Nga Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus

Jemi njohur më parë

Thua vallë

të jemi njohur

më parë?!

Kur zefiri shekujt përqafonte

Dhe engjëjt luanin në harpë.

Ti,

kishe një tjetër emër atëherë.

E unë,

një tjetër nur.

Gjurmët e shpirtit tënd,

ndër pentagramet e kohës

ishin skalitur.

Po kërkonin melodinë e humbur

Të dashurisë së vjetër

Që gjithnjë shfaqet e re.

Dy sytë e tu,

të njëjtët mbetën.

Në çdo jetë do t’i rigjej.

Dhe pas njëqind a njëmijë vjetësh,

sërish tek ti

do të më rikthejnë.

 

(Goteborg 2019)

 

Vanitet

Në rrjedhën e këtij mijëvjeçari

Të babëzitur nga vaniteti,

Qiejt blu dhe retë e bardha

Shërbejnë si sfonde dekorative vetëshkrepjesh,

të zhveshura krejtësisht,

nga frymëzimi e misteri i krijimit.

Jeta, tashmë ngjan

me një seri fotografish të njëpasnjëshme,

ku thileve të meshkujve,

U mungojnë karafilat.

Kurse mollëzave femërore,

Ndrojtja e purpurt.

Vlerat zvarriten egërsisht

Dhe qeniet e gjalla kridhen

Në trumbetat kumbuese

të meskinitetit.

(Stromstad 2019)

 

Strehëza jonë

Po e përshëndes strehëzën tonë.

Piklat e shiut më veshin shpirtin.

Dje isha një Afërditë.

E sot?!

S’jam veçse një lypsare

E kësaj dashurie të brishtë.

 

Zjarrin e lashë ndezur

në oxhakun e braktisur.

Sa kujtime po digjen

në heshtjen tonë!

 

Po e përshëndes strehëzën tonë,

Dhe këtë dashuri

që mes flakësh perëndon.

(Stromstad 2019)

Image
g