Bahtir Latifi: Intervistë me Dr. Ermira Babamusta, autore e librit “Besimi politk në Kosovë” në SH.B. A për revistën “Dituria” në Suedi

 

Intervistë me Dr. Ermira Babamusta, autore e librit “Besimi politk në Kosovë” në SH.B. A për revistën “Dituria” në Suedi

Intervistoi: Bahtir Latifi

Bahtir Latifi: Këto ditë doli nga shtypi libri “Besimi politik në Kosovë” e shkruar nga ju e që i dedikohët Kosovës. Çfarë të shtyri që të shkruash këtë libër?

Ermira Babamusta: Libri “Besimi Politik në Kosovë” (anglisht, Political Trust in Kosovo) u botua në anglisht në 1 Maj 2020 në Sh.B.A. nga NY Elite Press nëpërmjet platformës botërore Amazon.

Ky libër është studimi im shkencor për një periudhë 10-vjeçare gjatë zhvillimit të doktoraturës në Amerikë. Meqe edhe temën e masterit të dytë në degën Shkenca Politike e bëra për negociatat shumëpalëshe diplomatike për statusin e pavarësisë së Kosovës (që do ta botoj edhe këtë punim si libër “Diplomacy and Nation Building in Kosovo”/ Diplomacia dhe Shtetformimi i Kosovës), mendova se qëndrimi me çështjen e Kosovës do më thellonte më shumë njohuritë në aspekte të tjera të temës. I jam mirënjohëse shtetit të Amerikës që më ka përgaditur në formimin tim si dhe të gjitha mundësitë që më janë ofruar për të qenë një qytetare sa më e denjë për komunitetin ku jetoj dhe kombin amerikan.

Arsye e dytë e përzgjedhjes së temës është se ky libër është dedikim familjes time, prindërve të mi të dashur Neki dhe Suzana Babamusta. Nëna ime vjen nga Fisi Cani me origjinë nga Gjakova e Kosovës, dhe babi nga Shqipëria, të cilit iu mohua e drejta e studimit dhe e ka mbrojtur shkollën e lartë me korrespondencë. Ky libër bashkë me përfundimin e doktoraturës janë dhuratë prindërve të mi për sakrificat dhe vuajtet që ata kanë kaluar në jetën e tyre dhe për t’i treguar që drejtësia dhe mbi të gjitha humanizmi gjithmonë fiton. Gjithashtu libri për mua është respektim i vendlindjes së gjyshërve të mi nga Kosova, quke promovuar vlerat e dijes, kulturës dhe së vërtetës.

Një arsye e tretë pse më shtyri të zgjedh temën e Kosovës është se gjatë hulumtimit tim në 3 vizitat diplomatike-kulturore në Kosovë vura re se kishte mungesë të statistikave. Strukturat institucionale të porsahapura asokohe, edhe pse në funksionim, kishin mungesë të dukshme të egzistencës të të dhënave sasiore. Madje dhe statistikat e BE-së për Kosovën kishin mungesë të të dhënave në disa vite specifike sidomos në vitet e para të shtetformimit. Prandaj dhe ky punim sjell një kontribut të rëndësishëm në fushën akademike-shkencore për shkenca politike dhe ndërkombëtare duke sjellur të dhëna statistikore origjinale. Libri bazohet në dy hulumtimet e mia me krahasime në shtrirje temporale gjatë periudhave 2012–13 me 220 pjesmarrës dhe 2017-18 me 40 pjesmarrës. Kjo e fundit shton edhe besimin ndaj Gjykatën Speciale të Kosovës (KSC) në Hagë në anketim.

Përkatësisht, dy pyetësorët dhe intervistat me ekspertët nxjerrin në pah nga ana kualitative (përshkruese) dhe kuantitative (sasiore) përceptimet e elitës në struktura të ndryshme të besimit politik. Studimet e tjera në këtë temë kanë përdorur kryesisht pyetësorë nga këto dy lloje: (1) Studime Zgjedhore Kombëtare Amerikane (American National Election Studies - ANES), ose (2) Anketa Sociale Evropiane (European Social Survey - ESS).

Ndërsa studimi im, nga ana konceptuale, është nisur nga studimet e Këshillit të Çikagos për Marrëdhëniet me Jashtë (Chicago Council on Foreign Relations), që krahason ndryshimet në perceptimet e politikës së jashtme amerikane në periudha të ndryshme kohore si vitet 1990, 1994, 1998, 2002, 2004, etj. Një metodë e tillë do ishte shume e rëndësishme edhe në Kosovë apo Shqipëri nga institute përkatëse në fushën e politikës ndërkombëtare për të matur në periudha të ndryshme perceptime për politikën e jashtme duke filluar që në vitin 2020 dhë përsëritur çdo dy vite. Këto rezultate do ishin shumë të dobishme jo vetëm në matjen e pa/ kënaqësisë së popullatës, dhe në kuptimin e polemikave vendore, por edhe në vlerësimin ndaj performancës të instituicioneve qeveritare.

Bahtir Latifi: Cili është mesazhi i juaj që keni menduar të dërgoni për politikbërsit në Kosovë përmes këtij libri?

Ermira Babamusta: Ky studim zhvillon matjet e besimit politik në besimin kombëtar dhe besimin ndërkombëtar, duke marrë parasysh dy ideologji teorike: shpjegime kulturore të besimit politik (përcaktues endogjen) dhe ato institucionale bazuar në përformanën e qeverisë (vlerësime racionale).

Kapitulli 7 i librit përfshin gjetjet kryesore të hulumtimit dhe diskuton pse çështja e Kosovës ka rëndësi me besimin politik dhe demokracinë. Legjitimiteti është themeli i besimit sepse ndikon në aftësinë e qeverisë për të qeverisur, të sigurojë shërbime për qytetarët dhe të kryejë funksionet përkatëse. Argumenti kryesor në literaturë është se një nivel i lartë besimi në qeveri mund të rrisë legjitimitetin, efikasitetin dhe efektivitetin e veprimeve të qeverisë.

Për të kuptuar shkaqet e mundshme të devijimit të niveleve të besimit politik në Kosovë në krahasim me demokracitë e qëndrueshme, ky studim shpjegon faktorët socio-kulturore dhe institucionale.

Seksioni 7.3 i librit (faqet 2001–2005) parashtron rekomandimet e studimit, duke cekur edhe axhendën e pajtimit (reconciliation agenda). Libri bën thirrje në nxitjen për në axhendën e BE-së – sjellja e drejtësisë për viktimat e luftës dhe gratë e përdhunuara gjatë luftës – si një rëndësi e drejtësisë ndëshkuese dhe restauruese (retributive and restorative justice).

Libri konkludon se besimi në policinë e Kosovës (Forcat e Sigurisë së Kosovës) është një hap i duhur drejt ndërtimit të shtetit dhe mund të nxisi procese të tranzicionit demokratik.

Bahtir Latifi: Libri është shkruar dhe botuar në gjuhën angleze. Nuk dyshoj që ju nuk e keni menduar që libri të përkthehët edhe në gjuhën shqipe. Kur mund t’a kenë lexuesit librin “Besimi politik në Kosovë” edhe në gjuhën shqipe?

Ermira Babamusta: Momentalisht po merrem me përkthimin e librit në shqip, meqe audienca që kam zgjedhur për shkrimin e librit janë profesionistë, studentë, akademikë, profesorë të shkencave politike, si dhe organizatat vendore dhe ato të huaja në Kosovë. Meqe është libër voluminoz me 300 faqe po shpresoj brenda 1-2 muajve ta kem gati edhe në shqip, pse jo të përkthyer edhe në gjuhët të tjera.

Kam shumë dëshirë të bashkëpunoj me profesorë në universitete të ndryshme në përdorimin e librit si pjesë e leximit për studentët që ndjekin degën shkenca politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Libri është në tre formate: botim shtypi, Kindle dhe eBook dhe është në shitje në Sh.B.A., Angli, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Japoni, dhe Kanada nëpërmjet Amazon. Meqe Amazon nuk poston në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni lexuesit mund t’a shkarkojnë librin në anglisht si pdf eBook në www.nyelitepress.com/books. Ky version dixhital mund të jetë i dobishëm për studentët e masterit dhe doktoraturës. Së shpejti libri do botohet në shqip në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. 

Po ashtu po këtë muaj kam nxjerrë në botim librin tim të dytë “Udhëtimi Legjislativ i Diskriminimit në Punësim” (The Legislative Journey of Employment Discrimination), i cili doli Numër 1 në Botimet e Reja në Amazon. 

Me këtë rast të falenderoj Bahtir për intervistën dhe redaksinë e Revistës Dituria për mbështetjen, si dhe përshëndes të gjithë shqiptarët që ndodhen në Suedi. 

Bahtir Latifi: Faleminderit juve Ermira për mundësin. Uroj që të keni shëndet në familje së bashku me shumë suksese tjera në veprimtarin tuaj.

Image
c