Petrit  Malushi:Poezi

Nga  Petrit  Malushi

„Një prill”

Le të jetë e hënë, e martë...

Çdo ditë jave le të jetë!

Le të shënojnë çdo datë

Kalendarët nëpër fletë!

 

Le të jesh pak i rënduar     

Nga shëndeti, nga fuqia...   

Le të jesh oreksmunguar,

Me lëkurë të vrarë nga lia...

 

Muajt le të venë e vinë

Nga janari në dhjetor!

Retë le ta zbrazin shinë,

Era le të sjellë dëborë…

 

Mund të jesh dhe i pamundur,

Me mjekime, regjim shtrati ...

Mund të ecësh duke u tundur,

Si të rënët nga takati...

 

Por, nuk ndalesh për premtime !

“Perpetum motor” mbi tokë

Me të folur, me shënime

Orator i rrallë ndër shokë. 

 

Dhe ngarkohesh si deve

Lësho, zgjat litar dhe fill …

Për t´i mbajtur, nuk di pse 

Ti, çdo datë kthen në...“Një prill” !