Petrit Malushi: Tregim

Tregim

Nga: Petrit  Malushi

                                                           Fqinji                                                                                                                                                                                 

              Ndieja që fjalët e mia i kishin prekur thellë të pranishmit në kortezh për  përcjelljen e fqinjit në botën e pasgjalljes. Jo vetëm grate, por edhe burrat jepnin e merrnin facaleta nga njëri-tjetri  për të fshirë gjurmët e lotëve mbi  faqe, në fytyrat e tyre të trishtuara. Ata të pallatit në veçanti, të tjerë nga lagjja e, ca të afërm të tij, m’u lutën që të përgatisja diçka në të shkruar,  për ta lexuar në shenjë respekti ndaj fqinjit që na la pas, para se duart tona të shtynin dhe me lopata, mbi arkivol.                                                                                                                                                                      – Ta kryejë  dikush tjetër këtë …,- kundërshtova.                                                                                                                    – Në asnjë mënyrë ,- s’më lanë të mbaroja fjalinë. Ua ke marrë dorën këtyre punëve. Sot do ta prishësh ?    E kush e vërtit stilolapsin më mirë se ty?  Në të tilla raste ti bën edhe gjethet të vyshken e jo më njerëzit  t’u njomen qepallat.                                                                                                                                                                                  .                 U mbylla në një dhomë dhe dola vetëm kur mbusha dy faqe formati  të shkruara. Ia numërova të gjitha. “… Gojëmbli, qejfpaprishuri,  i kudo dhe kurdondodhuri, i papërtuari … Ah, sa e pamëshirmshe  qenka  vdekja … Për këdo nga ne do t’i kishim dhënë leje ta merrte, por jo, jo ty ! Ti jetoje me hallet e të mirat e çdo banori të pallatit, të rrugicës e të lagjes.  Ku gjendej derë mos të hapej para teje?  Fjalëkursyer … Eh, sa shumë gjëra  sytë dhe veshët e tu shikonin dhe dëgjonin, por gojën e kishe kasafortë, që vetëm ti ia dije kodin për ta hapur, ku duhej dhe kur duhej. Vërtet roje objekti  e ngryse jetën, por nuk lije gëzim e hidhërim pa hyrë e pa dalë. Sikur  ishe i lindur për t’iu gjendur  kujdo pranë, edhe kur ndrydhte dorën apo këmbën , pale për gjëra të tjera më të rënda.  Të dytë, veç  teje nuk kishte, me atë  kujtesë si skedar biblioteke. Mbaje mend aq saktë datëlindjet, martesat apo përvjetorët  e banorëve.  Mund të ndodhte që ndonjë prind të harronte për  fëmijët , por s’mund të ndodhte kurrë kjo me ty. Ti  lëshoje urime e ngushëllime në rrugë, te dyqani  ushqimor, te këpucari, rrobaqepësi, furri  i bukës, në sport, te fusha e druve.  Po kur shfaqeshe te pragu dhe e bëje nderin sikur të ishe pjesëtar i familjes ?  Lëre pastaj për mua ! Ishe mbi vëlla, që më ndodheshe pranë në të mirë e në të keq. Të më falësh që unë nuk arrita dot kurrë në nivelin e afërsisë tënde. Boshllëkun që më krijove nuk do t’ma mbushë askush… Mos e ndiefsh peshën e rëndë të dheut !  Shpirti t’u endtë mes të gjallëve !”                                                                                                                                                                                                    .                I përlotur, por më tepër i turbulluar, fletën që lexova në vend që ta futja në xhep e palosa dhe po kërkoja portofolin për ta sistemuar brenda tij. Gruaja më tërhoqi nga menga e xhaketës, si për t’më thënë “Mba mendjen !”   “Eh,- mendova, duke e kthyer dorën që kishte fletën për në xhep, - sa e paskemi dashur njëri –tjetrin”.                                                                                                                                                          .                 - I ndjeri ,- më tha personi që kisha pranë në lokal, mbi të shtatëdhjetat, veshur me kostum blu në të errët , kollare me shirita kuq e zi dhe borsalinë mbi kokën si të shtypur, kur po hanim drekën e lamtumirës,- ta dinte sa ishte gjallë se ti e paske respektuar më tepër se vellezërit  e tij…                                                                                                                                                                  - Lëre,-ia ktheva ,- mos ma shto dhimbjen e kësaj plage të re. Nuk i shpëtonte gjë atij.                                                               Tiparet e bashkëbiseduesit, ndoshta  vokacioni  i  zërit, si nëpër mjegull  më dukeshin se herët i kisha ndeshur diku.  Përjetimi për ikjen e fqinjit nuk më linte të kthjellohesha.                                                                   - Atij ?,- zvarriti pyetjen tjetri , duke u përtypur si ndonje dem në grazhd.  Tani nuk na dëgjon  më. Jo vetëm që s’i shpëtonte gjë, por t’i tregonte gjërat sikur i kishte fotografuar me satelit dhe regjistruar me diktofon. Po t’i  lidhje mirë ç’të thoshte, e ndërtoje  origjinal një portret apo një ngjarje.                                                                                                                                                              Tunda kokën në shenjë miratimi duke shqiptuar : “Ishim fqinjë mbi gjysmëshekullorë“.                                                  Pasi  futi në gojë dy patate të skuqura njëherësh  dhe gjysmoi  gotën me koka-kola  dëgjova : “ Nuk  pretendoj  saktësinë e fqinjit tuaj, por në mos gaboj ju jeni ekonomist” .                                                      - Po,-  u përgjigja rrufeshëm,  duke u përpjekur sërish të shkundja pluhurin e kujtesës  për ndonjë përballje të hershme me folësin.                                                                                                                                          - Dasmën e keni bërë në 29 korrik të vitit 198…dhe lejën e martesës nuk e përfunduat …                                              Poshtë plagës së re, për vdekjen e fqinjit,  mu duk se u gërvisht korja e një plage të vjetër.  Turbullimi që kishte filluar t’më lehtësohej m’u rëndua më tepër.   “Po ky,- thashë me vete,- nga i di këto  ?”                                                                                                                                                                                                 .              “Çfarë u mungoi  juve shoku… për të bërë një dasmë ideale, brenda normave të moralit të shoqërisë  sonë ?”,- më erdhi i kthjellët  zëri i hollë, që më kishte marrë në pyetje vite e vite më parë, tri ditë pasi kisha bërë ceremoninë e martesës. “Mua , - u shpreha  habitshëm,- për dasmë ?!  Asgjë !  Madje pata më tepër se ç’dëshirova dhe ç’kisha menduar …”  “Ashtuuu ! ,- u zvarrit zëri përballë.  Pa mendohu mirë se, si dhëndër i ri duket  je ende i dehur nga kupat e dashurisë”.   Balli, parakrahët dhe mollëzat e gishtave po m’i mbulonin djersët. Sforcova memoren për të kujtuar situatat para dhe gjatë dasmës, por nuk ngeca në ndonjë  prej tyre. “Mos ka ndonjë diçka tjetër,- po grryeja veten nga brenda, – dhe dasma është perde për të mbuluar ç’fshihet pas ?“  “More mishi si t’u duk ?, - më ndërpreu mendimet  tjetri , për ta çuar bisedën në drejtimin që donte, dhe më nguli  vështrimin si ai gjahtari që e ka gjahun në çark, poshtë këmbëve të tij.  E njohe dot  çlloj ishte ? Dashi – a ? Dele-a ?  Viçi-a ? Derri-a ?“  Pyetjet  më kishin goditur si shkopinj gome në mendje e trup. “Nuk jam veteriner …që të jap përgjigje kompetente. Mbase dhe gaboj… por  s’mu duk asnjë prej  tyre …”,- arrita të formuloj dy fjali me shkëputje.  Një buzëqeshje idhnake iu shpërfaq mbi fytyrë. “Kangur keni  patur rastin të shikoni ju shoku… ?”  Kjo do të më befasonte në çdo kontekst  tjetër  e, për më tepër tani m’i arratisi mendimet duke më lënë si të mpirë. Vështrimin, si i një të lajthituri, ia ngriva mbi portret.  “Në ndonjë film ndoshta …” ,- më dolën fjalët  pa vetdije.  Pas disa sekondash heshtjeje dëgjova : “A  di ti që mishi i kangurit ka vlera ushqyese më të mira se mishi i çdo dythundraku tjetër ?  Po që me tufëzat e ngritura përballohen  jo vetëm dasmat e një sezoni  por edhe vdekjet e gjithë vitit ?  Ata atje lart, dhe ngriti dorën e djathtë,  mendojnë për popullin, mirëqenien tonë, i dinë më hollë se ti dhe unë punët. Prandaj kanë sjellë mishin më të mirë që qarkullon sot në tregjet botërore, nga ana e anës… E ti e lëshon gojën pa fre se me këtë mish do të turpërohesh para miqve e shokëve.  Kujton ti se flemë gjumë ne ?!  S’shikojmë e s’dëgjojmë  ç’bëhet e ç’thuhet ?!  Nuk ke për tja hedhur lehtë ! Për  sot mbaruam, por do të të thërrasim prapë”.                                                                                                                                                                                       .                    “Lokalin e prenotova, ja fatura.  Atyre të orkestrës ua dhashë kaparin. Tani mor bir lexoe këtë fletën e menuve bashkë me mamanë dhe vendosni ; nga të tria, kë do të zgjidhni, që të shkoj nesër ta mbaroj edhe këtë punë me ata të kuzhinës.  Mish (kanguri)… Mish (kanguri) … Mish (kanguri)…     Aman moj mami, po pse me mish kanguri do të bëjmë  dasmën time ?! E po të  jesh  në vendin e maleve e fushave  ku  rriten dhën, dhi,derra të butë e të egër, lopë, viça, pula e dasmorëve t’u vësh në pjata mish kanguri ?! Na rruaçin tufëzat për gazetë dhe televizor… Edhe një herë që martohen njerëzit … Mos ngeltë këmbë kanguri  bashkë me ata që i sollën !… “Na, mor na, ule zërin të keqen mamaja , se do të dëgjojnë ! Mbylle atë të shkretë dritare se i ke ballkonet plot me njerëz!  Ja fqinji , ata të tjerët e…Apo s’janë edhe muret tek,  e me tulla me vrima” .                                                                                                                                                                             .                     “Gjashtë muaj a një vit shkuat në minierë, apo në fermë ?” ,- më shpoi  sërish zëri i hollë si turjelë. Pirunin e ngulur mbi fileton e mishit nuk pata fuqi ta ngrija afër gojës. Gishtat e dorës së djathtë ishin hapur dhe ndihesha i këputur për t’i mbyllur. Koraca e kujtesës ishte thyer. Në krahun tim të majtë kisha një nga operativët që më kishte çuar një vit në prodhim, pasi kisha shprehur pakënaqësi  për nivelin e jetesës  në qytet.                                                                                                                                                                          .                    “ Nejse, të shkuara e të harruara se, ky i mori të tëra me vete,- vazhdonte ai me ton të akullt. E kishim ndër bashkëpuntorët më të mirë. Edhe për vëllanë vinte e zbrazej…”                                                                                                                                                                                              .                    Po më përzihej. Rrëmbeva një kartëpecetë,  e vendosa  para  gojës, dhe u ngrita e shpejtova  për nga tualeti. Brenda në lavaman zbraza ç’kisha ngrënë dhe bëra dy-tri  lavazho me ujë nga çezma.  Nxora syzet për të parë në pasqyrën katërkëndore ç’pamje kisha marrë në fytyrë. Nga  xhepi  doli  edhe letra e shkruar, që kisha lexuar në varreza. Ra mbi dyshemenë e banjës. E shtyva me këmbë. Uji që doli me vrull nga depozita e mori me vete.  Nuk u ktheva më në lokal. Nga dera e krahut tjetër dola në rrugë.