Nga Gladiola Jorbus: Numerologjia dhe ndikimi i saj në jetën tonë

Nga Gladiola Jorbus

                       Numerologjia dhe ndikimi i saj në jetën tonë

Numerologjia është shkenca që studion kuptimin e numrave, e cila përshkruan në mënyrë precize lidhjen e ngushtë të jetës së njeriut (mikrokozmos), me jetën e universit (makrokozmosi). Pra mund të konkludojmë se numerologjia na ndihmon të asociojmë botën e dukshme me atë të padukshme.  Ky studim bazohet në traditën që emri yt, dita, muaji dhe viti i lindjes, është mënyra më e thjeshtë dhe e menjëhershme për të njohur thellësinë tuaj dhe për të kuptuar karakteristikat që identifikojnë personalitetin tuaj, arsyet dhe motivet e  sjelljes suaj, aspiratat, prirjet, duke rritur kështu nivelin e ndërgjegjësimit. Me fjalë të tjera, numerologjia mund të na ndihmojë që të jetojmë jetën tonë në mënyrë më të vetëdijshme dhe të qartë.

Pavarësisht se numerologjia po bëhet gjithnjë e më tepër popullore në ditët e sotme, duket se ajo ka lindur në të njëjtën kohë me shkrimin; në fakt, në të gjithë popujt e lashtë, egjiptianët, hebrenjtë, grekët, kinezët dhe indianët, mund të gjenden prova të shkruara; disa dijetarë madje e çojnë origjinën e numerologjisë tek Atlantida legjendare.

Numerologjia përdor gjuhën simbolike të numrave, kjo gjuhë është konsideruar të jetë universale dhe e përjetshme. Në mënyrë të veçantë, parimi është i bazuar në supozimin se në çdo kohë të dhënë, ose fjalë, mund të identifikohet një numër midis 1 dhe 9. Por, përveç këtyre, ka numrat e tjerë, të cilat thellohen edhe më tej, numrat mjeshtër ose master të shprehur përmes (11, 22, 33) dhe ata karmikë (13, 14, 16, 19). Numrat mjeshtër indikojnë kapacitetin për të mësuar dhe integruar një informacion të madh shpirtëror. Madje dhe Jezu Krishti ishte një numër mjeshtër. Kurse numrat karmikë në konceptin e mishërimit indikojnë një mision të papërfunduar, një impuls ose përgjegjësi me të cilin duhet të punoni në jetë.

1 – Dita e lindjes identifikon shpirtin dhe i korrespondon pyetjes “Kush jemi?”.

2 –Muaji i lindjes përfaqëson Karmën, raportin me botën e jashtme, dhe i korrespondonon pyetjes “Ç’duhet të bëjmë?”.

3 – Dy (2) shifrat e fundit të vitit të lindjes përshkruajnë dhuntinë tonë, cilësitë e fshehta, të cilat duhen përforcuar dhe i përgjigjen pyetjes” Cilat janë aftësitë tona?”.

4 – Shuma e vitit të lindjes përvijëzon destinin tonë, më saktë atë që jemi të destinuar të bëhemi, gjithashtu na përshkruan dhe si u dukemi të tjerëve. Së fundmi i korrespondon pyetjes “Ç’jemi të destinuar të bëhemi?”.

5- Shumatorja e plotë e datës së lindjes na paraqet rrugën e realizmit, qëllimin, rrugën që duhet përshkuar për të arritur realizimin maksimal, pra është çelësi për një jetë më të qetë. P.sh.: Nëse dikush ka lindur më 6.4.2020, atëherë do të kishim (6+4+2+0+2+0= 14 = 1+4= 5) Pra, pesë përfaqëson shumëfishin, ndryshueshmërinë dhe eksplorimin, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Pozicioni i tij qendror në shkallën e numrave nga 1 deri në 9 siguron që personi nën ndikimin e numrit Pesë të adresohet vazhdimisht, në kërkim të destinacioneve të reja. Numri Pesë simbolizon një pikënisje të re drejt kërkimit, pasioneve dhe fatit. Aktiv dhe largues, personi me numër lindjeje ose lifepath Pesë tenton të djegë etapat për të arritur qëllimet e tij, por gjithashtu është i prirur të jetojë përvoja të reja. Pitagora e parapëlqente numerologjinë dhe synonte që nxënësit e tij të ishin ata me numrin 7 në lifepath-in e tyre.

Sipas numerologjisë, karakteri përmbahet në emrin e një personi (çdo foneme i korrespondon një numër), fati i tij në datën e lindjes; elementet e mbledhura me emrin dhe datën e lindjes, të krahasuara dhe interpretuara siç duhet, mund të gjurmojnë llojin e ekzistencës me të cilën do të përballet një individ, pengesat të cilat do të hasë në rrugën e tij, cilësitë që do ta ndihmojnë atë t’i kapërcejë ato dhe të metat e individit; roli i seksualitetit në jetën e tij dhe sëmundjet apo mosfunksionimet ndaj të cilave, ai është veçanërisht i predispozuar.

Image
c