Kadri Tarelli: POezi

Kadri Tarelli 

DJEMTË E PODGURIT, DO TA MBAJN’ BAJRAKUN!

Baladë kushtuar luftëtarit Bajram Sali Gashi, “Dëshmor i Kombit”

 

O Bajram Salihi, nga familja Gashi! 1

Mësues e drejtor, të pat Shënavlashi.

Moshë djalërie, i pjekur në mend,

Nëpër oda burrash, ti mbaje kuvend.

 

Për shkoll’ e mësim, s’ t’u dhimb pasuria,

Sytë te vocërrakët, në mend shqiptaria.

- Shqip mësoni djem, gjuhë dhe dituri!

Se janë rreze drite, për komb dhe liri.

 

Mik, poet Lazgushin, prite dhe përcolle,2

Në çdo shtëpi fshati, në çdo prag kasolle.

Mësues Haki Taha, erdh bashkë me ty,3

Kosova dhe lufta, ju mori të dy.

 

Gjak i Ulqinakut, nga Durrësi thërret:

Lufto për Atdhe dhe në luft’ me mbet!

Nëna ju mëkoi, me ëndërr bashkimi,

Kosova jep kushtrim: bini hasmit, bini!

 

Armët brezit ngjeshe, si burrat qëmoti,

shqiponjën mbi krye, flamur Kastrioti.

Mali t’u bë strehë, përballë një ushtri,

A dorëzohet trimi, kur vdes për liri?

 

Zjarr po ndizet bjeshka, gjëmon gjyle topi,

Nan’ e gru’ burrnesha, syrit ngriu loti.

Mos pikojë dhimbja, mos dridhet qerpiku,

Burrat nuk vajtohen! Na njeh mir’ armiku.

 

-Vëllezër! Un’ për Kosov’, sot po e fal gjakun!

Se djemt’ e Podgurit, do ta mbajn’ bajrakun!4

Çka thotë Sali Rama e bab’ Ram Alia,5

-Kosova asht’ e jona! Ç’do këtu Serbia?

 

Hero Bajram Gashi, o Bajram lavdia!

Të kujton Istogu, të nderon Shqipnia,

Vitet rrodhën lumë, mes nesh je i gjallë,

Me plisin mbi krye, sikur ishe djalë.

 

Shënim:

Bajram Sali Gashi është dekoruar “Dëshmor i Kombit”. Tiranë 1994.

Poeti lirik Lazgush Poradeci.

Haki Taha, autori i atentatit ndaj Miladin Popoviçit. 1945

Podguri, krahinë e Kosovës, me qendër qytetin e Istogut

Bajram Sali Gashi dhe at e bir, Ram Alia e Sali Rama, ranë në luftë kundër ushtrisë serbe, në Mars 1945.

Image
v