Nga Gladiola Jorbus: Emilie Flygare-Carlén, shkrimtarja e famshme nga Stromstadi

Nga Gladiola Jorbus

Emilie Flygare-Carlén, shkrimtarja e famshme nga Stromstadi

Emilie Flygare-Carlén ishte autorja më e lexuar brenda dhe jashtë Suedisë, në mes dhe në fund të viteve 1800. Ajo u bë e njohur për romanet e saj realiste, me tema familjare dhe për përshkrimet e Bregut Perëndimor. Emilie Flygare-Carlén, e lindur (Smith) në Stromstad, më 8 gusht 1807 u rrit në arkipelagun Bohuslan.

Ajo ishte e bija e një kapiteni anijeje në pension, ndaj shpesh e shoqëronte të atin në udhëtimet përgjatë bregdetit. Kështu, ajo mundi të njihej nga afër me njerëzit e detarisë, peshkatarët dhe kontrabandistët, që më vonë do të shndërroheshin në protagonistët e librave të saj.

Në moshën njëzetvjecare, ajo u martua me një mjek të zonës, Axel Flygare dhe shkoi të jetonte me të, në provincën Smaland. Emilie pasi mbeti e ve në vitin1833, u rikthye në shtëpinë e saj të vjetër dhe vendosi t'i kushtohej letërsisë.

Disa vite më vonë, me këmbënguljen e botuesit të saj u transferua në Stokholm, dhe më 1841 u martua me një avokat, publicist dhe poet të këtij qyteti, Johan Gabriel Carlén (1814-1875). Brenda pak kohësh, shtëpia e saj u kthye në një strehëz të ngrohtë takimi për burrat e letrave të Stokholmit dhe një pikë qendrore për personalitetet kulturore liberale të kryeqytetit suedez.

 Rrethi letrar përfshinte autorët Carl Jonas Love Almqvist dhe themeluesin e gazetës së përditshme suedeze “Aftonbladet” Lars Johan Hierta.

Përgjatë dymbëdhjetë viteve në vazhdim, Emilie botonte një deri në dy romane në vit.

Por fati i keq do të trokiste sërish në portën e saj. Një tjetër vdekje do të prekte thellë, shpirtin e shkrimtares; largimi i parakohshëm nga jeta i djalit të saj Edvard Flygare (1829–1853), një talent premtues, i cili kishte botuar tashmë tri libra. Kjo humbje e madhe për Emilinë u pasua nga gjashtë vjet heshtje artistike, periudhë pas së cilës, ajo iu përkushtua të shkruarit deri në vitin 1884.

Gjithashtu shkrimtarja suedeze, me origjinë nga Stromstadi u vinte në ndihmë dhe kryente vepra bamirësie për studentët, mësuesit, peshkatarët dhe për gratë e tyre pasi mbeteshin të veja.

U bë  jashtëzakonisht e suksesshme në vitin 1838 me romanin e saj të parë “Ëaldemar Klein”. Emilie Flygare-Carlén filloi të thyente tabutë duke përshkruar vrasje, raste autentike krimi dhe së shpejti subjektet e librave të saj  u dramatizuan.

 Por romanet “Një natë në liqenin e demave”, (1847) dhe “Një reputacion” (1850) ngjallën jo pak protesta e polemika. Autorja u akuzua për pasqyrimin e një morali të paqartë në portretizmin e protagonisteve femra në veprat e saj.

Romanet e Emilie Flygare - Carlen janë përkthyer gjuhët gjermane, daneze, frënge, italiane, norvegjeze, angleze etj., duke i dhënë kështu asaj, një vend nderi, në tregun evropian të librave të kohës.

Nga mesi dhe fundi i shekullit XIX, Emilie Flygare-Carlén ishte autorja më e përkthyer dhe më e mirënjohur në Suedi.

Në vendet ku flitej gjuha gjermane, në Evropën Qendrore dhe Lindore, ajo ishte një nga romancieret absolutisht më të lexuara të kohës së saj, dhe renditej krahas Charles Dickens-it apo Alexander Duma-së.

Përkthyesit dhe botuesit garonin për të botuar romanet e saj. Magnetizmi i emrit Emilie Flygare-Carlén u përdor për të tërhequr lexuesit dhe për shitjen e romaneve në tregjet evropiane të librit. Në vitet e fundit të jetës dhe të karrierës së saj, ajo mori shumë vlerësime për kontributin e dhënë në fushën e letrave dhe risitë që kishte përcjellë mbi natyrën, atdheun, familjen dhe krejt siujdhesën nordike.

Në 1862,  Emilie Flygare-Carlén-it iu dha medalja e artë nga Akademia Suedeze. Ajo mbetet gruaja suedeze më e njohur dhe më e paguar për kohën e saj.

Asaj i njihet merita si shkrimtarja e parë që shkruan për bregdetin perëndimor, por tema kryesore që përvijon subjektet e saj mbetet ekuilibri midis gjinive në martesë dhe erotizmi midis burrit e gruas, nën ndikimin e romaneve franceze.

Ndër veprat e saj më të rëndësishme mund të përmendim, romanin e parë horror “Trëndafili në Tistelön” (i përkthyer në 17 gjuhë),“Shtëpia e një tregtari në arkipelag”, apo “Kujtime për jetën e autorit suedez”, nëpërmjet të cilit paraqiti jetën shoqërore që ajo dhe bashkëshorti i saj shijuan në shtëpinë e tyre, së bashku me miqtë e shumtë elitarë, me të cilët formuan rrjetin kulturor të Stokholmit.

Emilie Flygare-Carlén vdiq në 1892. Ajo është varrosur në varrezat Norra në Solna në Stokholm, ku është ngritur edhe një monument në nder të saj. Gjithashtu, një tjetër  përmendore e shkrimtares së parë suedeze që siguroi jetesën, me të ardhurat e romaneve të saj, ndodhet edhe në qytetin e lindjes, në Stromstad.

Shkrimtares së famshme Emilie Flygare-Carlén, gjithashtu i kanë kushtuar dhe një film dokumentar, për të përjetësuar peshën e saj dhe rolin që luajti në lidhje me modernizimin dhe emancipimin e figurës së gruas në Suedi dhe më gjerë.

Image
l