Kadri Tarelli: POezi

Kadri Tarelli

KU BURON KY DRIN I BARDHË?

Burim mali, ky Drin i Bardhë,
Si gjerdan në tokë Dardane,
Po thërret, ma hiqni gardhë!
Ka një shekull, pse më ndanë?

Jam vëlla me Drin e Zi,
Lëng jete për trojet mbarë,
Ai nga jugu, unë në veri
Bashkë, dritë për t’u parë.

Eh! Sa ngjarje në Dardani,
Ka përcjellë ky shpirt i vrarë!
Shekuj mbushur histori,
Shqiptarët me kufi ndarë.

Zjarr e vdekje, plot mizori,
Solli shkau në këto troje.
Ç’ borxh i kishim hasmit të zi?
Dit’ e natë, kam qenë roje.

Burra trima të kësaj ane,
Nën jastëk, mbajnë dyfekun,
Djal’ e çikë, le prej nane,
Hasmit s’i lëshojnë shtegun.

Haxhi Zeka, burrë flamuri,
Bardh Isufi, Isuf Veseli,
Bajn’ kuvend në kullë guri,
Asnjë serb, këtu mos ngeli.

Lumi gjak e gjaku lumë,
Shkonte poshtë valë-valë,
U nxi toka, u skuqa unë.
Dhimbja jonë mbeti pa fjalë.

Shihni rrugët në Dardani,
Mbushur plot me lapidarë,
Shkuan trima, pleq e të ri,
Unë vetë i kam parë.

Unë vetë i kam parë,
rrjedhën time s’ndala dot,
Trimat, me zë kam qarë,
Edhe sot po derdhi lot.

Do kënduar historia,
Ngjarjet po më vijnë varg.
Porse tash që ndrit liria,
kënga ime dëgjohet larg.

 

 

Image
c