Bashkim Saliasi: Burgu

     Bashkim Saliasi

                                                         Burgu 

Gjithë natën nuk mbylla sy. E gëdhiva duke pirë cigare, sa shuaja njërin, ndizja tjetrin. Shoku im, Nikoja,që  flinte në krahun tim, u ngrit i trembur nga një makth që kishte parë në ëndërr.

-Po ti nuk ke fjetur fare, -më pyeti Nikoja gjithë kureshtje.

-Jo, gjumi mu largua pas gjithë asaj zamallahie që na krijoj shoku ynë mbrëmë, po eja t`u hedhim nga një grusht ujë syve dhe të dalim mos gjejmë ndonjë makinë për të ikur sa më parë, sepse siç po vijnë punët, kemi për ta pësuar keq.

-Shyqyr,- thamë me Nikon,- shpëtuam nga kjo gjullurdi që na krijoj kolegu ynë.

Shkuam te çezma, që gjendej afër shtëpisë së vjetër të Jani Kostinës dhe pasi u freskuam e ndezëm nga një cigare morëm rrugën për te kisha afër stacionit të urbanit  që shkonte për në Patra.

Pasi përshkruam pjesën më të madhe të rrugës së bashku me Nikon, u ndamë, ai nga ana e bregut të detit, se mos gjente ndonjë furgon, kurse unë mora rrugën për te kisha se mos ktheja disa lekë shqiptare në dhrahmi.

Dola në rrugën kryesore. Ishte herët dhe qarkullimi i makinave ishte i rrallë. Ajri i freskët më mbushi me një ndiesi shprese. Ndeza një cigare dhe isha përhumbur në ndodhinë e një dite më parë, kur kolegu ynë me preteksin se kishte gjetur një maune për transportin tonë në Kakavijë, mblodhi në sheshin ku rrinim rreth 30-40 shqiptarë, që donin të ktheheshin në Shqipëri. Maunia nuk erdhi me preteksin se kishte bërë karambol atë ditë dhe, nga ora njëmbëdhjetë e natës u larguan të gjithë djemtë në drejtim të autobuzit që nisej nga Rio për në Kakavijë.

Atë ditë qëlloi e diel. Në rrugën kryesore nuk kishte shumë qarkullim makinash dhe këmbsorë. Dielli sapo kishte lindur. Nuk isha futur akoma në nënëkalimin që të çonte te kisha, kur befas  një djal i ri me kokë të qethur kaloj para meje duke ecur me vrap sa i hanin këmbët, i ndjekur nga një civil rrondokop, më shumë i gjerë se i gjatë. S’ma mori mendja që personi që ndiqte djaloshin nga pas të ishte punonjë i asfalias. Ai kur e pa që djaloshin nuk e arrinte dot, u ndal para meje dhe foli duke dihatur.

-Alvanos!

-Ne, -iu përgjigja!

-Asfalia. Ela mesa, ë! - dhe më kapi prej krahu  e më drejtoi tek autobuzit që qëndronte i ndezur gati për nisje. Sado që u mundova t'i shpjegojë se, jam për në Kakavijë dhe i tregova faturat e plaçkave që kisha blerë, ai as ua vuri veshin fare lutjeve të mia. Ngula këmbë dhe i shpjegova se jam me vizë dhe i tregova gjitha faturat e tre frigoriferve, dy televizorve, makinës qepse etj, por ai më mbante fort prej krahu duke dihatur te dera e autobuzit më shtyu me forcë gati sa nuk u përplasa me shoferin që kishte dalë nga timoni për t’a ndihmuar atë.

-Gjithçka ndodhi aq papritur dhe në mënyrë të beftë, sa unë nuk mblodha dot mendjen të largohesh ashtu sikundër bëri djali me kokë të qethur. U ngrita në këmbë dhe vija vërdallë në autobus se mos shikoja ndonjë të njohur, minoritar, që t’i jepja ato pak dhrami që kisha ruajtur për transportin deri në Kakavijë.

Autobuzi në stacion qendroi gati një gjysëm ore. Gjatë atij orari, të gjithë refugjatët delnin për punë te kisha dhe këtë orar e shfrytëzuan mirë punonjësit e asfalias.

Pak nga pak autobuzi u mbush dhe po bëhej gati për nisje.

“E pat kjo punë” - thashë me vete, - i gjithë mundi i punës së dy muajve mbeti po në Greqi. Një shpresë më mbante gjallë. Deri sa Nikoja nuk erdhi tek autobuzi, do të thoshte se i kishte shpëtuar asfalies.

Në një moment polici rrondokop u shkëput nga dera e autobuzit dhe  i’u afrua një burri të gjatë, që nuk ngjante me refugjatët e tjerë. Polici  e pyeti si duket nëse kishte pasaportë. Burri futi dorën në xhepin e brendshëm të këmishës,  nxori pasaportën dhe ia zgjati policit grek. Polici po merrej me pasaportën kurse burri i thirri pronarit  grek që qendronte katër pesë metra larg tyre me shpinë nga autobuzi.

Pronari grek u kthye nga i erdhi zëri dhe pasi u përshëndet me policin grek dhe ndezën nga një cigare e la burrin të lirë dhe rendi drejt stacionit ku qendronte autobuzi gati për nisje. Në moment mu kujtua se ai burri ishte nga Elbasani dhe njihej me Nikon pasi kishin punuar disa ditë bashkë. E thirra  burrin të afrohej afër autobuzit, por pronari grek nuk e lejoj.

Për fatin tim të mire, njëri nga minoritarët që kishte kohë që punonte në Patra po bisedonte me shoferin e autobuzit. U zgjata në dritare dhe ju luta nëse kishte mundësi të më bënte nder që, dhramitë dhe lekët shqiptare t’ia jepte Nikos pasi ai e dinte se ku rrinim ne gjatë atyre dy muaj të verës  që punuam në Rio.

Autobuzi ishte gati për nisje por rrondokopi u shkëput përsëri nga dera e autobuzit dhe rendi me vrap drejt kishës. Dy shqiptar  që dolën për punë as nuk e kishin idenë se ç’farë po ndodhte atë mëngjes në stacionin e autobuzit të Rio-Patra.

Të gjithë refugjatët kthyen kokën nga kisha dhe po ndiqnin veprimet e policit rrondokop. Ata i treguan pasaportat, por ai ngriti grushtin lart, gati për ta qëlluar atë më të riun duke bërtitur; -Stamata!

Polici rrondokop i kapi të dy për krahu dhe me një fytyrë tejet të kënaqur dukej shumë krenar,  a thua se po u tregonte shokve të tij si ai kishte kapur dy kriminelë të rrezikshëm.

Rrondokopi pasi u rehatua në sediljen e parë urdhëroi shoferin që të nisej. Autobuzi hyri në rrugën kryesore dhe përsëri polici rrondokop e urdhëroi shoferin          që, në qoftë se shikonte shqiptarë, të ndalonte autobuzin.  A thua se shqiptarët e kishin të shkruar në ballë dhe ky polic sot kishte marrë rolin e heroit për pastrimin e qytetit nga “alvanozët”, siç na quanin në ato vite ne refugjatët grekrit në Greqinë e Aristotelit.

Në stacionin e tretë, disa shqiptarë prisnin autobuzin e linjës Rio-Patra për të shkuar në punë. Polici rrondokop kur pa se aty kishte shumë shqiptarë i qeshi fytyra dhe urdhëroi shoferin që të ndalonte autobuzin një metër më larg stacionit.

Pasagjerët që prisnin për të udhëtuar për në Patra u turrën drejt autobuzit. Polici rrondokop qëndroi para autobuzit dhe urdhroi policin tjetër, një djalë simpatik me mustaqe të trasha pis të zeza, që të dilte nga pas autobuzit.

Shqiptarët e zënë në “grackë” të detyruar nga policët hynë brenda na autobus. Dy djem qëlluan të ishin minoritar dhe nuk dëgjuan të hipnin në autobus. I treguan pasaportat policve dhe pasi u përshëndetën me ta u larguan në drejtim të stacionit të autobuzit.

Pas disa minutash autobuzi frenoi para një godine katërkatëshe në qytetin e Patrës.

Me sa kuptuam, ky ishte rajoni policisë.

Në fillim zbritën dy policët grekë, pastaj ne.

-Ela, ela, grigora, mesa, - bërtisnin të dy policët grekë.

Hym në hollin e katit të parë dhe më pas na drejtuan për në bodrum ku u hap një portë e madhe e ndërtuar me hekur të trashë sa llëra e dorës. Bodrumi kishte një korridor të gjatë dhe disa dhoma me nga një dyshek e batanie që po t`i lëpinte lopa rrezik të ngordhte në vend.

Në atë koridor të gjatë të atij pallati katërkatësh deri në ora dhjetë u bëmë mbi 85 vetë. Një zamallahi e madhe, që s`e merrte vesh i pari të dytin. Refugjatët brtisnin dhe ankoheshin se ishin me pasaporta të rregullta. Disave u kishin mbetur dhramitë pa marrë te pronarët që kishin punuar. Prapa hekurave të kyçur me një kyç nga ata të tuneleve ushtarake, qëndronte një policë me kallash në dorë duke bërtitur hera- herës:-Stamata!

Një djal i ri trupmadh, muskuloz, që dinte greqisht, e shau policing grek që rrinte te porta duke i thënë se “ju po na trajtoni si kafshë, jemi me pasaporta, kemi ardhur për punë dhe jo të na trajtoni në këtë lloj mënyre, etj.

Polici u ankua te dy shokët e tij, të cilët erdhën dhe e morën djalin dhe e ngjitën në katin e dytë. Kur u kthye pamë se ishte gjakosur nga fytyra dhe nga hundët i rridhte gjak.

Djali dihaste dhe shante sa i hante gurmazi…

U tërhoqa diku nga fundi i turmës dhe ndeza një cigare. Në moment më afrohet një djalë që kishte veshur një palë pantallona të shkurtëra dhe një triko pambuku.

-Të lutem, më jep një cigare, - foli djaloshi pak me ndrojtje.

Më vonë më tregoi se ishte nga Tirana dhe banonte në fermën e Babrrusë. Policët kishin shkuar që herët në mëngjes dhe i kishin marrë nga vendi ku flinin ashtu sikur i kishin gjetur në gjumë dhe nuk i kishin lejuar te visheshin dhe te merrnin rrobat e tyre.

M’u prezantua me emrin Agim dhe  nuk  m’u nda deri sa erdhëm në Kakavijë. Rreth orës dhjetë, një punonjës civil i shoqëruar  nga  një  djal i vogël që dinte shqip, përktheu fjalët e policit dhe urdhëroi të mbanim qetësi dhe të dëgjonim se çfarë do thoshte shefi.

Djali që nuk ishte më shumë se dymbdhjetë vjeç përktheu fjalët e policit. Do ngjiteni lart në katin e tretë dy e nga dy te zyra e shefit të policisë dhe  ai do t`u kontrollojë pasaportat dhe do t’u thotë nëse i kini të rregullta apo fallco.

Radha më takoi shpejtë, pasi në ato momente bashkë me djaloshin nga Tirana po qendronim afër derës duke pirë cigare. Për në katin e tretë na shoqëronte një polic i dobët të cilit i vinte keq për ne dhe duke ngjitur shkallët përsëriste fjalën; krime, krime.

Kur iu afruam derës, polici na ndaloi dhe trokiti në derë. Nga brenda u dëgjua një zë i çjerrë i shefit të policisë.

- Hyrë! - Polici hapi derën dhe ne e ndoqëm nga pas. Burri që qëndronte në këmbë afër dritares urdhëroi policin të priste jashtë dhe pranë vetes mori djaloshin e vogël.

Në tavolinën tjetër pranë kompjuterit qendronte një grua simpatike. Flokët kaçurela dhe parfumi që ajo kish përdorur tregonin se kishte të bëje me një artiste dhe jo një police të asfalias greke. Ajo heraherës hidhte sytë nga ne dhe buzqeshte ëmbël.

Shefi foli me një greqishte shumë të pastër. Djali vogël përkthente dialogun tonë.

-Nga jeni?

-Nga Shqipëria, - iu përgjigjëm të dy me një gojë.

-Keni pasaporta?

-Po, - fola unë, dhe ia zgjata pasaportën. Pasi mori pasaportën time, ai  filloi t’a vërtiste ndër duar dhe pas pak më urdhëroi të ulesha në tavolinë dhe të shkruaja gjithë gjeneracionin tim që përmbante pasaporta, praktikë kjo që policët grek e praktikonin sa herë që kapnin refugjatë shqiptarë.

Gjatë kohës që unë po shkruaja shefi pyeti djalin nga Tirana. Përgjigja e tij ishte se nuk kishte pasaportë pasi ajo i kishte humbur. Pasi mbarovam së shkruari në letër gjeneracionet e mia, kisha harruar emrin e babait të shokut që unë i kisha blerë pasaportën me vizë të rregullt dhe i kisha ndërruar fotografinë.

Polici mori në dorë pasaportën dhe filloi t’i krahasonte me gjeneracionet e shkruajtura në letër. Djali i vogël, i cili qendronte si ai zagari që pret shpërblim nga gjahtari pas një gjuetie të mirë, gjithë gëzim i tha policit, “plastiko”.

Guxova dhe desha të sqaroi shefin e policisë se viza është e rregullt, se unë jam me punë mësues në Shqipëri dhe erdha për të punuar këto muajit e verës që kemi pushime shkolle këtu në Greqi.

-Ja dhe faturat që kam bërë pazar me pagesën që më ka paguar zoti Jani Kostina për punën që bëja në zdruktari. Si duket polici e njihte Janin, një nga pronarët e mëdhenj të zonës ku ai banonte në Rio.

-Jashtë, - bëri me dorë, - ju do niseni për Kakavijë, ato që ke blerë le të qendrojnë aty ku i ke lënë, te magazine e Janit.

Tiranasi u përpoq t’i shpjegonte shefit gjysmë shqip e gjysëm greqisht se i kishin mbetur leket pa marrë nga pronari për punën që kishte bërë për dy muaji në ngarkim - shkarkim (balash), bar e jonxhe të korrur, por shefi ktheu i kurrizin dhe nuk i dha asnjë përgjigje. Djali po priste përgjigje nga shefi, vetëm kur ai bërtiti me një ulërimë.

-Pissu alvanos, pisu.

 Ktheva kokën dhe pash që shefi ishte zverdhur në fytyrë. Tiranasi u tremb shumë dhe në vend që të dilte nga dera, u afrua te tavolina që rrinte policja që kishte vënë buzën në gaz. U ktheva pas dhe kapa djalin për dore dhe dolëm në korridor.  Në hollin e katit të parë dy polic mbanin për zinxhiri dy qen kufiri pa hundje dhe nga një shkop druri. U ulëm përsëri në bodrum dhe pritëm sa të mbaronin të gjithë.

Rreth orës dymbdhjetë mbaroi séanca e marrjes në pyetje. Bodrumi i katit të parë të atij pallati buçiste nga thirrjet dhe sharjet e refugjatëve shqiptarë, por askush nuk e “vinte ujin në zjarr” e të kujtohej se kishim nevojë për ujë e ushqim.

Urdhërin e mësuam shpejtë. Shefi kishte bërë gati dy  autobuzë për në Kakavjë.

Polici hapi derën dhe na urdhëroi të dilnim në hollin e katit të dytë. Pesë policë që mbanin në duar shkopinj dhe dy prej tyre dy qenë pa hundje kishin zenë derën kryesore.

Na nxorën dy e nga dy nga një deriçkë drejtë e në autobus. Pasi na ulën në sedilje, na vendosën prangat duke na lidhur dy e nga dy. Autobuzi ishte mbushur plot dhe në sediljet e para qendronin tre policë.

Nga pamja e jashtme të gjithë refugjatët dalloheshin se ishin me origjinë nga fshati. Sytë e zinjë të policit që qëndronte në këmbë silleshin me egërsi mbi kokat tona, duke na treguar se tani e tutje kishim të bënim më të.

Goja më ishte bërë helm nga cigaret. Kisha gati një ditë e gjysëm që nuk kisha vënë gjë në gojë. Ndieja një mospërfillje për veten time aq shumë isha tronditur për fatin e keq që më ndodhi dhe shkak i të gjitha këtyre vuajtjeve ishte egoizmi i kolegut tim që e kisha marrë me vete në Greqi, i cili refuzoj të merrnim furgonin që gjetëm ditën e parë me 50 mijë dhrami

-Jo, na kundërshtoi, janë shumë. Unë me Nikon nuk i kishim aq para dhe u detyruam të punonim dhe disa ditë të tjera për të siguruar dhramitë e rrugës.

Autobuzi u nis. Në Rio, te stacioni autobuzit zgjata kokën mos shikoja ndonjë refugjatë, por atë ditë kishte rënë “bumja” dhe nuk kishte mbetur asnjë frymë njeriu.

Në Rio na hipën në traget dhe nuk na zbritën nga autobuzat. Policët zbritën nga autobuzi. Vetëm shoferi qendroi brenda duke siguruar dyert. Ishte sezon plazhi dhe trageti ishte mbushur me turistë, disa të veshur dhe disa me rroba banje.Turistët të veshur me rroba banje lëviznin lirshëm nëpër ambjentet e tragetit, kurse ne, të mbrthyer me pranga “shijonim” vetëm lirinë e të parit.

Brenda në autobus kishte plakosur heshtja. Vetëm shoferi kishte ndezur një cigare dhe shikimin e kishte tretur  tejet në horizont, ku pulbardhat uleshin e ngriheshin me vërtikë në dallgët e detit.

Përballë shkëmbinj të thepisur, që binin si thikë në brigjet e detit Jon. Valët loznin me kaltërsinë e tyre, duke u përplasur  me furi në brigjet shkëmbore që zbrisnin si një ballkon fantastik në thellësit e detit.

Të gjithë ne refugjatët, të mbërthyer me shikim pas xhamave të dritareve të autobuzit, përjetonim çaste pakënaqësie, duke ëndërruar me sy hapur lirinë e humbur.

Ishin ditët e fundit të muajit gusht. Dielli i nxehtë përvlues bënte që ne te kullonim në djersë. Poilcët nuk na lejonin të hapnim dritaret, kurse derën e parë e mbanin hapur dhe heraherës hidhnin shikimin nga ne, a thua se ishim zogj me krah dhe do të fluturonim.

Kur u kthyen dy policët mbanin në duartë e tyre gotat të mbushura me kafe. Udhëtimi me traget mbaroi shpejt dhe autobuzi zbriti nga trageti në qytezën e Anthirios.

Policët pasi na hodhën një shikim përbuzës u shtriqën në sediljet e tyre.

Mesditë! Kulmi i vapës. Të gjithë heshtnim. As miza nuk përpinte, por vetëm zhurma e skrapamentos së autobuzit heraherës prishte qetësinë që mbretëronte kudo. Për çudinë tonë edhe pejzazhi jashtë autobuzit qe krejt monoton.

Bregdet shkëmbor, gjithë kthesa dhe me gryka të shumta. Pa hapësirë, pa horizont. Pejzazhin piktoresk të qytetit të vogël të Ambrakisë e kaluam në heshtje të plot.

Më kishte kapitur gjumi. Në hyrje të qytetit të bukur të Artës më zgjuan zhurmat e shokve që  i’u luteshin policve të blinin ujë dhe ushqime, por ata kundërshtuan prerazi duke u bërtitur: - Stamata!

Arritëm në qendër të qytetit të Artës. Vëmendjen ma tërhoqi kalaja, e cila shtrihej sipër një kodre të madhe. Qyteti shfaqej i qetë. Ishte kulmi i vapës dhe lëvizjet e këmbësorëve ishin të pakta, vetëm makinat lëviznin me shpejtësi në të dy krahët e rrugës.

Pas disa çastesh qyteti humbi në horizont.

Pas tre ore udhëtimi, autobuzi qëndroi papritur buzë një pylli me pisha.

U hap dera dhe dy prej policëve u ulën për të kryer nevojat personale. Pas lutjeve të shumta policët na lejuan dyshe – dyshe, siç ishim të lidhur të urinonim, duke qëndruar pas shpine, për të na kapur në rast se tentonim të iknim me vrap në pyllin e dendur me pisha.

Në ndenjësen para nesh ishte një burrë me thinja, që nuk pushonte për asnjë çast pa u ankuar. Pamja e tij të frikësonte. Ai kishte ditë që nuk ishte larë dhe vinte një erë e keqe nga djersa, që kishte mbuluar lëkurën e tij gjithë zgjyrë.

Ishte veshur me një palë pantallona të shkurtëra dhe një bluzë të bardhë, kështu dukej nga ngjyra që i kishte dalë dhe grisur në anën e djathtë të shpatullës.

-Ku do shkoi unë i ziu në fshat si jam katandisur kështu? Më morën nga vendi ku flija dhe nuk më lanë të merrja as lekët dhe as një gjë tjetër.Të gjitha mbetën varur në anë të ferrës ku ne flinim, - u tregonte shokve të tij që kishte para.

Ata që e kishin para si duket ishin  të njohurit e tij dhe  qendronin indiferent dhe dukej sikur donin t’i thoshin: “A ç’na çave kokën!”

Mbylla sytë dhe përsëri më kishte zënë gjumi. Më zgjuan përsëri zërat që vinin nga mesi autobuzit. Refugjatët po u luteshin policve që t’i lejoni të blinin ujë dhe diçka për të ngrën, por ata bënin sikuk nuk dëgjonin.

Hymë  qytetin e Janinës shoferi frenoi fortë. Para syve të mi u shfaq liqeni Janinës. Rrezet e arta të diellit shkëlqenin mbi sipërfaqen e tij dhe krijonin një pasqyrim të magjishëm. Lam qytetin e bukur të Janinës dhe morëm rrugën për në Kakavijë.

Përsëri më kishte kapitur gjumi dhe në një moment shoferi frenoi autobuzin. Dora ime u lëndua nga tërheqja që  bëra për t’u mbajtur. Të njëjtin fat pati dhe shoku im që ishim prangosur me një palë pranga. Duartë na u gjakosën dhe dhimbja më theri në çaçkë të kokës. Po ç’të bënim? Ky ishte fati ynë.

-Tani po i afrohemi vendit ku qëndrojnë ushtarët në patrullim, - foli shoku që ishte ulur në sedile me mua. - Ata ushtarët aty janë shumë të poshtër. Po të zunë, le lekët që t`i marrin, por edhe torturat nuk kanë të sosur, - filloi të tregonte ai.

-Lëre, mos e pyet, - foli shoku i tij që ishte pas nesh, - unë që e kam provuar e di se ç’kam hequr nga ata të mallkuar.

Dhe ja më në fund arritëm në doganën greke në Kakavijë. Të gjithë u gjallëruan. Më në fund do dilnim nga ai ferr ku ishim zhytur. Hodha sytë drejtë doganës. Makina të mbushura plot me plaçka vinin nga Greqia, kurse nga dogana jonë kaloi një maune e gjatë që na u desh kohë të prisnim që të kalonte ajo dhe, më pas, autobuzi ynë të parkohej.

Në momentin që autobuzi ynë u parkua, dy ushtarë kishin vënë para tre djem të rinj dhe u bërtisnin: - grigora malaga, grigora!..

Kur u afruan te dera e doganës ushtarëti urdhëruan djemtë të uleshin në gjunjë. Nga brenda ndërtesës dolën dhe tre ushtarë të tjerë, që në duart e tyre mbanin thika të gjata.

Njëri nga djemtë kundërshtoj të ulej në gjunjë dhe në atë moment të dy ushtarët u lëshuan si ajo shqipja që i lëshohet zogut për ta shqyer me kthetrat e saj, fut e bjerë me shkopinjë sa t’u hante krahu dhe ku t’a zinte qyqarin.

Djali ra përmbys dhe mbuloj vetëm kokën me dy duar dhe nuk nxorri zë. Njëri nga ushtarët e gjuajti me shqelmë në stomak dhe djali mbeti pa frymë. Tre ushtarët e tjerë qeshnin me veprimin e shokve të tyre dhe, më pas, pasi rrahën dhe dy djemtë e tjerë, i detyruan të qëndronin ulur kurriz më kurriz me njëri - tjetrin në formë rrethi.

Të gjithë heshtënin. Ç’mund të bënim!

Secili shikonte hallin e tij dhe askush nuk ndërhynte të ndalonte veprimet barbare të ushtarve. Policët grekë qeshnin dhe pajtoheshin me veprimet e ushtarve, që shërbenin në doganënë e Kakavijës.

As skllevrit në shekujt e kaluar nuk trajtoheshin në këtë mënyrë!

Ishte pasdite dhe lëvizjet ishin të pakta. Rrugëtimi na zgjati pesë orë nga Patra në Kakavijë. Policët na zbritën nga autobuzi dhe filluan të na hiqnin prangat dhe  na grumbulluan në sheshin para doganës. Ushtarët e shërbimit të pajisur me thika dhe shkopinj druri qëndronin në gadishmëri të plot. Më në fund shefi i doganës urdhëroi hapjen e derës dhe na porositi që të mos ktheheshim më në Greqi se do e pësonim më keq se kësaj radhe.

Refugjatët pasi kaluan portën filluan të shanin policët grekë dhe, më në fund u desh ndërhyrja e policëve të doganës sonë, që të largoheshim për në tokën shqiptare…