Nimon Muçaj
ATË GJEÇOVI DHE DOKTORI AUSTRIAK
fragment nga romani
Një pasdite të vonë, Atë Leka e kreu meshën shpejt e shpejt dhe u mbyll në dhomën e tij. Ishte dhjetor dhe mbrëmja erdhi shumë shpejt Ditët ishin të shkurtëra. Marku pasi ndezi zjarrin, u mbështet pranë shtratit të Fratit dhe për pak e zuri gjumi. Dera u hap. Motër Kata hyri në dhomë si një flutur e padukshme, sadoqë moshën nuk e kishte të ecte aq lehtë.
-O, Atë!- tha ajo.- Konsulli Austro-Hungarez të ka dërgue doktorin personal. A mund t’i marrë lejen e zot-nisë tuej për me e sjellë këtu?
-Çka po pvet, moj motër?- tha Marku dhe brofi në këmbë ashtu i përgjumur dhe ende nuk e dinte mirë se për çka ishte fjala.
-Prit pak,- bëri Atë Shtjefni dhe krehu mustaqet. Ti Mark rregulloje vendin pak! Doktorin nuk mund ta presë kështu i shtrimë!
-Si të doni,- tha Kata.
Atë Shtjefni u ngrit dhe u ul në karrigën e drunjtë. Motër Kata mori jorganin dhe postajen dhe i futi në dollapin e murit. Marku rregulloi stolat dhe mandej u afrua te oxhaku. Shprushi unat dhe hodhi edhe një cung pishe në zjarr. Rrëshira u dogj sa ora dhe aroma e saj e mbushi dhomën. Atë Shtjefnit iu çelën flegrat e hundëve. Pas pak teshtiu dy a tri herë.
-Shëndet,- thanë përnjëherësh motër Kata dhe Marku.
-U shëndoshe,- tha Marku pas pak.
Thuej: Ptu- ptu....!- tha motër Kata.- Syni i keq mos e paftë! Atë Shtjefni buzëqeshi dhe po merrej me garde-robën e tij allafrënga. Kata doli dhe shpejtë u kthye me doktorin.
-Mirë se erdhe, doktor,- tha Atë Shtjefni.
-Mirë se ju gjeta!- uroi doktori në gjuhën shqipe.- Po ti qenke shëndosh si uku i maleve të Pashtrikut,- foli përsëri shqip, veçse me vështirësi e shqiptoi emrin Pashtrik. Ai e zuri për krahësh Fratin dhe e shikoi me habi.- Nuk paska konë e vërtetë se ke ba dergjë të randë…
-Ardhja jote e çoi në kambë,- tha shërbëtori.
-Doktor, të mundova deri këtu?-tha Frati.- Por ka disa ditë që nuk jam konë mirë me shëndet!
-Nuk dukesh edhe aq keq,- tha doktori. Atë Shtje-fni u kollit paksa dhe ia bëri me kokë Katës. Ajo doli e Marku po merrej me takëmin e mjekut.- Kur u pamë në Konsullatën tonë në Shkodër, muejn e kaluem, ti nuk ishe aq mirë me shëndet apo mua m’u duk. Ose më tepër e kishe nga që, t’u kishte ba verem hapja e shkollave shqipe kudo nëpër trollin e Arbërit...
-Zotni doktor, konsullata juej na ka përkrahë dhe na, nuk do t’ju harrojmë këtë kurrë! Asht ba nji punë aq e mirë kudo nëpër Kosovë, se andej në Arbni, sadokudo mësimi shqip asht i lirë.
-Meshtari ynë ka udhtue kambë që nga Prizreni kudo nëpër Malësinë e Hasit e deri në Gjakovë. Kjo i ka shkaktue ndonji plevit,- tha Marku dhe zuri buzën me dhëmbë se Atë Shtjefni ia bëri me kokë që mos të fliste.
-A mund të na lini pak vetëm,- tha doktori.
-Posi,- tha shërbëtori.
-I trego edhe Katës,- ia bëri Atë Shtjefni. Marku doli.
-A mund të flasim lirisht,- tha doktori.
- Jemi vetëm,- tha Atë Shtjefni.
-Mirëpo edhe në praninë e shërbëtorit dhe Katës unë nuk fshehi gja,- tha doktori!- Jemi të nji grigje, si thoni ju arbnorët,- dhe buzëqeshi lehtas.–Muslimanët po na thonë, se këtu doni me e sjellë llatinin!
-A kështu nuk kam dëshirë me fol,- tha Atë Shtjefni dhe zuri lapsin ndër duar. Desh të shënonte diçka nga përshtypjet e këtij takimi por ndërroi mendje.
Doktori u ngrit dhe shikoi përjashta nëpër dritësoret e konakut. Mjegullat e fund nëntorit kishin zbritë deri në katund. Ishte një pasdite e vrejtur, por herë pas here, heshtjen e thyenin zilet e dhive dhe këmbanat e tufave me dhenë, që barinjtë i nxirrnin në dushk dhe krand. Kjo ishte diçka më shumë se pitoreske për doktorin. Këto mjegulla bashkë me tingujt e zileve të bagëtive, si dhe shpërndarja e tyre nëpër ato pëllaja mali, sikur i kujtonin Austrinë e tij. Sepse edhe ai vinte nga një katund malor, ku klima ishte diçka e ngjashme me atë të Zymit.
Kata i ra lehtë derës. Doktori kërceu nga vendi dhe ktheu kokën drejt Fratit për të kërkuar sqarim.
-Mos u shqetësoni,- tha Atë Shtjefni se e njohu të rënat e shërbetorës. Bëri drejt derës. Kata kishte sjellë çaj bjeshke. Ajo e la takëmin e bakërt të çajit dhe doli.
-Më pëlqen ky çaj i juaj, tha doktori.- Atje në qytet e bëjnë po nga këto lule por aroma është disi më e rëndë.
-Neve barijtë na e sjellin dorat e çajit porsa të pi-qen. Pa u shkundun ajo lulja e kunorës,- foli Atë Shtjefni dhe ia ofroi doktorit kutinë me rrasa sheqeri.
-Ende paskeni sheqer kokërr,- u habit doktori se kishin kaluar vite qysh kur autriakët kishin sjellë sasi të konsiderueshme sheqeri kudo nëpër Kosovë.
-Motër Kata i ruen me kujdes dhuratat e miqve,- buzëqeshi Atë Shtjefni.
Doktori u ul sheshit pranë oxhakut. Hapi çantën me kujdes dhe prej andej nxori instrumentet e tij dhe të gjitha i lëshoi në raftin pranë.
-A mund t’i heqni rrobat,- tha doktori. Atë Shtje-fni lëvizi paksa. E hoqi litarin me kryq dhe e la pranë pasi e puthi lehtas. Pastaj i hoqi edhe rrobat.
-Ulu këtu pranë vatrës se mos ftohesh,- tha doktori.
- Jo nuk kam të ftohtë,- ia priti Atë Shtjefni.
Doktori mori stenoskopin dhe nisi me dëgjimin. Frati u kollit lehtas.
-Kollitu ma shumë,- ia bëri doktori.
Atë Shtjefni u kollit dhe për pak mbet pa frymë. Doktori e la stenoskopin në raft. Pas pak Frati e mori ve-tën. Mandej ia vuri gishtin tregues në shpatulla. Me gi-shtin tjetër tregues të dorës së djathtë e ngriti gishtin nga shpina dhe e lëshoi gati me forcë mbi shpatull ndërmjet brinjve duke e përsëritur këtë veprim deri te gjysma e shpinës.
-Me këto shkolla sikur shumë po e mundon,- ia bëri doktori.-Ti ke Famullinë. Këtu mund të bisedosh me njerëzit! Kjo të mjafton!
-Unë due që fëmijët shqiptarë të mësojnë shkrim e lexim. T’i mësojnë shkronjat shqipe. Mandej ata vetë do të kërkojnë me nxanun dituni ma të leverditshme për fenë dhe për shkencën përgjithsisht! Kështu mësojnë edhe fëmijët e Evropës. Na andej i kemi sytë,- dhe dorën e zgjati andej kah mund të binte perendimi...
-A e di se me këto mësime ti po e rrëzikon veten,- i tha doktori.
-A po mendon se nuk e kam nji forcë të mjaftue-shme që të endem, prej katund në katund nëpër këto shpatije mali,- pyeti Atë Shtjefni.
-Nuk e kam fjalën vetëm te shendeti por...,- tha ai dhe u ndal.
-Por çka?- shikoi me habi Atë Shtjefni.
Doktori heshti. Përsëri e mori stenoskopin dhe ia vuri në shpatullën e djathtë.
-Mos merr frymë,- tha doktori.- Vetëm pak! Ashtu! Merr frymë! E di çka? Thoni se jeni popull i vjetër, apo?
-Ashtu asht!- tha Atë Shtjefni.
-Kollitu pak,- dhe e hoqi stenoskopin.- Mirë! Mu-nd të vishesh se na u ftoh çaji!
Atë Shtjefni u vesh me nge. Doktori e mori tasin me çaj dhe e piu pak.
-Qenka tamam i ngrohtë, - tha buzagaz.
-Mos e pi të ftohtë,- ia bëri Atë Shtjefni.- E thërras Katën e ajo e ngroh sa ora. Ose e vlojmë tjetrin përsëri.
-Jo, tamam asht. Merre dhe provoje,- ia priti. Atë Shtjefni e mori tasin. Piu pak dhe rrudhi buzët.
-Nuk e paskam shkri sheqerin,- tha dhe me lugë e përzjeu çajin.
-Je i ftohur pak në anën e djathtë,- i tha Atë Shtje-fnit.- Do të japë disa ilaçe dhe shpejtë të kalon. Ndonja dy a tri javë duhet të rrijshë në shtrat.
-Në shtrat nuk mundem me ndejtë aq gjatë. Nxan-sat e vegjël, me padurim presin për me i ndjekun mësi-met e gjuhës shqipe,- tha Atë Shtjefni.
-Më thuaj çka të duhet shkolla shqipe andej Dri-nit?- pyeti doktori.- Këndej Drinit ke nxënësa mjaft?
-Po edhe andej Drinit i thonë Shqypni,- tha Atë Shtjefni qartaqejfas.
-Shqipni?- u habit doktori. -Ata thonë se gjindemi në Stara Serbi. Mandej ata thonë se jemi turq!
-Ata nuk janë turq! I kemi vëllazën! Të gjithë janë shqiptarë. Të nji gjaku dhe të nji trungu!- tha me gjysmë zëri Atë Shtjefni.-Të nji grigje jemi të gjithë: musliman e katolik. Këtu në Kosovë nuk kemi ortodoks. Pra, të gjithë duhet ta mësojnë gjuhën shqipe, se asht gjuha e nanës, që na përkundi qysh në djep. A më kupton,- tha më në fund.- E sa për emnin, Stara Serbia, kështu po na thirrë edhe Evropa, se po ia ban qejfin Serbisë...
-Nuk po të kuptoj,- tha doktori.-Disa shqiptarë po thonë, se jemi truq e musliman! I kam dëgjuar vetë me veshët e mi. Ndërsa ti…,- u zu ngusht doktori. - Edhe në xhami do t’u mësosh fëmijëve shkronjat shqipe, apo?
-Mulla Mustafa t’ua mësojë në xhami?
-Shkronajt latine me ua mësue hoxha?- u habit dok-tori.
-Po,- tha Atë Shtjefni dhe buzëqeshi lehtas.- Të thash se ne jemi të nji grigje. Por muslimanët për shka-kun tuej, ndonjëherë po më thërrasin llatin...
-Aha,- mërmëriti doktori, sadoqë nuk e mori vesh fratin deri në fund.
-Unë nuk mundem me heq dorë prej popullit tim,- tha Atë Gjeçovi.
-Epo tue u mësue shkronjat latine, muslimanët po të thërrasin llatin,- tha gjithë gaz doktori.
-Nuk e besoj se të gjithë nuk më thërrasin llatin. Sa të mësojnë shkrim e lexim dhe të pajisen me dituni kanë me e kuptue, se kush janë konë të parët e tyne. Nji pjesë prej tyne, qysh tash kanë fillue me e marrun vesh, se janë shqiptarë dhe jo turq. Edhe ata kanë pasun njerëz në za dhe shumë të mençëm. Ndër ta kemi pas edhe ortodoks shqiptarë, si Jano Vreto, Pa-shko Vasa, Hoxha Tahsini, i cili ky i fundit përpiqej ta formulonte nji alfabet shqip me shkronja arabe. Ndërsa Sami Frashëri, përveç shkrimeve shqipe ka dhanë shumë edhe për gjuhën dhe kul-turën turke...
-A e sheh? Ata proferojnë turqit, arabët dhe këdo tjetër! Latinët, jo! Duhet të kesh kujdes, Patër!- tha dok-tori.
-Aq keq jam me shendet, apo?- pyeti Atë Shtjefni, sa për të ndërruar bisedë.
-Shëndetit i gjindet ilaçi, por ti e di se Beligra-di...- foli doktori me gjysmë zëri.
-Beligradi mundet me na vra e me na pre, ashtu si ka ba përherë në këto troje, por na e kemi për detyrë vëllaznore dhe fetare, për me e ndihmuemun secilin, që përpiqet për komb, për vatan dhe për gjuhën shqipe,- dhe Atë Shtjefni e hurrpiti me fund çajin.
Motër Kata dhe Marku hynë brenda dhe sollën darken me të gjitha të mirat. Vera nuk mungonte.
-Mirë se erdhe,- uroi Atë Shtjefni, pasi mbushi ta-sat me verë.
-Për shendetin tuaj,- përgëzoi doktori.
-Ju falemnderit, zotnisë tuej!
-Një mashtrapë verë gjatë një racioni mund ta përdorni por jo ma tepër,- i tha doktori Atë Shtjefnit.
Pas darke doktori austriak dhe Atë Shtjefni nde-njën deri vonë duke biseduar për Beligradin, gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë. Por doktori, kurrsesi, nuk mund të besonte, se popullsia e Kosovës me besim islam mund të ishin shqiptarë...