Murat Gecaj:BARDHYL XHAMA:PUBLICISTI, SHKRIMTARI DHE KOLEGU YNË I MIRË

Në 86-vjetorin e ditëlindjes:

BARDHYL XHAMA:PUBLICISTI, SHKRIMTARI DHE  KOLEGU YNË I MIRË…

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Kam pasur fatin që jam njohur shumë vite më parë, me Bardhyl Lame Xhamën. Por njohja jonë u shtua dhe miqësia u forcua, kur në vitin 1980 shkova me punë, redaktor i gazetës “Mësuesi”, ku ai ishte sekretar i Kolegjumit. Menjëherë, dallova te ai njeriun e mirë, korrekt, buzagas e shpirtgjerë. Ndësa gazetar dhe më pas shkrimtar i afirmuar, dallohej për thellësinë e mendimit, përshkrimet e bukura dhe gjuhën e rrjedhëshme.

Në jetën familjare, Bardhyli  ka qenë e mbetet: bashkëshort, baba e gjysh shembullor…E çfarë të shkruaj më parë, për këtë koleg e mik të mirë, se mund të thuash shumë e nuk i ke thënë të gjitha. Sa e sa here jemi takuar ne, sidomos një grup ish-punonjësish të gazetës “Mësuesi”, me emertimin simbolik, që kemi bërë, “Kompania lëvizëse”. Kemi pirë kafe e kemi ngritur ndonjë dolli, me ato “shishkat” me raki të Barshylit, duke folur për familjet, vitet e shkuara, për botimin e librave dhe shkrimet në shtyp e Internet, për kolegët e miqtë tanë të shumtaë, ndonjë nga të cilët dhe nuk jeton, si i ndjeri shkrimtar e publicist Skënder Hasko, gjithnjë i paharruar për ne etj. Dhe koha ka kaluar mjaft këndshëm, por dhe aq shpejt.

Tani, kur po I shkruaj këto radhë modeste për ditëlindjen e kolegut e mikut tonë të përbashkët, Bardhyl Xhama, sjell në kujtesë edhe festimin e 75-vjetorit të ditëlindjes së tij, por dhe në vitet vazhduese.

Me këtë rast, më lejoni që në shenjë nderimi e respekti për jetën e veprimtarinë larmishme të tij, të ndalem fare shkurt,  në disa të dhëna nga jeta e veprimtaria e Bardhyl Xhamës-“Mësues i merituar”..

                            x  x  x

Lindi në Fterrë të Sarandës, më 30 qershor 1933. Babai i tij ishte Lame Xhama, tani “Mësues iPopullit”. Në vendlindje kreu shkollën fillore, ndërsa shtatëvjeçaren dhe të mesmen i përfundoi në Gjirokastër ( në gjimnazin “Asim Zeneli”), me rezultate të shkëlqyera. Arsimin e lartë e ka kryer në Universitetin e Tiranës, për gjuhë e letërsi shqipe.

Në vitet e para të profesionit në arsim, ka punuar mësues e drejtor Gjimnazi në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Më tej, duke parë aftësitë e tij pedagogjike e krijuese, e caktuan redaktor dhe sekretar kolegjiumi në gazetën“Mësuesi”, zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe përgjegjës të Sektorit të Gjuhës dhe Letërsisë, në Institutin e Studimeve Pedagogjike.

Puna e tij në drejtim të institucioneve arsimore, gazetar dhe studiues është çmuar e nderuar me Urdhërat “NaimFrashëri” (Klasit II dhe III), si dhe me titullin “Mësues i merituar”. Bardhyl Xhama, tashmë,është një nga shkrimtarët e njohur të letërsisë për fëmijë e të rinj, si në Shqipëri dhe në trojet tjera shqiptare e më gjerë. Librat e tij janë ribotuar disa herë dhe në 70-vjetorin e lindjes është nderuar me “Çmimin e Karrierës”.

Autori ka botuar më shumë se 13 libra artistikë: romane, novela, vëllime me përralla dhe vëllime me rrëfenja. Nga këta, 8 janë nderuar me çmime në Konkurset Kombëtare të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj. Duke qenë me origjinë nga Saranda,  ai është quajtur dhe “shkrimtar i detit”, sepse disa nga librat e tij e marrin tematikën nga deti, nga zhytjet e peshkimi, nga aventurat e fëmijëve në gjurmimin e thellësive. Pra, përmbajtja e tyre është fantastike-shkencore, gjë që u pëlqen aq shumë sidomos të vegjëlve.Vitet e fundit i është kushtuar kryesisht rrëfenjave të shkurtëra, që e marrin tematikën nga fjalët e urta të popullit tonë. Nga Shtëpia Botuese “Toena” janë botuar 3 vëllime të tillë , me gjithsej  170 rrëfenja, të cilat janë mirëpritur nga shkollarët dhe janë ribotuar disa herë. Gjithësej, në këtë “kolanë”, ai do të botojë 8 të tilla me rrëfenja.

Po kështu, B.Xhama ka shkruar dy pjesë për teatrin e kukullave, të cilat janë shfaqur në Sarandë. Ka botuar mbi 100 tregime e përralla, në gazeta e revista për fëmijë. Ka përgatitur për radion e televizionin dhjetëra skenarë, teletregime e telenovela për fëmijë, që janë transmetuar disa herë.Ka përgatitur tre skenarë për filma dokumentarë, njërin për shkollat e mesme të vendit dhe dy të tjerët për vizita të ansambleve artistike shqiptare, në Kosovë e në Turqi.

Që nga viti 1989, Bardhyl Xhama është në pension, por gjithmonë me shpirt të ri dhe në veprimtari aktive,shoqërore e krijuese. Ndihmesë të veçantëka dhënë e jep në krijimin, drejtimin dhe mbarëvajtjen e ShoqatësMbarëkombëtare tëLetërsisë për Fëmijë etë Rinj. Rregullisht, e gjen edhe në grupimin shoqëror “Parlamenti i Fterrës”, i cili “mblidhet” në Tiranë.

Ditët, javët e muajt ecin me vërtik si uji i kulluar i Alpeve të Shqipërisë. Por Bardhyl Xhama nuk e ndjen këtë gjë, se shpirti i tij i butë e krijues, dashamirësia e dukëshme ndaj cilitdo, e bën atë gjithnjë optimist për jetën. Ai e gjen kënaqëesinë e jetëgjatësinë në familje, në shoqëri e kudo.

Prandaj, me zemra të bashkuara: Familjarë, kolegë, miq e dashamirë, e urojmë atë, me rastin e kësaj ditëlindjeje të shënuar:

Jetëgjatësi, shëendet e bereqet, mbarësi e krijimtari, gëzime e lumturi pafund, si për veten e familjen dhe gjithë njerëzit e panumërt, që i do dhe e duan kaq shumë!

-Mirupafshim në ditëlindjen tjetër, i dashur Bardhyl, si përherë i qeshur, zemërgjerë, i shkathët e plot energji, për jetën dhe për veprimtaritë krijuese e shoqërore!

-Një tufë lule të freskëta, për Bardhyl Xhamën: njeriun e mirë, publicistin e krijuesin e talentuar, “Mësuesin e merituar”!

Image
f