Poezi nga Gladiola JORBUS

Poezi nga Gladiola JORBUS

Ëndrra ngjyrë lilak

Pranvera,

në piano luan

një himn për dashurinë.

Qiejt,

e kthjellët si vesa

zmbrapsin stuhinë.

Engjëjt,

ngutshëm flatrojnë

ëndrrat brenda ëndrrave,

në zemra të zgjojnë.

Pakëz pluhurizë e jargavantë

dhe princi u bë plebe.

Të vdekurit u ngjallën.

Të mjerët u ngjitën mbi re.

Ëndrra, vegime

në ngjyrë lilak,

jetës i përvidhen

dhe e zënë në çark.

 

Bulëz jete

Një pjesëz shpirti

Iu arratis përqafimit.

Ndër eshtrat e mia

 Shtegton pasiguria.

E panjohura

magjeps,

një bulëz jete

të ndaluar.

Jam vetëm

Në ëndrrat e mia,

E frikur nga pesha e tyre

Që tash s’mundem

Ta mbaj më.

 

Midis jetës dhe fantazisë

Mbytem në muzgjet e tua.

Mrekullisht kapërthyer,

si yjësitë

pas hartës qiellore.

 

Zgjohem në heshtjet e tua,

në kaosin e ndjesive

të lëna

në udhëkryq.

Midis jetës dhe fantazisë

Në një univers abstrakt…

Të ndesha ty.

 

Magjia e jetës

 

Në çastet e dashurisë

gjurmoj hyjnoren.

Ninullën që fëmijët përkund,

në ëndrrat e Morfeut.

Unë jam klithma

dhe fjala e pathënë.

Petkat e rëna përdhe

gjatë natës së zjarrtë.

Që yjet, në rruzare lutjesh

shndërron.

Përkëdhelmë dashuri,

ashtu si hëna përkëdhel detin.

Pritmë që të vij

ashtu siç pulëbardhat,

presin të përqafojnë

qiellin më të bukur.

Dashuri,

magjia e jetës

zbulohet në krahët e tu.

 

 

Teatri i jetës

 

Skena e të vërtetave të pathëna
Është një jetë mjerane,
zbehtake, e shkretë.
Dhuroji një buzëqeshje të shkujdesur
Kujtdo që gëzimin
Dot nuk e preku.
Si mund të quhet jetë
Sonata arktike,
Që fatit i shtillet
dhe zhduket sakaq?
Kori i yjeve, si
aurorë boreale,
në qiell u përshfaq.
E ti hapin tënd,
sërish nuk e ndal.
Gjithçka rrjedh furishëm
Ndaj, fort mirë e di
Se kurrë s’do
Të zgjohesh
Nga puthja e tij…
Vigma e shpirtit,
Një sokëllimë
Që humbjen vajton
Në teatrin e ndjenjës.
Dhe gjurmët që le
mbi rërën e kohës,
Dëshmojnë
se nesër një tjetër,
Dëshpërueshëm do t’ecë,
Nën hapat e tu.

Image
g