Rovena Vata: VALLJA TROPOJANE RRUGËTON PËR NË UNESKO

      Rovena Vata  

              VALLJA TROPOJANE RRUGËTON PËR NË UNESKO

Mbrëmja magjike e 4 tetorit 2019, ku vallja e Tropojës nis rrugëtimin e saj, drejt UNESCOS.

Me datë 04.10.2019, u mbajt koncerti recital:“Me vallet më të bukura të Tropojës, krijuar me dashuri nga “Mjeshtër i Madh”, koreografi Skënder Haklaj”, tek Amfiteatri verior, Liqeni Artificial.

Për ta shpjeguar shkencërisht, qëllimin e këtij recitali, që vallja e Tropojës (kcimi i Tropojës), të bëhet pjesë e Unescos, foli albanologia dr. Rovena Vata, ku ndër të tjera tha:

Kcimet si thurimë e ritualeve të jetës dhe trashëgimisë shpirtërore në Tropojë, ishte një nismë dhe njëkohësisht një hap i madh, i ndërmarrë nga “Mjeshtëri i Madh” Skënder Haklaj, në dhjetor të vitit 2016, për të finalizuar një ëndërr të kahershme, që e ashtu njohura Vallja e Tropojës, të jetë në listën e mbrojtjes së UNESCO-S.

Vallja e Tropjës është po aq e lashtë sa dhe vetë populli, që e përfaqëson. Koreografi Skënder Haklaj - thekson kcimi i Tropojës, pasi kcimi është shumë më i vjetër se vetë vallja. Kjo valle, që prek tokën dhe që i drejtohet qiellit, është një pasuri e çmuar kombëtare, kjo perlë e Malësisë së Gjakovës, që i takon sot më shumë se kurrë, që të jetë nën mbrojtjen e Uneskos.

Konstatime për lashtësinë e valles së Tropojës janë parë qartazi edhe nga studiues dhe shkrimtarë shqiptarë. Shkrimtari Ismail Kadare është shprehur se vallja ashtu si pija, të nxit të flasësh për të. Në të vërtetë ajo ka diçka të afërt me pijen, marramendjen, e cila vjen si rezultat i veprimeve joshëse të valltarëve.

E bukura në artin e lëvizjes shprehet Kadare është se mendimi i parë që të vjen është rrotullimi i globit tokësor rreth vetvetes, pra një lloj vallëzimi i tij. Ky rrotullim nuk mund të ndërpritet. Siç thonë, bën pjesë në një valle më të madhe, në atë të galaktikës dhe galaktika vetë s’është veçse pjesëmarrëse në një tjetër vallëzim: në atë të universit. Duam apo nuk duam, ne jemi të rrethuar prej vallëzimit.

Kërcimet (apo kcimet, siç quhen nga populli), praktikohen në zonat e Shqipërisë së Veriut dhe i karakterizon interpretimi relativisht i lirë, brenda shtratit krahinor apo zonal. Ato shoqërohen kryesisht me instrumente popullorë, si: tupan, daulle, dajre, defe, curle, çifteli etj, siç do i shohim praktikisht sonte të gjithë bashkë, të interpretuar nga valltarët e Tropojës dhe të Tiranës, në këtë skenë gjidande.

Kërcimet popullore janë një minierë emocionesh për shoqërinë dhe individin, në mundësinë e pakufishme, që ky art ngërthen në shprehjen e gjendjeve më të holla shpirtërore, nëpërmjet lëvizjes. Të gjitha lëvizjet e kryera në kërcim, përfshirë këtu edhe vallet popullore, kanë në vetvete një qëllim estetik. Qëllimi estetik është një nga ato më të rëndësishmit, sepse kërcimi në vetvete është burim kërkimi vlerash estetike.

Vallja është luajtur e fiksuar që në kohët e lashta nga artistë anonimë me shpirt kreativ, në funksion të pastrimit të shpirtit e trupit të tyre, por edhe në funksion të punës dhe argëtimit.

Dëshira e kahershme e qenies njerëzore për t’u shkëputur nga toka apo për të fluturuar, është evidentuar më së shumti në kulturën e kërcimit në zonën e Shqipërisë Veriore dhe sidomos të Malësisë së Gjakovës. Vallja konsistonte në thyerjen e gjunjëve për të marrë vrullin, për t’u rrotulluar e për t’u hedhur, e cila është edhe një nga simbolikat dhe shprehjet më origjinale të intuitës krijuese e imagjinatës së popullit tonë. Ajo ka një bukuri gati hyjnore. Në këto kërcime thuajse gjithçka ndodh në ajër, edhe dashuria, edhe dyluftimi, edhe dhimbja, edhe trimëria, edhe sensualiteti. Në të njëjtën kohë këto kërcime kanë kontribuar në shoqërizimin e njerëzve gjatë festave popullore.

Vallet ose kcimet që nuk i kanë në vetvete të dyja vetitë, pra dhe të shenjtën dhe socialen, duken si të zhveshura nga thirrjet e të padukshmes së origjinës, duke humbur magjinë dhe efektin dehës.

Pas këngëve me lahutë dhe bisedave tregimtare, fillonin argëtimet me lojëra e kcime. Loja e parë dhe më popullorja për odat e burrave ishte loja e kapuçave. Kjo lojë shoqërohet me këngë e kcime, ku burrat vendosen në krahë të njëri-tjetrit me një hap para dhe një hap pas.

Për të gjitha këto cilësi dhe të tjera, që për efek kohe jemi të detyruar t’i reduktojmë, ky kcim duhet të bëhet pjesë e listës së Unescos, përfundon fjalën e saj studiuesja dhe profesoresha dr. Rovena Vata.

Image
R