Poezi nga Xhevahir Citrongul

Poezi nga Xhevahir Citrongul

  Krojet e fshatit tim

U tretën dashuritë nëpër kohë

Mbi gurë tek ecja tek ai krua,

Zemrës i fola veç një fjalë

Ëndrrat pas kaq vitesh  m’u zgjuan.

 

Erdha  prap  të  pi pak ujë

Pas kaq vitesh  aty në krua,

Dhe loti çeli si lule shtogu

Si shtozvalle dashuritë loznin

Mbi supe tek unë pa pushim.

 

Etjen e mallit me ujë kroi atje shova

Dhe plagët e shpirtit gjetën qetësi;

O kroje të mija, më falni një çast

Lotin e argjent e lash  aty  në fshat.

 

Dritares së shpirtit butësisht i pëshpëritin  

 Bashkë me retë e bardha, atje në qiell;

Si lulet e prillit polenin përthithin

Të pathënat e dashurisë në kroje

Ashtu si sumbulla uji yjet ndriçonin

Sërish  skutave të shpirtit tim.

 

Krojet  gurgullonin  ujë pa pushim

Si dikur lava fytyrën kur isha fëmijë;

Veç tani  me flokë të thinjura mbi kokë

Krojet m’u lutën ‘’Eja prapë biri im!’’.