Gladiola  Jorbus:Poezi

Korrik 2020

Gladiola  Jorbus

Pulitje sysh

Retë elegante vërshonin

mbi pandeminë e hipokrizisë.

Shpirtrat - të dehur pas epshesh tokësore

Mbyteshin në përqafime

                     të boshatisura dashurish.

Tronditëse...!

Sy të perënduar,

në ngërçe klithmash shurdhuese.

Dhe retë të mbarsura

me lutje të ngërthyera

botën gllabëronin,

në një pulitje sysh.

 

Epoka e dinozaurëve

Më mbaruan fjalët...

Tek ti u përmbytën

çastet dehëse të lumturisë.

Po iki...

Perënditë verbohen

nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.

I ngjaj muzgut të përgjumur,

trishtimit kapriçoz,

puthjes së lamtumirës.

Edhe dueli zemër – mendje u shua...

nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.

Dashuria u zbeh, u zhbë...

si një krijesë prehistorike.

Për të mund të lexojmë

 e ta hasim veç në libra,

njëlloj si epokën e dinozaurëve.

 

Komodina e vjetër

Në komodinën e vjetër

fshihen zbrazëtitë, puthjet e ndaluara,

 trillet, premtimet e tua.

Gumëzhitja vjen nga mendja ime,

si mbrëmjet e mjegulluara

ku qiellin e shquan, në dritëhijet

 e neonëve të shëtitores.

Melankolia – statuja kokëfortë

që nuk dridhet para askujt.

Stolis skajet e ndjenjës,

kujtimet e pezullta,

lumturinë në miniaturë,

stuhinë e fjalëve të pashprehura.

Dhe narracioni vetmitar i syve,

psalt për ëndrrën, që na vodhi jetën.

 

Image
c