Gladiola Jorbus: Poezi

Gladiola JORBUS

(Janar 2020)

Një mijë e një net

Që kjo dashuri të na strehonte

në një kohë pa kohë...

Si Shehrezadja rrëfeva,

një mijë e një histori...

Për një mijë e një net radhazi...

Të rrëmbeva mbi një tapet magjik.

Dhe fluturuam mes resh të kaltra,

rozë e vjollcë.

Malet u shkërmoqën.

Deti u zhduk.

Vullkanet u shuan.

Por dashuria mbeti...

në gishtërinjtë e tu

të mjaltshëm e thumbues njëherësh.

Hënën gjurmuam si parajsën e humbur.

Dhe qielli u ndez brenda nesh.

Apokalipsi biblik u struk,

pas emblemës moderne

të fundit të botës.

 

Jerm

 

Në netët plot jerm

Konsumohen dashuritë.

Në amalgamën e harresës…

zhduken emrat tanë,

lëkura ime dhe aroma jote.

Mendimet e mia

lëvizin universin.

Dunat sëmbuese

drejt hënës zhvendosen.

Gjithçka mbetet në heshtje.

Tingujt e shpirtit.

Qiejt e dhembjes.

Malet e pasigurisë.

Në shkretëtirën e lotëve

mbyteshin lutjet.

Dhe unë kërkoja

kohën e humbur…

 

Lule e egër

Sikur të kisha çelur
një lule e egër,
në luadhin më të largët malor.
Që nuk mund ta gjesh,
as ta blesh dot,
në ndonjë treg a dyqan lulesh.
E dehur nga dëbora e suferina,
S’do të përulesha kurrë.
Sikur të isha një rreze e praruar agimprurëse...
Një bulëz vese që nuk thahet.
Një përrua që nuk shteret.
Një buzëqeshje e lindur pas lotëve.
Një ëndërr që udhëton nga e kaluara.
Sikur të isha një fjalë e vetme
që fshin të gjithë ligësinë.
Sikur të isha lutja
Që zbon vetminë.
Sikur të isha shiu
Që zgjon dashurinë...

 

Paranojë

 

Në çmendinën e puthjeve

u rigjetëm…

për t’u ndarë sërish…

Lumturia binte si shi.

Pezhishka e saj

shpirtin, duart, këmbët mbështillte.

Irracionale…

Si prezenca e munguar.

Trokitje s’dëgjoj.

Por derën hap.

Ti nuk je…

Por hapa ndiej…

Kujtimet i fsheh

Askush të mos i gjejë…

Paranojë…

 

 

 

E nesërmja absurde

 

E nesërmja ëndërrohet

Gjithnjë më e shndritshme…

Përndryshe, jeta do të qe

krejtësisht e pajetueshme…

Në kryqëzime absurde,

Humbëm dhe u takuam.

Qeshëm dhe premtuam

Çka kurrë, së bashku

Nuk do mund të ishim.

Presim…

Dhe dita bëhet muaj.

Kurse viti, një dekadë e tërë.

Shpresa përmbytet në pikëllimin

Më të thellë.

E mendimi ynë fillestar

Kufizohet te vdekja.

Veç një frymëmarrje

Na ndan nga dëshpërimi.

Si një lule gjembaçi e egër,

bojëmanushaqe,

gulçon mbi pëllëmbën e dorës.

Përse plagët shërohen

duke kulluar gjak?!

Image
g