Gladiola JORBUS
Torturë
Sonte,
ti nuk je me mua.
Mbrëmja i shëmbëllen
një psherëtime të përvajshme.
Vetminë rrëqethëse
Me kë po e ndan?!
Nuk ndihem xheloze.
Por e papërfillshme për ty.
E kjo, dhemb më shumë.
Oh, Zot!
Ç’torturë të mos jem,
Asgjë, në jetën tënde!
Të mungoj
Apo e ke përmbushur boshllëkun
e kësaj dashurie të pafat?!
Në heshtje unë vuaj për ne.
Dhe psherëtima zgjatet në infinit.
Ti je një mallkim që pas vetes më mban lidhur
Me fijet e padukshme
Të një zhgënjimi gjithlëndues.
Rrekem të të harroj.
Por ia dal mbanë
Të fshij nga kujtesa
Gjithçka,
Që nuk ka lidhje me ty.
Veten braktis
Në ndjenjën time të jetuar përgjysmë.
Dhe hëna,
Mikesha e zemrave të dëshpëruara
më rri pranë,
në thellësinë e këtij vizioni.
Enigma e botës
Enigma e botës,
një dëshirë egoiste
Për të pushtuar njerëz, yje,
gjithësinë...
Trokitje zemrash,
si valë trishtimi regëtijnë.
E frymorët,
pakëz të marrë,
pakëz naivë.
Me vete flasin,
në një gjuhë të panjohur.
Për kallot shekullore
që s’dihet nga mbijnë.
Anija e dashurisë
Anija e dashurisë përmbytet.
Të zbrisnim nuk patëm kohë.
Sa e çuditshme!
Deti,
me plotësinë e tij të pafundme
dot, nuk e nxë.
Flutur e trishtë
Me sy të zhytur në abis,
Si një e paftuar në shtëpinë e saj.
Lule molle,
me aromë dashurie të harruar,
si Migeni golsuorthian.
Një trëndafil shpirtpërgjakur,
me petale të fishkura,
I pajetë.
Flutura e trishtë
e dimrit siberian.
Pret vdekjen e paralajmëruar.
Qëndro pranë meje
Kridhem në thellësirën e vështrimit tënd.
Vetëm aty mbushem me ajër, me frymë.
Strehëza ime, kur ëngjëjt flenë.
Qëndro pranë meje!
Shiu pëshpërit lutjen time...
Dua të të dëgjoj përrallën e zemrës.
Ashtu siç dëgjon bregu,
Përrallëzën e dallgës lozonjare.
Unë
Unë
Këmbëzbathur,
të ndoqa në rrugëtimin tënd.
Mes gjembash, në drizërishtë,
Vetveten harrova.
Unë,
një luginë e paprekur,
plot dëshira e ëndrra
Që përndiqnin horizontin.
Shërova dhembjet e tua,
mungesën e dashurisë,
padrejtësitë e padukshme,
kohën e humbur,
armiqësinë e kultivuar
në kopshtin zoologjik njerëzor.
E sheh, se si puthet shkëmbi
Me rrezen e diellit?
Si përqafohet liqeni
Me dritën e hënës?
Është kaq e lehtë
Të dashurosh.
Të dhurosh zemrën
Pa egoizëm.
Dhe jeta …
do të reshtë së qeni
një varg vegimesh të trishta.
