Poezi nga Petrit Malushi

Nga  Petrit  Malushi

„Jetëshkrim“

Jetëshkrimin, piramidë e ngriti,

U dergj me ditë, përmbys mbi fjalorë.

Fjalë gjurmoi,  qëmtoi, i siti,

“Të arta” i bëri, i gdhendi me dorë.

 

“Brezat  ardhës  për mua ta dinë,

Maja kapa, pushtova në jetë.

I lidhur veç me ndershmërinë,

I papërlyer,i thjeshtë, i drejtë…”

 

Por vrulltas, egër “të artat fjalë” :  

Iu kthyen një mbrëmje “O mendje dhelpër !

Ti, gozhdë do mbetesh ndër të gjallë,

Veç për mashtrime, jo për gjë tjetër !”

 

 

“Një prill”

 

 

Le të jetë e hënë, e martë...

Çdo ditë jave le të jetë !

Le të shënojnë çdo datë

Kalendarët nëpër fletë !

 

Muajt le të venë e vinë

Nga janari në dhjetor !

Ti s´e ndal oratorinë 

Si një “perpetum” motor !

 

Kapul mbushesh, si deve,

Me premtime, litar, fill …

Për t´i mbajtur, nuk di pse 

Çdo datë e kthen në...“Një prill” !

 

 

 

„Sugjerim“                                                                                                             

 

 

Më tha shoku “Ke një jetë                                                                                                      Ndërton vjersha, thur tregime.                                                                                                          Shkruan, fshin, mbush faqe, fletë...                                                                                                                S’ të ndalet dora mbi shkrime.

 

Veç më dhimbsesh,...për të qarë,

Portofoli kartë cigari !

Ishe, mbete kostumtharë,...

S´u bëre njëherë i pari !

 

Ç´pret akoma nga kjo punë ?

Bëje kthesën pa mëdyshje !

Do përvojë, merr nga unë,

Ta jetosh jetën ndryshe !”                                                                                                                                    

 

 

„I pastër !“

 

 

Është i përpiktë, nuk bën harresë.      

Çdo ditë të re, kur hyn në zyrë

Vëren për rreth, dhe bën kujdes,              

 „Prishje imazhi“, ndoshta ka hyrë.

 

Derdh vështrimin sa derën hap. 

Nga dyshemeja në tavan,

Faqet e murit syri ia kap

“Siç i lashë dje, sërish a janë ?”

 

Tavolina edhe kolltuku,

Telefoni, poshtë sirtarët

A kanë „viruse“ ? Po fejsbuku ?

A  janë kurdisur kundërshtarët ?

 

Ndjehet  i qetë. Kështu përherë,

Për korrektesë  është etalon.

“S´ka miq e shokë tek kjo derë !”

Përveçse vetes. Kaq, mjafton !

 

Çfarë mund t´i ndodhë në terren ?

„Nuk rrëfehen or tungjatjeta !“

Dëshirë ka dikush, e kthen

Për një qerasje te bar „Kuleta“.