Gladiola Jorbus: Poezi

Gladiola JORBUS

Dashuri në koma

Kilometrat mes nesh
Ëndrrat, ditët gllabërojnë.
Akt i fundit dhe i parë -
Nën kundërmime temjanësh,
lutjet e natës
të përsëritësh çdo mëngjes.
Çarçafët e palëvizshëm,
thellë psherëtijnë.
Të dashurosh distancën
që mbi lëkurë tretet
e frymën mpak.
Si zemër e burgosur,
pas një trupi mungues.
Dashuri në koma.

Kuturu

Nuk di të them
Se ç’ dhemb më shumë.
Një histori që s’ vjen në jetë
Apo një e kaluar që s’ndodhi kurrë.
Një lamtumirë e papërpiktë
A një ndjenjë e përvjedhur.
Dashuria dhe jeta,
Dy drejtëza paralele,
Që shpirtrat ndajnë
Dhe enden kuturu.

Fantazmë hieratike

Symbyllur,
i shoh mendimet e mia
të largohen si hije të dëshpëruara.
Kur mbrëmja vjen të më çrrënjosë,
paqenësinë e ekzistencës.
Si një fantazmë hieratike,
i turbullt,
më shfaqet imazhi yt.
Metamorfozë e shpirtit.
Enigma e Sfinksit - më përndjek

si pafajësia e rrejshme
që frymëmarrjen lëndon.
Unë jam thjesht një peng
I orvatur në simetrinë
e enigmës sate.
Në një botë të vagullt,
që më prek kur fle.
Dhe më braktis,
në zgjim.

Pastel

Të shkelësh mbi ndjenja
Është si të përdhosësh një tempull.
A të blasfemosh shenjtërinë.
Dashuria,
një udhëtim i gjatë drejt humnerës.
Rrugë pa kohëzgjatje.
Univers pa jehonë.
Shtrëngoj dorën tënde.
Gjethet-varka më përkundin lehtë.
Dhe unë,
një zambak uji që përndizem
Nën qiellin pastel.

Botë false

Nuk jam gjithmonë krenare
Që këtij planeti i përkas.
Ku qeniet njerëzore vrasin,
Dhe parajsa e fton ferrin
T’i shkojë akoma më pranë.
Ligjërime shkatërrimtare si lavë vullkani
enden në buzë që shtiren.
Nën qiej me vetëtima gënjeshtrash
E yje dëshpërues që fshihen
Të mos shohin ç’ndodh në botë.
Në këtë botë false e të rreme,
që të drejtë s’e bëjmë dot.

Image
c