Nga Gladiola JORBUS : Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë

Nga Gladiola JORBUS

Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë

Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk konsiston në gjetjen e territoreve të reja, por në zotërimin e syve të tjerë, duke parë universin me sytë e një tjetri, qindra të tjerëve: duke vëzhguar qindra universet që secili prej tyre vëren, që secili prej tyre është. (M. Prust)

Dita e Diversitetit kulturor që përkujtohet çdo 21 Maj është një shkas për të lidhur çështje të kalibrit të tillë si ai identiteti kombëtar, të drejtat e minoriteteve apo komuniteteve të caktuara, por që ndonjëherë në vorbullën e mbijetesës kulturore paraqiten veçmas.

Pikësëpari duhet të fokusohemi te dialogu, sepse shumica e konflikteve janë shkaktuar pikërisht nga përplasja midis kulturave të ndryshme.

Dialogu me të tjerët dhe përqasja ndaj zakoneve dhe traditave të ndryshme nga tonat, na lejon të kuptojmë nevojat e të tjerëve, të mësojmë t'i respektojmë ato dhe të zvogëlojmë rrezikun e konflikteve të reja.

Për më tepër, larmishmëria e popujve dhe kulturave është një trashëgimi që nuk duhet humbur.

Mbështetur në Deklaratën e UNESKO-s mbi Diversitetin Kulturor të vitit 2001 mund ta definojmë diversitetin kulturor si një trashëgimi të përbashkët të njerëzimit, po aq të domosdoshme për këtë të fundit, sa ç’është dhe diversiteti biologjik në natyrë për organizmat e gjallë. Mbrojtja e tij (diversitetit) është një  nevojë etike, e pandashme nga respekti për dinjitetin e njeriut.

 “Të drejtat kulturore janë pjesë integrale e të drejtave të njeriut, të cilat janë universale, të pandashme dhe të ndërvarura…”, thuhet në Nenin 5 të Deklaratës Universale të UNECSO-s mbi Diversitetin Kulturor.

Në këtë mënyrë krijohet një përqasje pozitive ndaj  vlerave thelbësore të njohjes dhe të të kuptuarit midis gjeneratave, të rinjve me të moshuarit, midis personave me preferenca të ndryshme seksuale, me prejardhje nga zona rurale apo urbane, të racave të ndryshme, të vendasve me të migruarit ose emigrantët, meshkujve me femrat, të krishterëve me myslimanët, shumicës me pakicat kombëtare etj.

Ky dialog ndërkulturor në rrugën drejt kohezionit social prek aspekte të ndryshme të historisë së përbashkët, çon në bashkëveprime të bazuara në respektin reciprok, shtyllë kjo e bashkëjetesës paqësore dhe thelbësore për zhvillim.

 Pluralizmi kulturor, qoftë ai paraardhës apo aktual mbetet një aspekt i çmuar i Trashëgimisë Botërore, prandaj i përket secilit prej nesh. Njohja dhe vlerësimi i trashëgimisë së çdo vendi fokuson datat e rëndësishme, figurat kombëtare, kulturën materiale dhe jomateriale; është një mundësi e pakrahasueshme për t’u ushqyer me rrënjët tona dhe me shprehjet e tanishme të diversitetit të shumëfishtë kulturor që ushqen identitetin tonë, përmes historisë që zbulon vazhdimisht, se kush jemi ne që jetojmë në këto hapësira multikulturore.

Por, shoqëria është shumë më tepër nga sa shfaq. Ajo vazhdimisht duhet të jetë e orientuar nga konceptet demokratike të bazuara në vlera e qytetari. Sfida shoqërore është avancimi drejt të jetuarit në hapësira që vërtet janë ndërkulturore.

Baza e kësaj bashkëjetese është toleranca – dhe njohja e përbashkët. Një kontakt shumëgjuhësor qëmtohet në sedimentin e brendshëm të origjinës, i cili është gjithashtu heterogjen dhe i larmishëm.

 Të jetosh në diversitet është të mirëkuptosh e të perceptosh kontributet e grupeve të ndryshme dhe trashëgiminë e tyre jomateriale. Ky koncept i vërtetuar nga UNESCO-ja ofron një kuadër frytdhënës mundësish për reflektim dhe ndërveprim, i cili nuk duhet të shfaqet mungues, në planet e studimit dhe në veprimet e politikave ndërkulturore, lokale apo globale.

 Pavarësisht momenteve të errëta në historinë tonë ia vlen të përmendim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga paraardhësit: atë të tolerancës dhe bashkekzistencës sonë fetare; fakt identifikues dhe vlerë e evidentuar nga mbarë opinioni botëror për ne shqiptarët.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim thellon kuptimin e vlerave të tij, ndërkohë që ndër pikat kyçe renditen: respektimi i të drejtave të njeriut, promovimi i dialogut ndërkulturor, qasja kulturore ndaj komuniteteve të ndryshme etj.

 Si mund të arrihet kjo? Gjithçka nis nga familja; është detyrë e prindërve të mos e ushejnë fëmijën me paragjykime e tabu; më pas shkolla e zhvillon dhe e pasuron këtë trend me aktivitete të ndryshme, kurse shoqëria e mbështet duke e promovuar diversitetin si një mozaik plot larmishmëri bindjesh kulturore, politike, filozofike, fetare, seksuale, mjekësore etj.

Ashtu si qielli ka vend për të gjithë yjet, ashtu dhe toka ka vend për të gjithë njerëzit.

 E si mund të luftosh përqasjen e gabuar ndaj një shtrese të margjinalizuar mund të pyesë dikush. Kjo sfidë duhet të nisë që në familje, duke mos kultivuar paragjykimet, e të pasohet nga arsimi, përmes metodave empirike si: dramatizime, projekte, vizita të karakterit humanitar e gjithfarë teknikash e lidhjesh ndërkurrikulare që kanë në qendër gjithnjë brezat e rinj.

 Ne vetëm mund të argumentojmë mbi rëndësinë e lidhjes dhe njohjes globale në kuadrin kulturor sepse kultura, si mënyra më efikase që u shërben njerëzve për t’u përshtatur me njëri-tjetrin, përfshin krijimin dhe zhvillimin e trashëgimisë në përgjithësi, si materiale dhe jomateriale; ama jemi ne ata që zgjedhim në fund se ç’qëndrim duhet të mbajmë.

Sa s’është vonë, duhet reflektuar mbi nevojën për të inkorporuar në mënyrë të vendosur, konceptet dhe përmbajtjet në veprimet edukative të qytetarëve për të rindërtuar skenarët e bashkëjetesës, nga e cila do të riformësohet trashëgimia e ardhshme, që për hir të së vërtetës do të jetë ndërkulturore. Askush nuk mund të apelojë ndaj shumëllojshmërisë së diversitetit dhe as ta kufizojë atë, përkundrazi duhet të shfaqet plot bonsens, kureshtar dhe mendjehapur ndaj tij.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim është një mundësi për të reflektuar mbi vlerën e dallimeve, midis realiteteve kulturore të planetit dhe për të kuptuar se si të ndërtohen kushtet për “të jetuar së bashku”, në një mënyrë më konstruktive përmes dialogut dhe respektit reciprok.

 Me të drejtë shprehej ish- guvernatori i Nju Jorkut, Charles Evans Hughes Sr. se: “Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë’.

Image
c