Kadri Tarelli: POezi

Kadri Tarelli shkruan:

FJALA E THËNË dhe FJALA E DHËNË!

Fjala e thënë dhe fjala e dhënë,

Nuk janë motra, nuk kanë një nënë.

Ngjajnë si binjake, dalë nga një rrënjë.

Njëra përhap lajm, tjetra besë-zënë

 

Kush e ha fjalën? Fisniku kurrë!

Dhe miku me besë, qëndron si burrë.

Se fjala e thyer, të ngarkon me gurrë,

Kush e duron turpin, që djeg si furrë?

 

Kush e ha fjalën? I pari rrufjani,

Servili e ndjek, pas politikani,

Nuk i lodh vapa, s’i thyen tufani,

duken të zgjuar, si vetë shejtani.

 

Fjalën e thyer, nuk e mban filxhani,

Ngjalën lozonjare, s’e kursen tigani.

Kush e dredh fjalën, nuk e mban tabani,

Nuk i bën kostumi, i ngushtë fustani.

 

Kush e ha fjalën, mallkimi e djeg,

Shpirtin e than, si peshku në breg,

Kot përpiqen të hapin një shteg,

Nderi me para, nuk blihet në treg.

 

Fjalën kush e ha, e përbuz miqësia,

S’ka turp e frikë, nga ligji, drejtësia.

As skuqet as zverdhet, s’e ngop babëzia.

Si leckë i flak koha, në kosh historia.

 

Fjala e thënë, shigjetë në erë,

Fluturon mbi pyje, bie dhe në ferrë.

Fjala e dhënë, thesar me vlerë,

Kudo që troket, i hapet një derë.