Albert HABAZAJ:Poezi

Akoma s'kam qarë për Babain ...

Albert HABAZAJ

Baladë për Mësuesin, Këngëtarin dhe Babain tim Rexhep Sh. Abazi 

Dhembjen e kam të nxehtë e të njomë,

Lëmshi në grykë më bëhet mal,

Mezi i mbaj lotët, mos bëhen Amazonë,

Me lotët e paderdhur mund të bëj hidrocentral.

 

Dhe pse s'jam fetar, e kam një shenjt,

Shenjti im është im atë përjetësisht,

Mësuesi, këngëtari, burri për kuvend,

Autoritet dhe elegant njëkohësisht.

 

Fjalën ia kam flori në gjak, në shpirt,

Ia kam diell me dritë të ngrohtë në sy,

Ku ta kap të uruarën, ta ndjej atë dritë?

O Baba, si duroj unë 10 vjet pa ty?!

 

Fjalën tënde e kam udhëzues,

Para teje s'përfill asnjë hero legjende,

O shenjt që më ke ikur, i dashur mësues,

O Baba, për ty s'kam qarë ende...