Tregim nga Petrit Malushi

Nga  Petrit  Malushi

Babai i Kandidatit

           Javët e fundit dukej që Selmani përjetonte një gëzim të brendshëm. Këtë e vinim re jo vetëm unë dhe Musa, që ishim shokët e tij të ngushtë, por edhe të tjerë pjesëtarë të kolektivit. Madje edhe banorët e pallatit. Në kafe këmbëngulte dhe paguante vetëm ai. Në tavolinë vetëm ai ligjëronte. Rrugës i përshëndeste të gjithë, të njohur e të panjohur. Dikujt i fliste, dikujt ia bënte me dorë, të tjerëve me kokë.Te dera e ashensorit respektonte fëmijë dhe të moshuar. U linte bakshish jo vetëm kamarierëve, por edhe banakierëve. U falte lypsave lekë. Herë-herë përhumbej, këndonte me zë të ulët, fërshëllente. Na kishte befasuar, por hiqeshim sikur nuk e vinim re këtë ndryshim. Kur qëllonim të tre, unë dhe Musa shikoheshim ndër sy, por ngurronim ta pyesnim. Ç´të ketë vallë Selmani ? Ç`ka ndodhur tek ai ?  Ç´është ky ndryshim ? Prisnim rastin që të na hapej vetë. Do të vijë dita dhe ora,mendonim. Epo, plastë po nuk na e tha !   

            Pas dy muajsh do të zhvilloheshin zgjedhjet për organet qendrore. Subjektet politike ishin në kulmin e përgatitjeve. Në qytet ishin shtuar lëvizjet. Zhvilloheshin takime në rrethe të ngushta e të gjera. Të hapura e të mbylluara.Në zyra e lokale. Në orar të punës dhe jashtë tij. Aktivistët troktnin derë më derë për të tërhequr votues. Ashtu si i kishin porositur; mbanin shënime, bënin premtime,linin takime. Përzgjedhja e kandidatëve, pasi kishte kaluar në tre etapa, kishte përfunduar. Së shpejti do të bëhej shpallja e listave me emrat e tyre.    

              Nuk po duronim dot më. Selmanit s´po i binte ndërmend të na rrëfehej. 

-More, - i tha një ditë Musai,- ç´gjel të ka pjellë vezë këto kohët e fundit ?

Duket Selmani e priste interesimin tonë. E kishte kuptuar që ne bënin sikur s´na kishte rënë në sy ndryshimi i tij.

-Ha-ha-ha,- ia dha një të qeshure. Ç´gjel ? Asgjë ore asgjë !

-Mos na u përdridh neve. Ohu, të njohim një kilometër larg,- nuk iu ndamë me fjalë, të dy njëherësh. –Shok koti. Hapua zemrën shokëve të ngushtë,- shtuam për ta ngacmuar në sedër.

Bëri me dorë nga klubi. Morëm andej. Hymë. U ulëm. Porositëm kafet.

-Djali,or djali,- filloi të zbërthehej Selmani.

Ne kryqëzuam duart e po dëgjonim me vëmendje. Ia njihnim tipin. Vështirë ishte sa ta kurdisje, pastaj nuk pushonte, si ata gramafonët me hinkë.

-E kam fjalën për atë të voglin. Iu qepën ata të partisë së madhe dhe nuk iu ndanë, deri sa e kandisën për ta futur në listën e kandidatëve për deputet.

I kaloi të tre fazat e përgjedhjes. E kanë renditur jo larg kreut. Thuajse e ka të garantuar mandatin.

-Ai që të bënte me dhimbje koke ?- u zbraza unë si pushkë jevgu, nga që se prisnim këtë lloj bisede.

-Ia kam bërë hallall të gjitha. I dolën për hajr prapësitë,- ktheu Selmani.- E dini ç´i kishte thënë kryetari në koefidencë kokë më kokë, kur e thirri në zyrë dhe kishin qenë vetëm ata të dy ?

„E kemi kopsitur punën tënde. Të kemi zgjedhur se të kemi gjykuar si më të kompletuarin. Për kohën je më i përshtatshmi. Brenda teje ka rrufjan, dredharak, të korruptuar, gjysmë të shkolluar, pak imoralitet, ka horr, mafioz...

Vetëm të tillë u dalin ballas situatave, sado të koklavitura të paraqiten rrethanat. Kundërshtarët, kushdo qofshin, janë të humbur para teje. Ke mbështetjen tonë, mos na zhgënje ! “

-Unë,- mori anën e tij i rrëmbyer Musa, duke ia ndërprerë ligjërimin, - që tani e shikoj të ulur në kuvend. Nga ato që i ka thënë kryetari nuk i mungon asnjë. Nga sa mbaj mend prej atyre që na ke treguar: djali yt është marrë me kondrabandë kafeje, diplomën e ka siguruar tek ato universitetet piramidale, ka ndarë dy gra, më duket ka bërë tre muaj burg për rrahje… 

-E, e,- buzëqeshi Selmani,-kështu mendoj edhe unë. Por ua kam pak frikën kundërshtarëve. Mos i vënë përballë ndonjë kandidad që është më i  

plotësuar se ai.