Kadri Tarelli

“Nëse nuk përballojmë kuadratet e ngushta të rregullsisë, nuk do të shijojmë kurrë hapësirat e lirisë!”.

Fjalë e urtë gjermane 

DURRËSI NË NGUJIM!

Përkëdhelet faqja detit, valët shtyhen me përtesë,

Pse të nguten, kur në breg nuk del kush, që t’i presë.

Shëtitorja e preferuar, mbetur pa njeri shkretuar,

Gdhihet, ngryset i dremitur, Durrësi në ngujim dënuar.

Lulet e pranverës çelur, mbirë, rritur të pa shpresë,

I vakët agimi i diellit, nuk nxiton t’i përshëndesë.

Mëngjeseve gonxhet hapur, buzë etur për dashuri,

S’ka fëmijë, të rinj e pleq, t’i ndezë zjarrin, bërë hi.

Kush vallë admiron thesaret, kur dielli zbraz përmbi det,

Laget syri i të dashuruarve, loti faqesh ngadalë zbret.

Përhumbur në kot, pa puthje, përkëdhelje, psherëtima.

Buzëqeshje shuar në ëndrra, coptuar me drithërima.

Ti virus bir errësire! Kush të nisi t’i hysh botës?

Tinëzish armik i heshtur, erdhe pa i rënë portës!

Pa komandë, pa armë e ligj, s’pyet kënd e jetë merr,

Njerëzimin vure në gjunjë, s’di ç’ të bëjë, po sheh tmerr!

Drama vuajtjesh dhe ngadhënjimi, ke provuar qyteti im.

Pranvera e ftohtë erdhi, veshur si murg në udhëtim.

Lulishtet, rrugët, kafenetë, piktura varur pa ngjyrë,

Kod tragjik, pa firmë e vulë, në portretin pa fytyrë.

Nuk dorëzohem lehtë, kot s’ më thërrasin Durrësi plak,

Në çdo rrugicë, shtëpi durrsaku, mbretëron një Ulqinak.

Kam parë e duroj shumë, ndaj nuk mbytem në lot,

Buzëqeshjen ma jep dielli, dhe detin e kam për zot.

Unë e di ti do të ikësh, ndjekur pas nga një mallkim,

Siç ikën armiqtë e vjetër, në rrugën nisur pa kthim.

Do harrohet kjo furtunë, pa tallaz e rrufe zjarri.

Durrësi ynë do të ngrihet, me shkëlqim margaritari!

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 06. 04. 2020.