Llesh Ndoj: Poezi

Llesh Ndoj

Folezës së vjetër!

Gjumin e trazuar, një ëndërr ma ngacmoi

Po kthehesha nga një rrugë e gjatë…

Kisha shetitur kontinent më kontinent

E në fund të rrugicës, shtëpia ime,

                             Foleza e vjetër, dukej prapë!

 

Kisha parë unë metropole, gradaçela,

                                             autostrada të pamatë,

E rrugica e ngushtë e folezës time,

E pashtruar, plot gurë, gropa e baltë,

Më dukej më e ëmbël, më e gjerë,

                                                                      më e gjatë!

Në hotele shumëyjesh kisha fjetur

E agimin mezi po prisja me dalë

Kokën të mbështesja në jastekun e vjetër

E një sy gjumë i “qetë” me e marrë!

 

Foleza e vjetër, gradaçela ime,

Më përkund e qetëson me…

                                                 ninullat e saj

Anipse e ngushtë është ajo e…

                                                   s’ka teprime,

Ngado që të sillem, unë…

                        frymën aty e mbaj!

 

Jam!

 

Unë jam…

Pjesëz e kësaj Bote jam,

Qelizë e gjallë në trupin e saj.

Zemra më rreh me të njejtin ritëm,

Frymëmarrjen me të e ndaj!

 

Tek unë nis dhimbja e saj

Gëzimi, hidhërimi, vuajtja…

Çdo gjë tek unë fillon

E ajo si një nënë e dhimbshme

Asnjë namë mbi mua nuk lëshon!

 

Unë jam…

Qytetar i Evropës plakë jam,

I tillë kam qenë qëmoti

Dhe pse të tjerët mundohen të më ndajnë

Me fjalë e sajesa kotsëkoti!

 

Unë jam…

Ballkanas unë jam,

Gatuar i tëri me barot,

Por s’jam unë jo një kamikaz,

Që vetes t’i vej zjarr,

E as te tjerët s’më kallin dot!

 

 

Unë jam…

Shqiptar e bir shqiptari jam,

Krenarë për vendin ku kam lerë

Gjysh pas gjyshi i tillë kam qenë

Me mendje e zemër europjan!

 

Si?

Adresën po më kerkoni?

Akoma atë se keni kuptuar

“Qytetar i Botës së Lirë”

Mjafton mbi zarf të shënoni

E mesazh i saj tek mua do mbërrijë

Nga koordinatat e çdo pike të Globit!

 

 

 

Asht’ ora.

 

Ma vodhën kohën

E kafshuan,

Egërsisht.

E n’kohështrirjen time

Lundruan,

Turq e shkja,

Barbarë,

Gjakpirës.

 

Lashtësinë ma mohuan

Ma përvetësuan,

Pellazgjinë.

Endacak, më thanë

Ma rrëmbyen Ilirinë.

 

Hapësirën ma cunguan

Kafshërisht.

E vetëm dy pllamb

Më lanë.

Mes malesh,

Gur e shkamb.

 

Më thanë, s’je Ilir

Jo, nuk je dardan

Lirinë ma cenuan

Ma coptuen vatan!

 

Kështu,

Plotë një jetë

Luftë,

Përpjekje,

Mbijetesë.

Ne, bijtë e shqipes

Me shqiponjat bëmë

Foletë.

 

Tash,

Ora ka mb’rrit

Kohën me fitue

Bashkë na me u ba’

N’kamb me u ngrit

Trojet me bashkue!