, që mëngjeset ndriçojnë...

si dantellat ngjyrëkrem të nuses së re.

 

Guri i Sizifit

Si guri i Sizifit, rrokullisem çdo natë

Duke të ndjekur në ëndrra.

Në gjuhën e zemrës të flas,

zhytur në hone dëshirash.

Zgjatem…

Hënën të prek.

Të të dhuroj një yll.

Por ti,

Tashmë je larg.

Dhe unë,

zemrën e mbyll.

 

Krusmë fjalësh

Nga pusi i heshtjes,

krusma e fjalëve

gëloi.

Nën grackën e

kruspulluar,

magjinë e çastit

humbëm.

Për t’u zgjuar

Në sytë e dikujt tjetër.

 

Pangopësisht

Në botën e qytetëruar

zbehet dashuria.

Veniten letrat,

takimet në gjysmerrësirë.

Nuk ka më prekje duarsh

As heshtje që të shenjojnë

Çmendurisht.

Në kozmosin modern,

Nuk ka dimensione ndjesish.

Veç konsum dhe lakmi.

Të bukurën për të zhbërë

pangopësisht.

 

Shpirtblinduar

Të kërkova si të ishe,

E fundmja pikëz uji në shkretëtirë.

Ti, më i padepërtueshëm se

një mur mbrojtës.

Shpirtblinduar,

Si një derë hermetike.

Në krahët e tu, desha të prehem,

Të lëshohem, të qaj.

Më shih në sy dhe më thuaj

Se dashuria s’ është tjetër,

Veçse një psherëtimë e pafat.

 

Nëma

E nëma të më kujtonte

Çdo ditë të jetës

Dhe pranë të mos më kishte.

Të më ndjente

Si bulat e voçkla të ujit mbi krye.

Si ftohtësira që të ther.

Si i nxehti që të përvëlon.

E nëma të më kujtonte

Në përqafime të tjera.

Në hapat që trokasin

Pas tokës që ndizet.

Në çdo përshëndetje,

Në çdo buzëqeshje që shkëmben.

U deshëm…

gjatë, shkurt,

nga pranë, nga larg.

Herë e desha shumë,

Të tjera herë, më pak…

Në e zuri nëma.

Këtë nuk e di.

Por askush s’më desh,

më shumë se ai.

 

Image
g