Kadri Tarell: Skicë

Kadri Tarell

Skicë

SHAKA E HIDHUR!

Kohë ngujimi në shtëpi, jo pak po më shumë se dy muaj. Unë për vete, bëja ç’ bëja dhe kur dielli ngrihej lart e dita ngrohej, ditë pas dite shkoja nga Currila, meqë edhe shtëpinë e kam fare pranë kodrës dhe zbres kollaj, pasi edhe rruga është sheshuar. Në një nga këto daljet, përballem me Çanen, (kështu e thërrasim shkurt), një mikun tim të vjetër mësues, tashmë në pension, që ashtu dalë nga dalë, po zbriste poshtë rrugës për të lëvizur pak, deri tek shkolla që kemi në lagje.

U përshëndetëm duke shtrirë krahun, si ushtarët gjerman të luftës së II-të botërore, për të mbajtur e respektuar “largësinë”, mes nesh. Pas pyetjes për shëndetin, vijova:

- Nuk ke frikë se të gjobisin, me që po del në qytet, poshtë tek rruga e madhe?

- Nuk ma mban të shkoj larg, pasi e kam marrë një paralajmërim të fortë. – më tha duke qeshur.

– Si kështu? - E shtyj më tej muhabetin….. dhe ai ndalon e më rrëfen:

- Kisha dalë për të marrë diçka tek tregu të krijuar tashmë rishtaz pranë Muzeut të Dëshmorëve, në Durrës, kur ndesha me një patrullë policie. Ishin dy vet, dhe më i riu më drejtohet me mirësjellje:

- Gjysh! Je jashtë fashës së lejuar, - dhe vuri gishtin mbi orën e dorës, - ndaj mos u hallakat shumë dhe kthehu në shtëpi!

Mbeta ngushtë, por përgjigjen e gjeta shpejt, sikur e pata në majë të gjuhës:

- U vonova pak, se vajta regjistrova emrin tek “Leba”.

- E mirë, mirë….! Po mos u vono, se ndryshe gjobitesh! - Më tha prerë djaloshi polic, tashmë serioz e me ton zyrtar.

- Lere se e njoh unë gjyshin dhe ja di hallin, - tha polici më i moshuar, që duke qeshur e tërhoqi nga krahu për t’u larguar dhe diçka i pëshpëriti në vesh. Kot i tha se më njihte, sa për ta larguar. Siç duket, me zë të ulët e sqaroi, se “Leba”, është agjensi funeralesh, sepse pas tre-katër hapash u dëgjua një e qeshur e fortë. Polici më i ri po qeshte me lot, e s’po e ndalte gazin dhe ashtu duke u gajasur, më thotë:

- Gjysh! Ta kam borxh një kafe edhe një raki dopio, sapo të hiqet karantina.

Unë qesha me vete për gjetjen e bukur, që edhe mund at kisha ngrënë një gjobë të majme, por edhe ata ikën duke kthyer kokën pas. Qeshën një copë rruge me fjalën time.

- Kam shpresë se, kur të çlirohet Durrësi, të dy policët do më njohin dhe do ta pi me qejf një kafe, si shpërblim nga karantina. – kështu tha miku im i vjetër, që do presë gjatë për kafen e premtuar.