Poezi nga Gladiola Jorbus (Stromstad, 2019)

Nga Gladiola Jorbus

(Stromstad, 2019)

Zhurmërimë

 

Zhurmërimë…

Pemët vallëzojnë,

Nën tinguj bujashkash.

Fletëza lëkurëgjelbër,

në përroska lotërie

I zhveshi ëndrrat.

Cingërimës therëse

shpirtin ia besoi.

Nën qepallat e puthura

Përflaket shurdhëria.

Gjersa anemonë të bëhet

Në oqeanin e kohës.

 

Ti mos u trishto

Edhe sikur të m’i marrin të gjitha fjalët

Dhe të më mbeten vetëm disa tinguj të mbytur.

Ti mos u trishto!

Edhe sikur kumbimi i zërit tim

Të shkrihej me cicëimat e trishtilëve,

Dhe të shtegtonte në vise të largëta.

Sërish do të të flisja, me zemrën në duar.

Ndaj, ti mos u trishto!

 

 

Edhe nëse gishtërinjtë e mi do të këputeshin

Dhe s’do të kisha më sy për të të parë,

Ti mos u trishto.

Do të të përkëdhelja me sytë e shpirtit

Dhe qielli do të përndizej brenda trupit tënd.

Edhe sikur …në pambarim…

Ti mos u trishto!

Gjithmonë e gjen një mënyrë

Ai që vërtet, të do.

 

Dhe ti…

Le të themi që triumfove në karrierë,

Me duzina çmimesh që shtyheshin njëri pas tjetrit.

Dhe ti…

vazhdoje të bëje dashuri me hijen tënde,

e ngrije dolli me trofetë që të stolisnin

zbrazëtinë e shpirtit.

 

Kur ninëzat e syve të saj

Prej Monalize,

Të ftonin të kridheshe në melankolinë e tyre.

Dhe ti…

gëlltisje si hape gjumëndjellëse

Muzgjet e bruzta dhe agimet e purpurta.

Me gjakftohtësinë e një mizantropi.

 

 

Dhe ti…

harrove se në jetë

dhembjet ndahen së bashku.

Dhe fitoret gjithashtu.

 

Dhe ti…

Përplasje fort derën

Pas shpinës së saj

                                                          Pa thënë një “mirëmbetsh”, as një “lamtumirë”

                                                                     Dhe ajri bëhej i cingërimtë.

 

 

Dhe ti…

Mbete vetëm me mungesën e saj

Që ngjan me nënkresën e akullt

Të një nate të pambarimtë.

Dhe ti …

Po sheh

 Se si  trofetë e tu

njëri pas tjetrit po bien …

Të sendërtuar

në një grusht mizash

trupeshpirt përqethëse.

Dhe ti…

Ke humbur jetën,

veten,

dashurinë…

 

 

 

 

 

 

Dëlirësi

Ti  fle qetësisht.

Pëshpëritja rrjedh nga zemra jote

për t’u ngjitur në ëndrrat e mia.

Ne bëhemi një.

 

Strukem në përqafimet e tua.

Mjedër, rozmarinë dhe ajër i kripur.

Lëkura jote kundërmon dëlirësinë e jetës.

 

Në errësirën e ndritshme,

si dy degë pranverore

të së njëjtës pemë,

prekim hënën,

që mbi krye, na qëndron

Diademë.

 

 

 

Image
g