Poezi nga Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Metamorfozë

Dashuria ka format e saj misterioze.

Një herë bëhet fllad, një herë gjethe e një herë lumë.

Mbështetet në tejskajshmëritë e jetës

Dhe në vorbullën e shndritshme të syve

Të tu.

Për t’u bërë më pas

shkretëtirë, rërë, det…

 

Vanitet

Në rrjedhën e këtij mijëvjeçari

Të babëzitur nga vaniteti,

Qiejt blu dhe retë e bardha

Shërbejnë si sfonde dekorative vetëshkrepjesh,

të zhveshura krejtësisht,

nga frymëzimi e misteri i krijimit.

Jeta, tashmë ngjan

me një seri fotografish të njëpasnjëshme,

ku thileve të meshkujve,

u mungojnë karafilat.

Kurse mollëzave femërore,

Ndrojtja e purpurt.

Vlerat zvarriten egërsisht

Dhe qeniet e gjalla kridhen

Në trumbetat kumbuese

të meskinitetit.

 

Shpirti i një vampiri

 

Oh, po që e kishte përgjuar,

siç kish përgjuar dikur një bletëz

teksa pjalmonte me lulet;

Ashtu donte  të nuhaste pjalmin e saj;

t’i zhvishte të fshehtat e shpirtit

dhe mimikat e ngrysura,

me mijëra puthje

të ndezura nga amshimi.

Por ish tmerruar

Kur kishte gjetur

Shpirtin e një vampiri.

 

Lamtumirë

Lamtumirë…

Po nisem drejt një bote

Ku të gjithë flasin të njëjtën gjuhë.

S’më duhet tjetër,

Veçse pak ujë dhe bar i freskët…

 

Ç’ lamtumirë e çuditshme!

E gdhenda zemrën time

mbi zemrën tënde.

Dëgjoji si rrahin njëzëri…

Bashkë i përcjellin agimet.

Në grackën tënde jam zënë,

Por unë po iki.

 

Atje ku do të shkoj

Nuk më nevojitet asgjë.

As emër, as ndjenjë, as fjalë.

Në eter do të endem përgjithnjë…

 

 

Lulet

Lulet stolisin dashurinë

Njësoj siç stolisin arkëmortet.

Që nga Ekuadori deri në Antarktidë.

Që nga kështjella mesjetare deri te foleza e thneglës.

Lulet çelin kudo,

mbi vullkane puthjesh

a mbi oqeane lotësh,

pasi prekin hënën

dhe psherëtimat e shpirtit.

Dashuria mund të jetë lule

E lindur nga një shkurrnajë, plot dhembje e

gjemba.

Asaj nuk i nevojitet një biletë

Për të udhëtuar nga një zemër në tjetrën,

pa kthim mbrapsht.

Oh, dashuria paska çmim të lartë!

Ajo mund të të kushtojë pritje, vuajtje,

Lodhje, dorëzim, cmenduri.

Ndaj dhe asaj i duhen lulet,

njësoj si vdekjes,

Që e veshim me ngjyra, me shkëlqim

Për të zbehur humbjen, heshtjen

vetminë.

 

Mirëmbetsh, mëkati im

I gjerba një nga një

Gllënjkat e mëkatit.

I shijova ngadalë

A thua se ishin verë,

Prej hardhishtës që Noe

fshehu në arkën e tij.

Befas

shiu biblik,

trokiti!

Shpirtrat u përmbytën…

Bashkë me to dhe dashuritë,

Të voglat e të mëdhatë.

E ti, mëkati im.

Ti po lundroje larg…

Pa mua…

Për të jetuar

Në një tjetër stinë,

Në një tjetër botë.

Mirëmbetsh,

mëkati im!

Në pafundësi do të përsëris

Refrenin e korbit të Alan Poe-s

Kurrëmë, Kurrëmë,

 

Nuk do të të prek dot.

Kurrëmë…

 

Nëse retë do të qanin

Nëse retë do të qanin,

Era do të bënte dashuri me lotët.

Pluhuri do të shtrihej butë

Mbi lëkurën e kadifenjtë të trëndafilave.

 

Pemët do të vallëzonin nje tango të trishtë

mbi pistën e vallëzimit kozmik.

 

Nëse retë do të qanin

Dhe do të pëshpërisnin të panjohurën.

Nata do të zgjohej,

kurse dita do të flinte.

 

Hëna, agimi dhe perëndimi i diellit

Do të luanin me gishtërinjtë tanë

Të ngjyer me ëndrrat që shpojnë si

Gjemba e djegin si zjarr.

 

Çelja e sythave

Më gëzojnë sythat që çelin,

si pikëza të shndritshme mbi degë.

Ndryshe pranvera, s’do të quhej bekim,

ashtu si shpresa, dëshirat që ndizen

nën ditët plot diell e shkëlqim.

 

Bota shkruan fatin e saj

Larg dimrit të zymtë - thëllim.