Poezi nga Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus

Kaddish

Djepi i qiellit
është bosh.
Toka e zezë
si vejushë.
11 muaj rëndojnë,

mbi njeriun pa dashuri.
Kohë e mjerueshme!
Ofshamë…
Kaddish
thërret për mëshirë.

Treni i maleve ruse

Çmimi i dashurisë është i lartë.

Përkëdhelje, të qeshura, lot.

Dhe një puthje e ëmbël, e zjarrtë.

Që ndizet e shuhet

nga qielli në tokë.

Ndjesitë e dashurisë…

Si treni i maleve ruse.

Të tundojnë, të përpijnë.

Duzina frymëmarrjesh,

Në zjarr kapërthyer.

Luftojnë për të humbur

Me krenarinë.

E pashpresë

Jam pritja e pashpresë

Pas dyerve të zemrave të mbyllura.

Një vesëz shiu

që dot s’mbërriti

Në shkretëtirë.

Trupi që kurrë s’u bë,

oaz i shpirtit.

Jam dimri xheloz

Që kalldrëmet ngrin.

Një degëz e këputur

Nga pema e jetës.

Trishtueshëm kredhur

Në amullinë e shpresës.

Dehur nga fjalët

e ftohta të diellit.

Si pulëbardha që rënkojnë,

bien e vdesin.

Jam ofshama lypsare

E netëve të bardha që

Të papërqafuara mbesin...

 

Thesari i patreguar

Çka fsheh brenda vetes
mund të jetë thesari -
ose kryqi yt më i madh.

Si një udhëtar i largët,
i veshur me petkun e distancës,
me galopin e zemrës në kraharor
dhe trishtimin e pafund,
për ëndrrat e së shkuarës...
Pasione, ndjesi, fytyra të harruara.
Ideale të zhveshura nga ngjyrat,
të zhytyra në muzgun e e lodhur
nga përmbytjet shpirtërore.
E kryqi mbi supe,
thesari i patreguar.
Të mbështjell me krahët e akullta
dhe pas fatit të ngjesh...

Nata e Valpurgës

Në natën e Valpurgës

kundërmojnë esencat e pranverës.

Lulekambanat ngjyrëvjollcë

frymojnë të vetmuara.

Dhe të dashuruarat

presin lule që nuk veniten

nga harresa apo vetmia.

Ankesat çmendurake

mbushen me fjalë të fildishta…

Nata e Valpurgës ndizet ngadalë.

Të dashurit flenë nën një hënë të plotë.

E zgjohen nën të njëjtin agim.

Indeksi i dashurisë përthyhet

në të kuqen onufriane,

të perdes së mëndafshtë.

Ashtu si korali i zemrës

çel gonxhe të buta,

mbi shpirtrat e ngrysur.

 

Të gjithë qirinjtë e botës

I ndeza të gjithë qirinjtë e botës.
Po lutja ime në qiell,
kurrë nuk mbërriti.
Dhe mbrëmja e jargavantë
shkrihej ngadalë,
si fitili i stearinës.
Gjithmonë,
në kërkim të një Zoti
që nuk fshihet në mjegull.

 

Krusmë fjalësh

Nga pusi i heshtjes,

krusma e fjalëve

gëloi.

Nën grackën e

kruspulluar,

magjinë e çastit

humbëm.

Për t’u zgjuar

në sytë e dikujt tjetër.

 

Kormoranti

Në errësirën e harresës

Toka dhe Qielli

U tretën në një përqafim.

Shkretëtira e ndjenjës

lulëzoi në vetmi -

pa oaze, pa deve, pa nomadë beduinë.

Ajri i ftohtë mbrëmjesor,

u trazua nga nota sëmbimi.

Arteriet e zemrës shëmbëllejnë

si hejëza akulli,

të varura kokëposhtë.

Mbi kreshtën e dallgëve,

kormoranti dëgjonte

melodinë e tejzgjatur

të trishtimit...

 

Këmbëzbathur

Këmbëzbathur,

të ndoqa në rrugëtimin tënd.

Mes gjembash, në drizërishtë,

Vetveten harrova.

Unë,

një luginë e paprekur,

plot dëshira e ëndrra

Që përndiqnin horizontin.

Shërova dhembjet e tua,

mungesën e dashurisë,

padrejtësitë e padukshme,

kohën e humbur,

armiqësinë e kultivuar

në kopshtin zoologjik njerëzor.

E sheh, se si puthet shkëmbi

Me rrezen e diellit?

Si përqafohet liqeni

Me dritën e hënës?

Është kaq e lehtë

Të dashurosh.

Të dhurosh zemrën

Pa egoizëm.

Dhe jeta …

do të reshtë së qeni

një varg vegimesh të trishta.

Image
x