Gladiola JORBUS: Demokracia duhet t’i ngjajë shiut që i lag të gjithë njëlloj

 Gladiola  JORBUS                  

Demokracia duhet t’i ngjajë shiut që i lag të gjithë njëlloj

15 Shtatori ose Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të përkujtuar se demokracia duhet të njëjtësohet me njerëzimin. Demokracia mbështetet në trajtim, përfshirje dhe pjesëmarrje të barabartë. Ajo është një element themelor për zhvillimin e paqes dhe të drejtave të njeriut.

Në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut përmendet se "Vullneti i njerëzve është baza e autoritetit të pushtetit publik", prandaj ka frymëzuar krijimin e kushtetutave në të gjithë botën, ka kontribuar në pranimin global të vlerave dhe parimeve demokratike. Nga ana tjetër, demokracia siguron mjedisin natyror për mbrojtjen dhe realizimin efikas të të drejtave të njeriut.

Demokracia daton herët në botë, që në vitin 507 p.k., kur udhëheqësi athinas në Greqinë e Lashtë, Klisteni prezantoi një sistem të reformave politike që e quajti pikërisht demokraci, ose "qeverisje e popullit" (nga demos, "populli" dhe kratos "fuqi"). Gjithashtu zhvillimit të plotë të saj i bashkangjitet dhe emri i Perikliut, orator, burrë shteti dhe gjeneral i Athinës në epokën e saj të artë ,gjatë shekullit V p.k.. Ky sistem përbëhej nga tri institucione të veçanta: eklesia, një organ qeverisës sovran që shkruante ligje dhe diktonte politikën e jashtme; bulevardi, një këshill i përfaqësuesve nga dhjetë fiset athinase dhe dikasteria, gjykatat popullore në të cilat qytetarët argumentuan çështje para një grupi jurish të zgjedhur me short. Kjo qe forma e parë e demokracisë e njohur në botë. Edhe pse, kjo demokraci athinase do të mbijetonte vetëm për dy shekuj, origjina e saj nga Klisteni, "Babai i Demokracisë", ishte një nga kontributet më të qëndrueshme dhe të fuqishme të Greqisë Antike në botën moderne. Sistemi grek i demokracisë së drejtpërdrejtë do t’u hapte rrugën demokracive përfaqësuese në të gjithë globin.

 "Në një demokraci, shkruante historiani grek Herodoti, ka së pari, një virtyt të shkëlqyeshëm mbi të tjerët, drejtësia para ligjit".

Demokracia është dialogu i vazhdueshëm midis shoqërisë civile dhe klasës politike; ajo duhet të ndikojë pozitivisht në jetën e çdo qytetari. Ky dialog duhet të ketë një impakt në të gjitha vendimet politike. Për këtë arsye, pjesëmarrja politike, hapësira qytetare dhe dialogu shoqëror janë themelet e qeverisjes së mirë. Kjo bëhet edhe më e dukshme me ndikimin e globalizmit dhe përparimit teknologjik. Por aktualisht, çfarë po ndodh sot në botë ?!

Hapësira qytetare duket se po zvogëlohet në një shkallë alarmante. Qytetarët dhe aktorët e shoqërisë civile hasin vështirësi për të ndërvepruar me interlokutorët e tyre. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë të zhveshur nga pushteti, kurse përsa u përket interesave të grave, mund të themi se ato ende nuk po përfaqësohen siç duhet. Gazetarët, gjatë punës së tyre hasin ndërhyrje dhe ndonjëherë madje, shndërrohen në viktima të akteve të dhunshme.

Kjo ditë, e cila i dedikohet tërësisht demokracisë, duhet të shërbejë për të nxitur të gjitha qeveritë, që të reflektojnë dhe të respektojnë të drejtat e qytetarëve të tyre, për një pjesëmarrje të vërtetë dhe kuptimplote në betejën e madhe për demokraci. Po realisht, sa e mundur është kjo?!

Të gjithë mund të kemi qenë dëshmitarë se si janë shkelur normat etike ose ligjore të demokracisë, madje edhe nga ata përfaqësues politikë që duhet të kujdesen posaçërisht për to, për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre, ose ndonjë motivacioni tjetër, ndonjëherë në kurriz të taksave tona.

 Arroganca, gënjeshtra, kërcënimi janë mekanizmat e vëna në përdorim për të lehtësuar gabimet e tyre dhe neglizhencën ndaj çështjeve të lëna pezull apo të pazgjidhura, pasi këto autoritete do t’i referoheshin sërish kornizës kushtetuese demokratike për të mbrojtur veten dhe të drejtat e tyre.

Tradita demokratike tingëllon e vjetër, por është ende e re, për të mos thënë njomëzake në disa vende të caktuara të kontinenteve e gadishujve të botës. Jemi ne qytetarët e sotëm, ata që mund ta shndërrojmë demokracinë në një vlerë, sipas parimeve me të cilat lindi dhe u mbrujt.  Nuk është e mjaftueshme të votosh një sistem demokratik për të jetuar në mënyrë demokratike, ndërkohë që mund të evidentojmë rreth nesh raste të panumërta sjelljesh antidemokratike.

Politikisht të gjithë janë të infektuar nga ky virus, për të mos thënë që janë vetë politikanët, ata që favorizojnë mosfunksionimin dhe çrregullimet e saj, duke mundësuar përhapjen e metastazave të sëmundjeve kanceroze siç janë korrupsioni a mitmarrja, dukuri më se shqetësuese, kryesisht në shoqërinë tonë.

Edhe pse demokracia mund të konsiderohet si sistemi më i mirë politik, ajo ka nevojë për një draft ndryshimesh, përmirësimesh dhe modifikimesh. Pikësëpari, qytetarët dhe polikanët duhet të jenë pjesë aktive e një sërë procesesh demokratike, përmes tolerancës dhe konsensusit, kritikave aktive, prirjes për inovacion dhe informacionit të hapur, pasi demokracia duhet t’i ngjajë shiut që i lag të gjithë njëlloj

 Siç shprehej dhe Tsai- Ing Wen, ish presidente, politikane dhe profesoreshë nga Tajvani “Demokracia nuk është vetëm zgjedhje, por është jeta jonë e përditshme”.

Image
v