Poezi nga Petrit Malushi

 Nga  Petrit  Malushi 

Protestoj sepse … 

E zhbëri ligjin, ligjbërësi, pa regjistër  

Çantat i mbushi, një deputet

Ligjin e shkeli ligjzbatuesi, një ministër

Për të tijin portofol ngjirret e flet.           

 

E deformoi ligjin, ligjmbrojtësi, një gjyqtar 

Të arrinte ç´donte, e bëri  patkua.

Një politikan i sërës së parë,

Demagog, prej partisë u diplomua.          

 

Një kryebashkiak portën e bashkisë, 

Qytetarëve ua bëri me sy magjik.

„E  zbukuroi“, veç  prej dashurisë,

Për t´u thënë “ejani, prit ose ik !”

 

Titulli „mjeshtër“ për mitmarrje,  

Sot, nuk është më  tabu.

Në institucione apo ndërmarrje

„Miqësisht“ të thonë „Eja këtu !“

 

Taksat shtohen, kërcejnë  çmimet...  

Një pronë del me dhjetë pronarë  

Rrugët marrin si zogjtë fluturimet.

Valixhe ngarkuar të  thjeshtët qytetarë ! 

 

Një student ëndrrën lë në mes,

Pa përkrahje mbetet një i moshuar,

Qepenin ul, mbyllet një biznes,

Një vrasë shëtit i lirë, shpenguar…

 

Prej pune flakesh, pa arsye                                                                                                                            

Pensionisti humbet ndihmëm mjekësore

Qetësisht një derë nga hajdutët u shqye

Një vagabond ngjitet në foltore…

 

................................................................

 

Shkëmbinj që s´tunden interes kularët,

Goja e tyre llafon e llafon

Veç ata të jenë të parët !

I thjeshti qytetar proteston, proteston…

 

Simitet bajate

 

Brumë përditë gatuajnë furrtarët,

Shije i japin me kripë e ujë.

Të butat simite provojnë të  parët           

Punëhershmit, pa zhurmë e bujë.

 

Por, ka dhe gatime brumëthartuar.

Ndodh kështu në  kuzhinat politike.

Në to hyjnë e dalin krahëngarkuar,

Politikanët, me bajate simite.

 

Në fund dhe në krye

 

Poshtë dhjetës, gjashtë vija

Gozhduar katra në shkollë.

E para, dritë, te çatia,

Tjetra përfund, “me njollë”.

 

Mbaroi shkolla, shijojnë jetën...

Katra, në timon, në ballë,

Nën fre e mban dhjetën,

Mbi të, hipur gjashtë shkallë !